5 objektivat e Hotit deri te ‘vargjet’ e Vuçiqit/ Çka ndodhi sot në Samitin virtual të Parisit? - Bota Sot
5 objektivat e Hotit deri te ‘vargjet’ e Vuçiqit/ Çka ndodhi sot në Samitin virtual të Parisit?

Aktuale

5 objektivat e Hotit deri te ‘vargjet’ e Vuçiqit/ Çka ndodhi sot në Samitin virtual të Parisit?

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 20:33
Emmanuel Macron dhe Angela Merkel

Sot, nën organizimin e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel është mbajtur virtualisht Samiti i Parisit.

Samiti kishte për qëllim diskutimin për situatën e Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen sa më të shpejt të një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes vendeve.

Në këtë video-samit, Bashkimi Evropian u përfaqësua nga Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak. Kurse pala serbe po përfaqësohet nga presidenti Aleksandër Vuçiq.

Në hapje të këtij samiti, Macron tha se situata është me shumë rreziqe në aspektin e stabilitetit, ndërsa shtoi se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të gjithëve në Evropë.

“Është një situatë me shumë rreziqe sa i përket stabilitetit… Para një viti ishte Samiti i Berlinit me kancelaren Merkel e cila e ka fasilituar një rezolutë, dhe është në interesin e të gjithë evropianëve të gjendet zgjidhje e përshtatshme, e qëndrueshme”, deklaroi Macron.

Ai e ka mirëpritur faktin që Hoti dhe Vuçiq po ndjehen përgjegjës për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në këtë Samit, Hoti ka thënë fillimisht se është kënaqësi që ka marrë ftesën për të qenë pjesë e këtij Samiti i cili tregon përkushtimin e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që të shkojnë drejt integrimit evropian.

Tutje Hoti ka përmendur edhe pesë objektivat që Kosova synon të arrijë me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

1.Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë në njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe ecur para për të dy vendet në integrimin evropian.

2.Rezultati i kësaj marrëveshje duhet të jetë gjithashtu detyrim i BE-së për të përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.

3.Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të Marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Sigurimit të KB.

4.Anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi dhe apeli ynë krahas këtij procesi.

5.Personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmeve të luftës, viktimave, janë çështje që na shqetësojnë. Asnjë normalizim nuk mund të bëhet para se të vendoset drejtësia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në ‘vargjet’ e tij ka deklaruar se Kosova ka paraqitur ultimatum me tri pika gjatë “samitit të Parisit”.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbisë, raporton B92.

Vuçiq ka thënë se do të jenë nën presion të madh dhe njëkohësisht po përballen me “me qasje totalisht joreale të shqiptarëve të Kosovës që duan çdo gjë, e Serbia të mbetet pa asgjë”.

“Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne”, ka shtuar presidenti serb. “Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera.”

Ai shton se nuk mund të thotë se Serbia ishte nën presion nga ana e Macronit dhe Merkelit. Thotë se është përpjekur që sot në mënyrë të guximshme, racionale e pragmatike të përgjigjet në kërkesat dhe “listën e dëshirave të bukura” të palës shqiptare, ndërsa beson se Merkel dhe Macron këtë e kanë kuptuar.

“Do të jemi të detyruar të bisedojmë, por nuk është e lehtë të bisedohet me dikë që jeton jashtë realitetit. Kur thonë se e kanë për qëllim të anulojnë Rezolutën 1244, ne pyesim se ku është aty interesi serb, ata thonë ‘ne nuk e dimë’…Sido që të jetë, nuk na pret kohë e lehtë, por do të luftojmë dhe do ta ruajmë vendin”.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti:

“Unë do të doja ta përshëndes kryetarin e shtetit Vuçiq dhe kryeministrin Hoti që po e ndajnë me ne këtë ndjenjë përgjegjësie. BE do ta marrë në dorë lehtësimin e procesit të dialogut. Ka pasur mjaft rezultate të arritura me ndihmën e BE-së”, u shpreh Macron. “Është e domosdoshme tani që të kërkojmë një marrëveshje të këtij diskutimi që të jetë një përfundim legal, i obligueshëm dhe final”.

Me kënaqësinë më të madhe e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë samit të dalluar, i cili tregon angazhimin e Bashkimit Evropian, si dhe të vendeve tuaja përkatëse, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Ky integrim mund të bëhet vetëm përmes promovimit të demokracisë, fuqizimit të sundimit të ligjit, si dhe vendosjes së paqes së qëndrueshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet vendeve tona në të gjitha rrafshet.

Më lejoni të theksoj që Republika e Kosovës mbetet fuqishëm e angazhuar ndaj fuqizimit të institucioneve demokratike të saj dhe sigurimit të rrugës së integrimit të saj në BE.

Mbështetja dhe sigurimi i pavarësisë së institucioneve të sundimit të ligjit qëndron në krye të angazhimit të qeverisë sime. Ndihma dhe këshillat e BE-së dhe të EULEX-it për institucionet tona vlerësohet gjerësisht.

Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë zbatimin e duhur të kritereve që janë të rëndësishme për të siguruar besimin e plotë të vendeve të BE-së ndaj angazhimit tonë për të avancuar sundimin e ligjit. Pikërisht në këtë drejtim edhe ju kërkojmë mirësisht që ta shqyrtoni kërkesën tonë për liberalizimin e vizave. Ne do të punojmë fuqishëm për të çuar përpara statusin e vendit tonë në integrimin në BE si kandidat potencial.

Kosova, krahas vendeve të tjera të rajonit, është goditur rëndë nga pandemia Covid-19. Më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë popullit të Kosovës për ta përballuar këtë situatë emergjente përmes institucioneve të BE-së, si dhe drejtpërdrejt përmes qeverive tuaja.

Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta përmbajtur përhapjen e virusit, si dhe për ta mbështetur ekonominë përmes një liste gjithëpërfshirëse të masave të rimëkëmbjes ekonomike.

Në këtë drejtim, mirëpresim nismën e BE-së për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor përmes projekteve të përbashkëta të mëdha, të cilat ndihmojnë në kapërcimin e krizës ekonomike dhe sigurimin e lidhjeve më të mira dhe më të ngushta ekonomike ndërmjet vendeve të këtij rajoni.

President, zonja kancelare, z. Borell,

Në përputhje me përkushtimit të fuqishëm të vendit tim për paqe rajonale dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë përmes bashkëpunimit rajonal, ne sot kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tanë të parë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, si dhe në një gamë të gjerë partneritetesh rajonale.

Për Kosovën, marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë vazhdojnë të mbeten një çështje shqetësuese.

Ne kemi filluar procesin e dialogut në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Brukselit. Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh. Ato marrëveshje që janë zbatuar kanë përmirësuar jetën e njerëzve në të dyja vendet.

Që nga fillimi i dialogut në vitin 2011, Serbia vazhdimisht ka ndërmarrë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ka lobuar kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet e tjera. Këto praktika të dëmshme dëmtuan procesin e normalizimit të marrëdhënieve tona si dy shtete të pavarura.

Gjatë zhvillimit të dialogut, Serbia nuk ka treguar synime të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përkundrazi, ajo e ka zgjatur procesin për të “blerë kohë” dhe për të vazhduar fushatat e saj kundër sovranitetit të Kosovës.

Praktika të tilla të ndjekura nga Serbia e kanë shtyrën Kosovën që të reagojë, siç ishte rasti i vendimit të qeverisë së mëparshme për vendosjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe.

Megjithatë, ne mbetemi të përkushtuar për një proces paqësor të normalizimit të marrëdhënieve tona, i cili mund të arrihet vetëm nëse Kosova dhe Serbia respektojnë shtetësinë e njëra-tjetrës.

Që nga fillimi, qeveria e porsazgjedhur e Kosovës është treguar përnjëmend vullnetmirë duke hequr të gjitha barrierat tarifore ndaj mallrave nga Serbia, para së gjithash për t’i dhënë një shans dialogut dhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare detyruese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të përfundojë më njohje të ndërsjellë zyrtare ndërmjet dy vendeve.

Ne besojmë se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut. Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi si palë të barabarta.

Por, ne besojmë fuqimisht se dialogu duhet të ketë një afat kohor të qartë dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Ne besojmë se suksesi i këtij procesi thelbësor duhet të udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:

Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, meqenëse është premisa kryesore që qëndron në themel të Republikës së Kosovës dhe mbi të

cilën ajo mbështetet fuqishëm. Çdo shkelje e këtij parimi bie ndesh me parimet dhe vlerat themelore të BE-së. Prandaj edhe është e papranueshme.

Organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të preket, pasi që ai garanton funksionimin demokratik të autoriteteve, barazinë në përfaqësim dhe mishëron parimin e shtetit qytetar, jo të organizuar sipas linjave etnike. Prandaj, ndërhyrja në karakterin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte mënyra më e lehtë për të çfunksionalizuar shtetin e Kosovës dhe për ta bërë atë të paqëndrueshme. Kjo nuk mund të ndodhë.

Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, pasi që kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një marrëveshjeje të tillë.

Objektivat

Bazuar në këto parime, Kosova do të angazhohet në dialog me objektiva të qarta mbi të cilat duhet të arrihet Marrëveshja:

Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi Marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për t’ua shtruar të dyja vendeve rrugën drejt integrimit në BE.

Rezultati i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë gjithashtu detyrimi i BE-së për ta përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së.

Anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Angazhimi për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi ynë dhe apeli ynë gjatë këtij procesi.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmet e luftës, të vrarët, janë çështje që na shqetësojnë më së shumti në këtë proces. Nuk mund të ketë normalizim pa vënë drejtësinë në vend.

Në bazë të këtyre parimeve dhe objektivave, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë partnere konstruktive dhe bashkëpunuese në dialogun për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat