‘Nuk do të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën në dialogun me Serbinë’

Aktuale

‘Nuk do të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën në dialogun me Serbinë’

Më: 16 korrik 2020 Në ora: 19:25
Ramush Tahiri

Vazhdimi i dialogut në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është paraparë të fillojë sot, ndërsa nikoqir i takimit do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Ky është takimi i dytë pas atij virtual të zhvilluar me 12 korrik, ndërsa pritshmëritë e takimit të sotëm nuk janë të mëdha, nuk pritet të ketë ndonjë nënshkrim apo ndonjë marrëveshje.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë  se në takimin e sotëm Kosova prezantohet në nivelin më të lartë  me kryeministrin dhe se sipas tij Kosova për të parën herë do të bisedoj zyrtarisht në nivel të dy shteteve sepse thotë ai herëve të tjera e kemi pasur të përzier këtë pjesë të prezantimit në Bruksel.

Ai beson se  takimi i sotëm do të jetë në ndërtimin e parimeve mbi të cilat do të vazhdohet dialogu deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Gjithsesi ky dialog është i mirë, do të ketë avancim, Kosova prezantohet në nivel të qeverisë nivelin më të lartë me kryeministrin kurse Serbia prezantohet në nivel të presidentit, sepse e ka kaluar procesin e zgjedhjeve dhe nuk e ka zgjedhur qeverinë e re. Janë caktuar dy tema, si ajo e të pagjeturve dhe e personave të shpërngulur, por do të ketë edhe tema tjera, si kthimin e librave kadastaral, librat e  amzës, të artefakteve, sepse si pasojë e luftës ato janë grabitur janë dërguar në Serbi”, ka thënë Tahiri për Kosova Post.

Tutje Tahiri beson se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit  Hoti dhe presidentit Serb, Vuçiq do të zgjatë, meqë sipas tij pjesa e parë e takimit do të jetë protokollare kurse do të vazhdohet me pjesën konkrete  të prezantimit edhe në nivel ministrash e drejtorëve.

Tahiri, thotë gjithashtu për here të parë takimi dhe biseda e sotme është zyrtare në nivel të dy shteteve sepse Kosova përfaqësohet nga niveli më i lartë, kryeministri.

“Takimi do të zgjatë, sepse përveç pjesës së parë protokollare,  do të jetë edhe pjesa konkrete për atë është edhe ministri i drejtësisë  dhe do të jenë edhe në nivel të drejtorëve dhe nën drejtorëve që bisedohet në raste konkrete. Kjo bisedë është për të parën herë zyrtare në nivel të dy shteteve, sepse  deri tash e kemi pasur të përzier këtë pjesë të prezantimit në Bruksel. Nuk pres që do të ketë ndonjë nënshkrim apo ndonjë marrëveshje, por pres parimet të ndërtohen dhe të krijohet atmosfera që të vazhdojë deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Tahiri nuk beson se në dialog për arritjen e marrëveshjes përfundimtare do të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovë, ndërsa ka theksuar se asnjë zgjidhje nuk do të jetë e imponuar.

“Jo asnjë zgjidhje nuk do të jetë e imponuar, Kosova do të bisedojë me vullnet nuk do të bisedohet për çështje politike sot, do të bisedohet për çështje konkrete, dhe Kosova do të jetë e avancuar karshi Serbisë sepse të gjitha argumentet janë në anën e kosovarëve, dhe Kosova është përgatitur mire. Avdullah Hoti dhe ekipi me të gjitha elementët që do ti prezantojnë atje, do të kemi një zgjidhje për çështjen e të pagjeturve që do të ketë një afat deri kur të hulumtohen dhe të jepet i gjithë dokumentacioni se çfarë ka ndodhë sepse është fakt që edhe kufomat por edhe njerëzit e gjallë janë marrë nga Kosova dhe janë dërguar në Serbi dhe fatkeqësisht asnjë nuk është kthyer i gjallë dhe disa varreza masive janë hapur disa tjera supozohet”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij duhet të krijohet një komision I përbashkët me të drejta ekzekutive që të hulumtojë në mënyrë të pavarur me përkrahjen e BE-së në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Një komision i përbashkët më të drejtë ekzekutive që të hulumtojë mënyrë të pavarur  dhe me përkrahjen e BE-së por edhe me financim. Mendoj që  tash e 20 vite kjo brengë që është tek familjet në fund do të kenë një zgjidhje për më të dashurit e tyre dhe do të punojnë gjykatat deri në zbulimin e krimit”, është shprehur Tahiri.

Sipas tij, të pagjeturit, dëmet e luftës, vjedhja e dokumentacioneve, fondi pensional etj, janë tema të cilat do të diskutohen meqë tani Serbia ka pranuar me synimin e integrimit të saj në BE.

“Ky është një argument për një temë që po bisedohet ndërsa ka edhe tema me të cilat duhet të bisedohet siç janë ato të dëmeve të luftës, vjedhjen e dokumentacionit, fondin pensional invalidor, dhe plot çështje  të tjera që deri tash nuk kemi pasur mundësi ti bisedojmë drejtpërdrejt me Serbinë sepse nuk ka pranuar, ndërsa tani pranon për arsye të hyrjes në Bashkimin Evropian është e gatshme të bisedojë dhe të bëjë kompromise të nevojshme, por ato janë zgjidhje ligjore zgjidhje kushtetuese, dokumentet, librat dhe dokumentacioni policor do të kthehen sepse janë të Kosovës”, ka  thënë Tahiri.

I pyetur nëse Amerika ‘dështoi’  në marrjen e rolit kyç karshi BE-së në dialogun me Serbinë, Tahiri ka thënë se Amerika nuk ka dështuar derisa ka arritur të realizojë tri marrëveshje  si ajo e bashkëpunimit në komunikacionin, ajror, rrugor e hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Amerika i ka tri marrëveshje që është për bashkëpunimin hekurudhor, ajror dhe rrugorë. Vuçiqi është lavdëruar që kur të ndërtohet autostrada e re, serbët nga Gracanica do të shkojnë për një orë. Ne do të kemi investime do të ndërrohet infrastruktura, përmes hekurudhës përmes Beogradit do të lidhemi me hekurudhat Evropiane, dhe gjithashtu transporti i aviacionit. Ne dhe e gjithë bota e ka të ndaluar fluturimin nëpër Serbi për të ardhur në Kosovë, tash ajo ndalesë do të hiqet, domethënë hapet hapësira ajrore”, theksoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat