Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se është shumë e rëndësishmë që Kuvendi i Kosovës të miratojë buxhetin e rishikuar për vitin 2020.
Hoti përmes një postimi në Facebook, thotë se pjesë e këtij buxheti është edhe fondi për rimëkëmbjen ekonomike prej 385 milionë eurove.
Ai shton se gjithashtu është e rëndësishme edhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi.
“Është tepër e rëndësishme që sot Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi”, shkruan ai.
“Kjo na hap rrugë për të vazhduar me pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese, si dhe për të nisur zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. Fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 mil euro është pjesë e këtij buxheti”, përfundon Hoti postimin e tij, transmeton gazeta “Bota sot”.