Përfundon intervistimi maratonik i Hashim Thaçit nga Specialja, jep detaje se për çfarë u morë në pyetje - Bota Sot
Përfundon intervistimi maratonik i Hashim Thaçit nga Specialja, jep detaje se për çfarë u morë në pyetje

Aktuale

Përfundon intervistimi maratonik i Hashim Thaçit nga Specialja, jep detaje se për çfarë u morë në pyetje

Nga: N.Sh Më: 13 korrik 2020 Në ora: 11:44
Presidenti Thaçi gjatë prononcimit për media në Hagë.

(E plotësuar) - Presidenti Hashim Thaçi pas rreth 6 orësh ka dalur nga objekti i Dhomave të Specializuara ku ëshë intervistuar nga prokurorët që kanë dorezuar aktakuzë ndaj tij.

Prokurorët e Dhomave të Specializuara do të vazhdojnë edhe nesër me intervistimin e tij.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknikaliteteve të ndryshme në mes të avokatit dhe prokurorëve, çështje sqaruese teknike, e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për UÇK-në kështu që do të vazhdon nesër. I jam përgjigjur pyetjeve që u kanë interesuar prokurorëve”, ka thënë shkurt Thaçi para gazetarëve.

Deklarata e presidentit Thaçi në Hagë.

Gati gjashtë orë nga marrja në pyetje e Thaçit, në çfarë cilësie po intervistohet nga Specialja? Ja detajet e fundit nga Haga!

Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, i cili është duke përcjellur intervistimin e Presidentit Hashim Thaçi nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Cani bën të ditur se intervistimi i Thaçit ka filluar në ora 13:00 dhe është duke vazhduar ende.

“Gjendem para hyrjes së Gjykatës Speciale prej ku ka hyrë presidenti i Kosovës në ora 13:00 dhe ende nuk ka përfunduar intervistimi, orari i punës zgjatë deri në ora 17:00 mirëpo ende nuk kemi ndonjë informacion – jemi në pritje”.

“Në fillim ishte diskutim rreth mbrojtjes së presidentit Thaçi, sipas gjitha gjasave Thaçi ka vendosur të mos mbrohet në heshtje edhe ne po presim të shohim se si ka kaluar dita e parë”.

Cani ka folur edhe për adresimin e Thaçit në media para hyrjes në intervistim.

“Mesazhi i tij (Thaçit) nuk ishte për opinionin e Kosovës por për opinionin ndërkombëtarë duke treguar për luftën që ka bërë për Kosovën dhe se askush nuk mund ta rishkruajë historinë”.

“Sa i përket dukjes së tij nuk ishte dukja më e mirë dhe më e bindshme e tij – por si thash mesazhi i tij ishte për opinionin ndërkombëtarë”, deklaroi Cani.

Cani mes tjerash tregoi se interesimi i mediave nga Kosova e Serbia ishte i vogël.

“Ka pasur njerëz që kanë ardhur nga Belgjika, Holanda dhe vende të ndryshme – por nuk ka qenë mbështetje shume e madhe pasi kanë qenë pak të pranishëm”.

“Ajo që është interesant është se nga Kosova ka pak media por edhe nga pala serbe ka pak media teksa shumica e mediave janë ndërkombëtare. Janë rreth 15-20 media ndërkombëtare që janë duke përcjellur këtë ngjarje”.

Cani mes tjerash nga Haga tregoi se me aq sa dinë tri aktakuza janë dorëzuar dhe pritet që të konfirmohen.

Cani po ashtu deklaroi se në proceset juridike nuk sheh politikë veçse publikimi i aktakuzës është paksa i çuditshëm.

“Parimisht në proceset juridike nuk shoh politikë, por është një koiqidenxë e çuditshme që Prokuroria e publikoi aktakuzën pa e konfirmuar Gjykata pikërisht dy ditë para nisjes në Washington”.

“Unë dua të besojë që Gjykata Speaciale nuk i lejon vetës të politizohet nga askush”, deklaroi Cani.

***

Tashmë kanë kaluar 4 orë e gjysmë që kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hyrë në objektin e Gjykatës Speciales në Hagë.

Deri tani nuk dihet se në çfarë cilësie është ftuar dhe në çfarë cilësie do të përgjigjet presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para intervistimit të tij në Hagë, e ripërsëriti se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër dhe se ftesa e tij, është një njollosje e luftës së UÇK-së dhe se sipas tij, kjo më tepër është propagandë politike, pasi që siç theksoi Thaçi, Kosova është në momentet e saja kyçe politike, pra me dialogun me Serbinë.

Tutje në fjalimin e tij në gjuhën angleze drejtuar edhe medieve të huaja, presidenti Thaçi tha se, do t’i përgjigjet çdo ftese të Gjykatës Speciale për të treguar pafajësinë e tij, Veselit dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë e vendit të tyre.

Thaçi edhe një herë theksoi se ka qenë Sllobodan Millosheviq ai i cili ka kryer krime dhe gjenocid në Kosovë.

Sipas Thaçit, populli i Kosovës ka luftuar për lirinë e tij dhe ka mbrojtur tokat e veta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është paraqitur në Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar, ashtu siç kishte marrë ftesën ditë më parë.

Image

Thaçi tha se beson të drejtësia dhe e vërteta dhe ky ishte çmimi i lirisë që duhet ta paguajë.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA,” deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, një grup mbështetësish të UÇK-së dhe presidentit Hashim Thaçi janë mbledhur jashtë Gjykatës Speciale në Hagë dhe kanë brohoritur emrin e kreut të shtetit, “UÇK” si dhe me pankarta në duar kanë kërkuar drejtësi për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Kujtojmë, se një aktakuzë prej dhjetë pikash është ngritur kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi duke e akuzuar atë për krime që dyshohet se janë kryer në luftën për pavarësi të fundit të viteve 1990, përfshirë vrasje dhe tortura.

Fjalimi i Hashim Thaçit para intervistimit në Hagë:

Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur me shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit.

Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim.

Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për Pavarësinë. Besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është një histori suksesi dhe jam shumë krenar.

Destinacioni i Kosovës është të jetë anëtar i BE-së, NATO-s dhe miqësi të përjetshme me SHBA-të.

Thaçi: I gatshëm që të dal i suksesshëm nga kjo sfidë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të hënën u paraqit në Hagë për intervistim, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Para se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë së Specializuar, Thaçi para mediave tha se beson që nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm.

"Sot jam këtu për të respektuar për atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim", tha Thaçi.

Image
Presidenti Thaçi gjatë prononcimit për media në Hagë.

Sipas Thaçit, askush nuk mund ta rishkruajë historinë, duke shtuar se ky është "çmimi për lirinë".

"Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është storie suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Thaçi.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi ishte ftuar në këtë intervistë.

Avokati mbrojtës i presidentit Thaçi është avokati amerikan Pierre-Richard Prosper.

Prosper ka qenë prokuror në Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së për krime në Ruandë. Ai po ashtu për një kohë të gjatë ka shërbyer si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në pozita të ndryshme, si Këshilltar special dhe këshilltar politik për çështje të krimeve të luftës.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Image
Pranë Gjykatës Speciale në Hagë janë mbledhur një numër i diasporës nga Kosova për të kundërshtuar pretendimet ndaj Thaçit.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

"Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian", ka deklaruar ai.

Pse Thaçi mori një ftesë për intervistë pasi u dërgua aktakuza kundër tij?

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin e specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë prokurorit të specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.

Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për mos zbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Çfarë ka tjetër në aktakuzë?

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

***

Presidenti i vendit Hashim Thaçi është deklaruar për media para fillimit të intervistimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Thaçi nga atje ka thënë që është aty për ta respektuar pavarësinë e Kosovës.

“Zonja dhe zotërinj. Sot jam këtu që të respektojë atë për  çfarë kam ëndërruar , pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Hashim Thaçi arrin në Gjykatën Speciale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka arritur në objektin ku ndodhen Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi do të intervistohet sot nga prokurori i specializuar për kinse krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Para ndërtesës në Hagë tashmë janë mbledhur disa bashkatdhetarë nga diaspora në përkrahje të luftës çlirimtare të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar javë më parë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit, Veselit dhe disa ish ushtarëve tjerë të UÇK-së. Aktakuza ndaj Thaçit mbetet ende e pakonfirmuar nga Dhomat e Specializuara.

Shqiptarët po protestojnë në Hagë

Një grup shqiptarësh janë mbledhur para selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, ku për pak minuta pritet të mbërrijë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për intervistim nga prokurorët.

Protestuesit po mbajnë transparente me mesazhet që kujtojnë krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

“Ne nuk kemi heronj për të sakrifikuar”, “Ne e shohim se nuk ka drejtësi për të gjithë, por nuk kemi besuar se nuk ka fare drejtësi”, “Ky është racizëm” “Çfarë duhet t’u themi fëmijëve të prindërve të zhdukur nga regjimi i Milosheviqit?”, “Ku është drejtësia për 20 mijë gra të përdhunuara në Kosovë nga regjimi serb”, thuhet në disa prej pankartave të protestuesve.

Specialja ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli.

Image

***

Burime të gazetës “Bota sot” nga Haga, kanë njoftuar se kur do të nis intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Në ora 13:00 sipas këtij burimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nis intervistimin nga Prokurori i Gjykatës Speciale në Hagë.

Thaçi në një aktakuzë ende të pakonfirmuar akuzohet nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Në këtë aktakuzë e cila është botuar në media, presidenti Thaçi akuzohet së bashku me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe me 8 persona të tjerë të cilët ende nuk janë bërë të ditur.

Në aktakuzën e cila ende nuk është konfirmuar përveç krimeve të tjra që cekën aty, këta akuzohen edhe për vrasjet politike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat