Musliu-Shoshi pyet ministrin e Arsimit: Sa është numri i mësimdhënësve me probleme të rënda shëndetësore

Aktuale

Musliu-Shoshi pyet ministrin e Arsimit: Sa është numri i mësimdhënësve me probleme të rënda shëndetësore

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 14:08
Ariana Musliu-Shoshi

Çështja e mësimdhënësve , të cilët kanë probleme shëndetësore të mëdha e duhen të punojnë, ka disa vjet që mbetet një problematikë në vete, e  të cilët sot e trajtoi në Kuvend deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi. 

Musliu –Shoshi në kuadër të pyetje parlamentare, i ka parashtruar këtë problematik ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Ajo ka kërkuar  të dinte numrin e saktë të mësimdhënësve e të cilët përballen me probleme shëndetësore e që duhet të punojnë. Po ashtu Musliu-Shoshi ka kërkuar të dinte se cila është mënyra që kjo ministri synon ta zgjidhë këtë problem.

“Janë mbi 300 mësimdhënës të cilët janë me sëmundje të rënda, sëmundje të kancerit, të zemrës, probleme dëgjimi e shikimi , të cilët detyrohen të shkojnë në punë edhe përkundër pamundësisë së tyre shëndetësore.  Aktualisht pensionimi i parakohshëm për mësimdhënës për arsye shëndetësore nuk është i rregulluar ligjërisht. Nëse një mësimdhënës nuk mund ta vijojë punën, ai e ka vetëm një mundësi, që të marrë pension invalidor në shumën prej 75 eurosh e kjo shumë nuk  ua siguron asnjë zgjidhje për trajtim të sëmundjes dhe shpenzimeve të tjera themelore”, theksoi Musliu-Shoshi.

E ministri Likaj, ka treguar se  sipas informacioneve jo zyrtare, numri i  mësimdhënësve me probleme të theksuara shëndetësore sillet nga 200 deri në 230.

“Në bazë të informacioneve jo zyrtare, ekzistojnë diku 200 deri në 230 mësimdhënës në tërë Kosovës që kanë probleme të theksuara shëndetësore, kemi pasur takime edhe me sindikatën e arsimit dhe ata potencojnë që një numër i tillë sillet diku rreth 300. Zgjedhja e këtij problemi është rrjedhojë e ligjeve që janë të zbatueshme momentalisht në Kosovë, për pensionim të parakohshëm. Mirëpo kjo nuk ka të bëj vetëm me mësimdhënësit por me të gjithë punëtorët në sektorin publik”, ka theksuar ministri Likaj.

 Likaj ka thënë se ky problem duhet të zgjidhet përmes një ligji të veçantë, e i cili do të mundësonte që këta mësimdhënës të marrin 70 për qind të pagës së tyre bazë. Mirëpo kjo mund të arrihet duke bashkëpunuar  me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë  e Shëndetësisë.

“MAShTI në vazhdimësi ka kërkuar një trajtim të veçantë dhe një ligji për pensionim të parakohshëm të kësaj kategori, ku rreth 70 për qind të pagës bazë ata do ta merrnin. Por  sipas informacioneve që kam edhe pse kemi bërë një kërkesën javën e kaluar në komisionin për buxhet kjo nuk ka kaluar, arsyeja ka qenë se këta janë shërbyes civil ndërsa një e drejtë e tillë, i takon Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe nuk është aprovuar si kërkesë. Në vazhdimësi jemi duke kërkuar dhe kemi në planë qeveritar një qasje të tillë, por kompetenca mbetet Ministrisë së Shëndetësisë.”, tha Likaj.

Ai tha se qasja e Qeverisë së Hotit është  për t’u ndihmuar këtyre personave meqë problemet e tyre shëndetësore dhe mungesat që më pas ata po i shkaktojnë në vendet e tyre të punës po reflekton edhe në cilësinë e sistemit arsimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat