​Hoti: Kryetarët e komunave përkrahin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme - Bota Sot
​Hoti: Kryetarët e komunave përkrahin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Aktuale

​Hoti: Kryetarët e komunave përkrahin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 09:19
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve.

Hoti ka njoftuar se me organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot kanë pasur një video konferencë me kryetarët e komunave për të vlerësuar gjendjen me covid-19.

“I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për tu ulur numri i të prekurve. I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj”, ka shkruar ai.

Hoti tha se duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë.

“I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe. I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar ai.

Kryetarët e komunave përkrahin kryeministrin për masat e reja, përfshirë edhe Gjendjen e Jashtëzakonshme

Asocacioni i Komunave të Kosovës sot ka mbajtur një takim virtual me kryeministrin Avdullah Hoti për të dhënë mendimin e tyre rreth mundësisë për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme për shkak të numrave në rritje të rasteve me infektim nga koronavirusi.

Kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, konfirmoi se kryetarët e komunave i kanë dhënë dritën e gjelbër kryeministrit për vendosjen e masave të reja për të frenuar përhapjen e pandemisë, por duke kërkuar që të mos bllokohet ekonomia.

“Këshilli i AKK-së i dha përkrahje kryeministrit në ndërmarrjen e masave të reja për shpëtimin e jetës së qytetarëve. U dha përkrahja çdo masë të re e në masa të reja mund të vijë edhe Gjendja e Jashtëzakonshme. Por, në përgjigje u tha se duke ruajtur shëndetin publik, zhvillimi ekonomik nuk duhet të ndalet”.

Ibrahimi tha se të dielën e kanë takimin e Komitetit ku edhe do të vendoset më konkretisht se cilat janë masat e reja.

Ndërkaq, ai njoftoi se me kryeministrin kanë diskutuar edhe për hallin e qytetarëve me ujin e pijshëm që po mungon në disa komuna, tash kur ka më së shumti nevojë.

Situata me Covid-19, nis takimi virtual i Hotit me kryetarët e komunave

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka nisur takim virtual në mes kryetarëve të komunave dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Në këtë takim do të diskutohet situata me pandeminë Covid-19 që po mbizotëron në Kosovë.

Kryetarët e komunave pritet ta thonë fjalën e tyre rreth mundësisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat