KMLDNJ, deputetëve: Silluni si parlamentarë - Bota Sot
KMLDNJ, deputetëve: Silluni si parlamentarë

Aktuale

KMLDNJ, deputetëve: Silluni si parlamentarë

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 13:59
Vërsulja e deputetit të LDK-së ndaj Vjosa Osmanit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar për rastin e mbrëmshëm të përplasjes në Kuvend duke kërkuar sjellje parlamentare nga deputetët.

Ky këshill po thotë se ndonjë incident mund lejohet në kuadër demokracie parlamentare por më shumë shqetësues e sheh faktin se fjalori dhe sjellja, në disa raste joparlamentare, reflekton gjatë votimit të ligjeve apo marrëveshjeve me interes të përgjithshëm.

“Refuzimi i votimit të Ligjit anti – COVID- 19 për KMDLNj është kundër interesit qytetar dhe nuk mund të arsyetohet me asgjë. Refuzimi i votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe rishikimi i Buxhetit, në kohë kur me një shpejtësi algjebrike po varfërohet populli i Kosovës, po falimentojnë bizneset dhe po humben vendet e punës është dashur të votohen me urgjencë e jo që të stërgjaten diskutimet duke u politizuar skajshëm, për të arritur një qëllim politik. Është e pamoralshme kur deputetët me të ardhura të majme dhe të garantuara kundërshtojnë që të sigurohen edhe pagat minimale, për një mbijetesë minimale, për ata që kanë mbetur pa punë shkaku i pandemisë”.

“Qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë kur të zgjedhurit e tyre janë larg përgjegjësive që ua jep vota dhe premtimi elektoral që e kanë dhënë. Kosova, me një demokraci ende të pakonsoliduar duket se nuk është mësuar me sjelljet e deputetëve. Mirëpo, nëse i krahasojmë këto sjellje me vendet që kanë demokraci të qëndrueshme dhe kulturë parlamentare të konsoliduar, as në Kosovë, përkundër shumë problemeve, nuk e kemi gjendjen më të keqe. Për KMDLNj nuk është aq shqetësues fakti se mund të ketë ndonjë incident verbal sepse kjo është në kuadër të një demokracie parlamentare por është shumë shqetësues fakti se fjalori dhe sjellja, në disa raste joparlamentare, reflekton gjatë votimit të ligjeve apo marrëveshjeve me interes të përgjithshëm.
Sa i përket mbarëvajtjes së punës së Kuvendit, kryetarja është autoriteti dhe arbitri përfundimtar i interpretimit të Rregullores dhe duhet të sillet në përputhje me Rregulloren”.

“Qartazi po shihet se është krijuar një çarje e madhe midis kryetares së Kuvendit dhe partisë që i takon qoftë edhe nominalisht, LDK-së e që po reflekton negativisht në punën e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit duhet t’i trajtojë të gjithë deputetët njësojë sikur që deputetët duhet të sillen me respekt ndaj kryetares së Kuvendit. KMDLNj konsideron se pikërisht tensionet e motivuara politikisht po reflektojnë në menaxhimin e seancave të Kuvendit për faktin se nga një shkëndijë e vogël politike, seanca po merr flakë të panevojshme dhe po përfundon me skena jo të mira. Rregullorja e Kuvendit shprehimisht e sqaron edhe punën e debateve, diskutimeve, replikave qoftë si deputet, qoftë në emër të grupit parlamentar e kjo qartazi nuk po respektohet”.

“KMDLNj kërkon nga deputetët të sillen në përputhje me mandatin si përfaqësues të popullit kurse, për shkak të ndjeshmërisë së situates duhet t’i tejkalojnë intereset personale dhe partiake dhe t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, rishikimin e Buxhetit dhe Ligjin anti COVID- 19 në mënyrë që të tejkalohet situata më lehtë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat