Avdullah Hoti nuk e do në dialog Vjosa Osmanin

Aktuale

Avdullah Hoti nuk e do në dialog Vjosa Osmanin

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 22:17
Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për raportin që ka me kryetaren e Kuvendit, njëherësh bashkëpartiake, Vjosa Osmanin.

Ai nuk tregoi se cila ishte vota e tij në shkarkimin e saj nga pozita e nënkryetares, që më pas ia zuri ky, duke thënë se është e fshehtë.

Por, Hoti tha se nuk është i kënaqur as me trajtimin që kryekuvendarja ia bën atij para deputetëve.

“Ju i keni parë sjelljet e mia në Kuvendin e Kosovës. Sa herë e marr fjalën i drejtohem me respektin më të madh si kryetare e Kuvendit edhe pse ajo nuk më drejtohet asnjëherë në cilësinë time si kryeministër. Si bonton i sjelljes në plot situata nuk ka qenë adekuat, po ajo nuk më pengon mua për të kryer punën time dhe për t’u sjellë me kurtuazinë e plotë që duhet të sillet një kryeministër i vendit”.

“Për mua prioritet janë shtetërore ato që i kam dhe jo çështjet dhe sjelljet e caktuara”.

A do Hoti që Osmani të jetë pjesë e dialogut?

“Ajo nuk ka funksion kushtetues për të marrë pjesë në dialog. E kam thënë vazhdimisht që Kosovën në bazë të Kushtetutës e përfaqëson kryeministri. Ka hapësirë për të gjithë dhe ka pasë raste kur edhe presidenti ka qenë pjesë e dialogut, por përgjegjësinë e dialogut e ka Qeveria. S’favorizoj kurrëçfarë trupa jonisntitucionalë për përfaqësimin e Kosovës. Ato që janë kushtetues, ata mund ta bëjnë, jo trupat hibridë”.

Në një intervistë ekskluzive në Rubikon, Hoti për Osmanin tha se ka devijuar nga qëndrimet e LDK-së dhe se shkarkimi i saj nga pozita e nënkryetares së partisë ka qenë në përputhje me statutin e LDK-së.

“Ajo ka devijuar nga qëndrimet që ka pasë partia. Një parti funksion në bazë të programit dhe statutit të saj që duhet respektuar nga të gjithë, sidomos figurat e larta duhet të tregojnë lojalitet të plotë ndaj parimeve të partisë. Duhet të tregojnë lojalitet, konsultivitet, qëndrim bashkë me kolegët e tu si në të mirë dhe në të keq”.

Ndërsa, për mospajtimet rreth Gjendjes së Jashtëzakonshme me Osmanin, Hoti tha se ajo nuk di plot informata, por se me këto do të informohet nga dita e nesërme.

“Është vlerësim i saj nga kreu i Kuvendit. Jam i bindur që s’ka plot informata. Nga dita e nesërme ajo dhe gjithë qytetarët do t’u tregohen storie për mundin e mjekëve brenda Infektives dhe klinikave të tjera. Le të shohin se si po vuajnë mjekët dhe pacientët aty”.

Hoti s’po pajtohet as me propozimin për miratimin e ligjeve për pandemi të Osmanit duke thënë se këto ligje nuk e zgjidhin problemin.

“Ligji s’mund ta zgjidhë  problemin sepse liria s’mund të kufizohen pasi është e përcaktuar me Kushtetutë. Në mënyrën se si janë paraqitur nuk e zgjidhin problemin. Ligjet janë, por mund ta kufizojnë lirinë e lëvizjes në mbarë vendin vetëm me Gjendjen e Jashtëzakonshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat