​Ministri Selimi: Çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë

Aktuale

​Ministri Selimi: Çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 18:55
Pamje nga vizita

Përfshirja e Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, ka qenë kërkesa kryesore që u është parashtruar dy ministrave të Qeverisë së Kosovës nga politikanët shqiptarë të Luginës.

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi së bashkë me ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, kanë vizituar sot Luginën e Preshevës. Ata me këtë rast thanë se kërkesa e shqiptarëve të këtij rajoni janë legjitime dhe të njëjtët do t’i parashtrojnë te kryeministri Avdullah Hoti.

Pas takimit me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës Ragmi Mustafa, Selimi tha se ky Këshill është shembull i mirë se si të gjitha partitë ulen bashkë për një kauzë.

Selimi: Çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë

"Kemi pasur kërkesë nga të gjitha autoritetet dhe të gjitha palët që kemi takuar që çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë. Kjo kërkesë është kërkesë legjitime, pasi në dialog me Serbinë mes dy shteteve Republikës së Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve duhet të jetë çështje aktuale dhe duhet të jetë çështje e cila do të diskutohet. Ne u zotuam me ministren që në forume dhe në krijimin e këtij mekanizmi dialogues, këto interesa të shqiptarëve të Luginës, të kenë një zë më të fuqishëm brenda dialogut dhe gjithashtu të ceket se kërkesat e shqiptarëve janë kërkesa minimale të standardeve evropiane, pra të Kartës evropiane për vetëqeverisje lokale të drejtave të njeriut në të gjitha konventat. Mendoj që Serbia duhet të jetë gati ta pranojë realitetin nëse dëshiron të jetë pjesë e Evropës, e nëse dëshiron të jetë pjesë e Evropës duhet t'i plotësojë këto kërkesa minimale të cilat aspak nuk është duke i plotësuar. Këtë çështje do ta ngremë edhe në qeveri, edhe me kryeministrin dhe dikasteret tjera dhe sigurisht që zëri i shqiptarëve të Luginës nuk do të jetë zë i shurdhër", tha ai.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, edhe një herë i ka bërë thirrje Serbisë që të kërkojë falje për krimet e bëra gjatë luftës.

Haradinaj-Stublla: Të ndalet çregjistrimi i qëllimshëm i shqiptarëve nga regjistrat civilë

"Duhet të ndalet çregjistrimi sistematik i qëllimshëm i shqiptarëve nga regjistrat civilë të kësaj ane. Po ashtu, të trajtohen pa diskriminim në aspektin shëndetësor, sidomos gjatë kohës së pandemisë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo aktualisht nuk po ndodh, kujdesi shëndetësor mungon, po edhe kujdesi politik është i cunguar... Nëse Serbia e ka seriozisht arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën, do të ishte që të kërkonte falje një herë e përgjithmonë pas kaq shumë vitesh për krimet e kryera në Kosovë", tha ajo.

Haradinaj-Stublla ka kërkuar nga Serbia që t'i trajtojë shqiptarët ashtu sikurse Kosova po i trajton serbët e Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafa, vizitën e dy ministrave të Kosovës e sheh tregues që në fokus të veçantë ka edhe shqiptarët e Luginës.

Mustafa: T'i dalim zot zgjidhjeve konkrete për çështje konkrete të shqiptarëve të Luginës

"U dakorduam që bashkërisht të ndërtojmë një qasje sa sistematike po aq programatike, në mënyrë që t'i dalim zot zgjidhjeve të drejta dhe konkrete për çështje konkrete të shqiptarëve të Luginës. Vetë prezenca e tyre tregon që Qeveria e Kosovës sigurisht një fokus të veçantë ka edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës", tha ai.

Ministrat Selimi e Haradinaj kanë zhvilluar një takim edhe me deputetët e zgjedhur nga lista e përbashkët Alternative Demokratike Shqiptare Lugina e Bashkuar. Po ashtu, kanë takuar edhe fituesin e zgjedhjeve në Komunën e Bujanocit, si dhe me përfaqësues të Partisë Demokratike në Bujanoc.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat