​Hoti thotë se dialogu do të përfundojë me njohje reciproke - Bota Sot
​Hoti thotë se dialogu do të përfundojë me njohje reciproke

Aktuale

​Hoti thotë se dialogu do të përfundojë me njohje reciproke

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 17:13
Avdullah Hoti

Kryeministri Avdullah Hoti ka folur pas takimit online që ka pasur me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për rifillimin e bisedimeve të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një konferencë për media, kreu i Qeverisë së vendit ka bërë të ditur se të enjten e ardhshme do të mbahet edhe një takim në Bruksel ku do të diskutohet për procesin e dialogut.

Ai tha se në çdo takim të tij potencon se platforma e Kosovës është që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila ka njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Hoti: Takimi i radhës mbahet të enjten në Bruksel

“Në të gjitha takimet që kemi pas deri tash, unë kam prezantuar në emër të qeverisë, në bazë të kompetencave kushtetuese platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hymë për vetëm një qëllim që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i mosdhënieve në mes dy vendeve. Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës të enjten që vjen në Bruksel, është takimi i parë pas 20 muajve prej që është ndërprerë procesi i dialogut. Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë e dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve i cili normalizim vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve“, tha Hoti.

Ai shtoi se bashkë me të në Bruksel do të jetë edhe delegacioni shtetëror, i cili përfaqëson koalicionin qeverisës dhe se kanë kërkuar që edhe opozita të jetë pjesë e këtij dialogu.

Hoti: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke

“Ne hymë pas 9 vite dialog për të zgjidhur çështje teknike të cilat janë në interes për qytetarët e dyja vendeve dhe ato marrëveshje që janë zbatuar vërtet kanë përmirësuar jetën e qytetarëve në të dyja vendet. Tash hyjmë në fazën finale e cila ka kuptim vetëm po të ketë njohje reciproke në mes dy vendeve. Unë kështu e shoh dhe kështu do të jetë sepse nuk ka alternativë tjetër ky proces i dialogut, përveç se me njohje reciproke dhe normalizim i marrëdhënieve në mes të dy vendeve në përputhje me standardet më të larta evropiane“, tha ai.

Ai ka folur edhe për temat që do të diskutohen në takimet e radhës dhe në Bruksel me palën serbe.

Hoti: Temat e dialogut janë të njohura

“Temat e dialogut janë të njohura. Marrëveshja finale duhet përfshijë njohjen reciproke, çështjen e të pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimi i marrëdhënieve ekonomike dhe të gjitha çështjet që duhet të rregullojnë të dyja vendet”, tha Hoti.

Ai ndërkaq ka bërë të ditur se në takimin e sotëm nuk ishte i pranishëm presidenti Thaçi, pasi për një gjë të tillë nuk ka qenë e nevojshme .

Hoti: Thaçi nuk mori pjesë në takimin e sotëm

“Në këtë mbledhje nuk ka marrë pjesë presidenti i vendit, pasi kjo mbledhje mbahet në kushte jo të gjendjes së jashtëzakonshme, por përfaqësuesi i presidencës ka qenë në këtë mbledhje”, tha Hoti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat