Opozita dhe kryetarja e Kuvendit duhet të iniciojnë mocion individual të mosbesimit ndaj Goran Rakicit

Aktuale

Opozita dhe kryetarja e Kuvendit duhet të iniciojnë mocion individual të mosbesimit ndaj Goran Rakicit

Nga: D.B. Më: 9 korrik 2020 Në ora: 19:44
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli hulumtues dhe zyrtar i projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) përmes një postimi në Facebook ka thënë se, shumica parlamentare pamundësoi futjen në rend të ditës të rezolutës për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Rakiç, përkundër efektit jo-detyrues të rezolutës.

Sipas tij, Kuvendi ka ende mundësi, më të lehtë dhe me efekt detyrues juridik, për ta iniciuar shkarkimin e Rakiçit, për shkak të deklaratave kundër shtetit të Kosovës.

Postimi i plotë:

Opozita dhe kryetarja e Kuvendit të iniciojnë mocion individual të mosbesimit ndaj Goran Rakicit.

Sot, shumica parlamentare pamundësoi futjen në rend të ditës të rezolutës për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Rakiç, përkundër efektit jo-detyrues të rezolutës.

Sidoqoftë, Kuvendi ka ende mundësi, më të lehtë dhe me efekt detyrues juridik, për ta iniciuar shkarkimin e Rakiçit, për shkak të deklaratave kundër shtetit të Kosovës.

Në mënyrë që të evitohet “arroganca e numrave” të shumicës, Kushtetuta ka paraparë mundësinë e ngritjes së mocionit nga vetëm 40 deputetë.

Kështu që, deputetët e opozitës, përfshirë edhe Kryetaren, duhet të fillojnë mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit individual. Kjo do ta obligonte Kuvendin që ta vendosë në rend të ditës votimin e mocionit jo më vonë se pesë, e jo më herët se dy ditë pas parashtrimit të tij.

Në këtë situatë, presioni politik e publik do të vendosej krejtësisht mbi shumicën parlamentare.

Mocioni individual i mosbesimit do t’a vendoste anëtarin e ekzekutivit para përgjegjësisë së drejtpërdrejtë politike ndaj Kuvendit dhe do të ishte hap tejet pozitiv në avancimin e praktikave parlamentare që forcojnë rolin mbikëqyrës të Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat