Rrëfimi i Adelina Thaçit për përballjen me koronavirusin dhe lajmin e rremë se ka vdekur

Aktuale

Rrëfimi i Adelina Thaçit për përballjen me koronavirusin dhe lajmin e rremë se ka vdekur

Më: 17 korrik 2020 Në ora: 17:48
Adelina Thaçi

Këngëtarja, Adelina Thaçi, në një intervistë  ka rrëfyer për betejën e saj me koronavirusin dhe për lajmet e rreme që kanë qarkulluar për të se kinse kishte vdekur.

Thaçi ka treguar për simptomat që ka pasur pasi ishte infektuar me COVID-19. Ajo ka thënë se ka pasur dhimbje të trupit, syve, qafës dhe ka qenë në një gjendje që s’ka mundur të zgjohet në këmbë.

“Kam pasur dhimbje të trupit, syve, qafës. Humbje e shijes dhe apetitit. Dhe kam qëndruar vetëm shtrirë, s’kam mundur që të zgjohem. Vetëm kur kam shkuar tek mjeku për t’u testuar”, ka thënë Thaçi.

Ajo ka treguar se asnjë prej anëtarëve të familjes deri tani s’ka kurrfarë simptomash.

“Deri tash s’kanë asnjë simptoma anëtarët e tjerë të familjes. Në momentin që e kam kuptuar jam izoluar dhe i kam shmangur kontaktet”, ka shtuar ajo.

Adelina Thaçi gjithashtu ka treguar se përveç virusit COVID-19 është përballur edhe me një lajm të rremë që ka qarkulluar derisa ajo ka qenë në vetëizolim.

Siç ka treguar ajo në FRONTAL, disa portale fantome kanë shkruar se si Adelina Thaçi ka ndërruar jetë. Thaçi ka thënë se këto portale s’kanë pasur as adresë dhe që s’janë fare të regjistruara, megjithatë thotë se kishin shkaktuar mërzi në familjen e saj.

“Në njërin portal shkruante që vajza e Rasim Thacit ka humbur jetën. Dhe në tjetrin shkruante: Zi në familjen Thaci. Për këto portalet që kanë shpifur për vdekjen time, janë një numër i vogël ku fatkeqësisht rrejtet sociale po ua mundësojnë të japin dezinformata. Këto portale janë një numër i vogël që skanë as emër, dhe s’janë të regjistruara, për dallim nga portalet tjera që janë profesionale.”, ka treguar ajo.

Thaçi ka thënë se në jetën e saj s’ka parë diçka të ngjajshme që dikush të bëjë dezinformata për jetën e dikujt.

“Unë e di dhe me aq sa kam informacione, këto lajme apo këto portale, mund të shpifin me ndonjë aferë apo të pavërtetë, por asnjëherë s’kam dëgjuar që kanë shkruar për humbjen e jetës së dikujt”, ka shtuar Thaçi.

Adelina thotë se vetë e ka marrë me pozitivitet, por thotë se nëna dhe babai i saj janë shqetësuar.

“E kam marrë me sportivitet. Sa më ka ardhë keq prej njerëzve tjerë. Nga njëri prej portaleve nana ma ka dërguar në Viber. Edhe pse kishte folur me mua në viber, por më tha se ishte rrëqethur. Këtë tjetrën ma dërgoi një zonjë që se njoh, por ajo ishte e shqetësuar, dhe më thoshte t’i tregoj a jam mirë ëme shëndet. Nuk është se është ndjenjë e mirë, por kam qeshur pastaj. Si fytyra publike jemi mësuar me gjera të tilla”, ka rrëfyer ajo.

Derisa ka treguar se edhe babai i saj, humoristi Rasim Thaçi-Cima, ishte mërzitur edhe për shkak të infektimit dhe gjithashtu për shkak të lajmit të rrejshëm.

“Që kur kam rezultuar pozitiv, babi ka qenë shumë i mërzitur dhe kur hasi në këto lajme, nuk fliste shumë. E kuptoja nga heshtja që është shumë i mërzitur. Në këto momente ku jemi, mendoj që e kemi humbur rrugën edhe si popull”, ka theksuar ajo.

Adelina Thaçi ka thënë se pasi të dalë nga izolimi do të shoh se çfarë rruge do të ndjek për portalet që kanë krijuar lajmet e rreme për vdekjen e saj.

“Duam ta kryejmë këtë procedurën e izolimit, dhe do të kërkojmë për pronarin e këtyre dy portaleve, të shohim se cili është problemi, nuk e di çfarë do të ndodh më tutje”, ka përfunduar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat