Ministri Veliu: Të respektohen rekomandimet, mos të detyrohemi të imponojmë zbatimin e tyre përmes forcës së ligjit - Bota Sot
Ministri Veliu: Të respektohen rekomandimet, mos të detyrohemi të imponojmë zbatimin e tyre përmes forcës së ligjit

Aktuale

Ministri Veliu: Të respektohen rekomandimet, mos të detyrohemi të imponojmë zbatimin e tyre përmes forcës së ligjit

Nga: E.B Më: 10 korrik 2020 Në ora: 21:15
Agim Veliu

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ai si ministër po punojnë shumë për të menaxhuar stuatën e krjuar nga pandemia.


Veliu ka shkruar se sjellet e papërgjegjshme të një numri të qytetarëve nuk do të lejohet të dëmtojë shëndetin e shumicës së qytetarëve, shkruan "Bota Sot".


Ministri Veliu apelon që të respetohen rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe që të mos detyrohen të imponojnë zbatimin e tyre përmes forcës së ligjit.


Postimi i plotë:


Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, 


Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë si Ministër i Brendshëm i saj, po punojmë me përkushtim të jashtëzakonshëm për ta menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e pandemisë.  


Duke qenë qeveri e një vendi demokratik, ne nuk duam të përdorim mundësinë që na jep ligji për të vendosur diktat ndaj qytetarëve të vendit tonë.


Përkundrazi, ne po punojmë për vetëdijesimin dhe vetë-disiplinë të qytetarëve, pasi që besojmë fuqishëm se tanimë duhet të mësohemi të jetojmë me COVID-19, ashtu siç po veprohet edhe në vendet e tjera anë e kënd globit. 


Megjithatë, sjelljet e papërgjegjshme të një numri të vogël të qytetarëve nuk do të lejohen ta dëmtojnë shëndetin e shumicës së qytetarëve, sjellje këto krejtësisht të papërgjegjshme karshi situatës në të cilën ndodhemi. 


Nuk mundemi, nuk duhet dhe nuk do të lejojmë që shkaku i disa sjelljeve të tilla të rrezikohet suksesi ynë i përbashkët si shoqëri dhe si shtet për menaxhimin e pandemisë. Institucionet ligj-zbatuese të Republikës së Kosovës do t'i përgjigjen çdo përpjekjeje, qoftë edhe të paqëllimshme, për ta sfiduar luftën e specialistëve shëndetësorë në betejën kundër koronavirusit.


Si ministër i Brendshëm, Ministria, dhe besoj e tërë qeveria dhe të gjitha institucionet e përfshira në betejën për ta kaluar me sa më pak dëme këtë pandemi, jemi në shërbim të plotë të ekspertëve shëndetësorë për dhe në të mirën e qytetarëve. 


Me ndihmën e të gjithë ne të tjerëve, stafi mjekësor, me dijen dhe përvojën e tyre profesionale, po na udhëheqin në luftën kundër një kërcënimi serioz dhe krejtësisht të paparashikueshëm. 


Prandaj, edhe ju qytetarë të dashur, duhet t'i bashkoheni kësaj beteje, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke zbatuar me ndërgjegje rekomandimet e ekspertëve të fushës. 


Pasi që rekomandimet tanimë janë bërë të obligueshme, e që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve të Kosovës, ne si institucione përgjegjëse, detyrohemi të përdorim mekanizmat përkatëse për zbatimin e plotë të tyre.


Duke i zbatuar ato sot, ne parandalojmë mbylljen totale si shoqëri, pasi që dëmet e një mbylljeje të tillë, që shkaktoi izolim dhe bllokim, veçse i kemi provuar dhe nuk do të ishte e udhës t’i përsërisim. 


Prandaj, edhe një herë apeloj dhe kërkoj nga ju të respektoni rekomandimet dhe që të mos detyrohemi të imponojmë zbatimin e tyre përmes forcës së ligjit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat