Qeveria mbështet projektligjin për vlerat e luftës, kundër dy ministrat serbë

Aktuale

Qeveria mbështet projektligjin për vlerat e luftës, kundër dy ministrat serbë

Më: 14 korrik 2020 Në ora: 11:46
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar) - Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dhënë mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, thuhet se dispozitat e kësaj fushe nuk janë të rregulluara me legjislacionin e BE-së dhe si e tillë mbetet në kompetencë të rregullimit të brendshëm për vendet e Bashkimit Evropian.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shprehur përkrahjen e saj për projektligjin dhe ka theksuar se miratimi i tij do të kompletojë infrastrukturën ligjore për mbrojtjen dhe respektimin e vlerave të luftës, sakrificën, angazhimin dhe kontributin e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, tha se në pajtim me përfundimin e Kuvendit materiali është i gatshëm dhe mund t’i procedohet Kuvendit të Kosovës.

Selmani: Materiali është i gatshëm dhe mund të procedohet Kuvendit të Kosovës

“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës me datë 08 qershor 2020 ka nxjerrë përfundimin nëpërmjet të cilit i është kërkuar Qeverisë së Republikës së Kosovës që të paraqes mendim lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Ndikimit buxhetor dhe deklaratën për përafrim me legjislacionin e BE-së të këtij projektligji. Në pajtim me përfundimin e Kuvendit materiali është i gatshëm dhe mund të procedohet Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Kundër ka votuar zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq dhe ministri për Komunitete dhe kthim Dalibor Jevtiq.

Qeveria shqyrtoi projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

Qeveria e Kosovës i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës është aprovuar Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocim 2020-2024.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dha detaje për Programin.

"Është përfunduar më herët, por për shkak të pandemisë është dashur të rishikohet. Ky program përmban 103 masa. Buxheti është mbi 11 milionë, mbi 8 milionë janë nga buxheti shtetëror, ndërsa pjesa tjetër nga donatorët", tha ai.

Në këtë mbledhje i është proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

“Është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik te objekteve te cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit ne fshatin Studrntçan të Komuna së Suharekës”, tha ai.

Për këtë ka reaguar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

"Kostoja e shpronësimit të jetë pjesë integrale e buxhetit në përgjithësi. Unë kërkoj edhe një herë organizatave buxhetore që këto kostot e shpenzimet të jenë pjesë integrale e investimit kapital", tha ajo.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi, tha se shpenzimet e shpronësimit do të mbulohen nga Komuna e Suharekës.

"Shpenzimet e shpronësimit do të kryhen nga Komuna e Suharekës", tha ai.

Po ashtu, është bërë edhe ndarja e mjeteve financiare për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë bujqësore nga fatkeqësitë natyrore në Komunën e Suharekës.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, tha se është e nevojshme që të futet në listë edhe Komuna e Suharekës.

"Vendi ynë gjatë këtij viti është përballur me fatkeqësi natyrore që janë dëmtuar bujqit tanë. Kam propozuar të ndajnë mjete 1.87 milionë euro nga buxheti i ministrisë për disa komuna. Propozoj të mbulohen shpenzimet për dëmet edhe në komunën e Suharekës", tha ai.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe kërkesën për emërimin e Koordinatori Nacional për zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri dha sqarime se ky koordinator nuk është sikur në të kaluarën, por që tha se është një pozitë brenda qeverisë për luftimin e ekstremizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat