Pacolli me mesazhe për Kurtin, Osmanin dhe Hotin

Aktuale

Pacolli me mesazhe për Kurtin, Osmanin dhe Hotin

Më: 14 korrik 2020 Në ora: 08:12
Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ka thënë se e vlerëson sjelljen e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e prekjes nga virusi të këtij të fundit.

Pacolli ka thënë se “Kurti kapërceu aradhën e idiotëve që kujtojnë se mbi ndjenjat dhe telashet e dikujt mund të thurin ëndrra për përmbysjet politike të dëshiruara”.

“E vlerësoj shprehjen kalorsiake të solidaritetit njerëzor të Kryetarit të VV-së, Z. Kurti, me Kryetarin e LDK-së, Profesor Mustafën, me rastin e prekjes se këtij të fundit nga COVID-19. Kësisoj ai kapërceu aradhën e idiotëve që kujtojnë se mbi ndjenjat dhe telashet e dikujt mund të thurin ëndrra për përmbysjet politike të dëshiruara. Shoqëria jonë definitivisht duhet ti përngjajë (dhe ashtu duhet të sillet) shoqërive të civilizuara. Ne duhet ti dënojmë rreptësisht çdo fyerje, ofendim e kërcënim, pa marrë parasysh si kanë ndodhë dhe nga vijnë ato”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Po ashtu, Pacolli ka thënë se mbështet miratimin e një ligji anti COVID-19, të propozuar nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

“Jam plotësisht dakord me nevojën për miratimin konsensual të një Ligji anti-COVID ashtu si e kishte propozuar Znj. Osmani dhe AKR e mbështet atë në këtë drejtim. Nga ana tjetër, Kryetarja e Parlamentit, nuk duhet të mbyllë asnjë derë për të hapur një tjetër. Ajo duhet të përfaqësoj unitetin e çdo faktori në Kosovë”, thotë ai.

Kreu i AKR-së, thotë një pjesë të problemeve i atribuohen të ashtuquajturës “Pakos së Ahtisarit”.

“Dhe diçka tjetër: Një pjesë të problemeve tona me serbët i atribuohen të ashtuquajtur “Pakos së Ahtisarit” ku edhe gjendët zanafilla e shumë problemeve që ende kemi me Serbinë. Si dhe pse kanë mbetur ato, nuk duhet të debatohet, i takon të shkuarës, por kësaj radhe i bëj thirrje Kryeministrit Hoti të jetë realist dhe të shkojë i përgatitur në negociatat me palën serbe që aq bujarisht po i organizojnë miqtë tanë amerikan dhe frankogjerman”

“Unë do të doja që Kryeministri mos të shkoj në bisedime me Serbinë i vetmuar, ai duhet të ketë një Platformë, një grup ekspertesh, të ketë konsultime të rregullta me Presidencën dhe faktorin tjetër politik në Kosovë.

Shteti ka vazhdimësi, pavarësisht kush negocion! Madje telashet juridike të Presidentit Thaçi, duhet të përdoren me e forcuar pozitën negociale të Kosovës. Çfarë duhet të sakrifikojë akoma Kosova kur presidenti i saj, udhëheqës politik i luftës, thirret në Hagë”, përfundon shkrimi i tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat