Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u kthye sot në Kosovë pas intervistimit nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.
Me të hyrë në Kosovë ai u prit si hero, pas organizimit të mbështetësve të tij që ai të pritet si ”Arkitekt i Pavarësisë së Kosovës”.
Në shenjë respekti për veprimtarinë e tij në kohë të luftës, mbështetës të shumtë, atij i dhuruan edhe një flamur me simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këtë organizim, i menjëhershëm qe reagimi i Presidentit Thaçi i cili ka bërë falënderim të veçantë për të gjithë qytetarët, mbështetës të tij që e pritën ndërsa ai u kthye nga Haga pas intervistimit katërditor nga Prokuroria Speciale.
”Një falënderim nga zemra për Ju motra e vëllezër, që në këtë kohë të vështirë jo vetëm për shkak të pandemisë, sot më keni pritur krahëhapur si gjithmonë. Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë qytetarët e Kosovës tonë krenare. Gjithmonë me Ju! HTH (Foto: Astrit Ibrahimi)”.
Ai mbrëmjen e së enjtes, pas katër ditësh përballë prokurorëve të specializuar, konfirmoi se përfundoi intervistimin e tij në Dhomat e Specializuara.
”Sapo përfundova dëshminë time, më vjen shumë mirë që për katër ditë me radhë kisha mundësinë të jap sqarimet për të gjitha çështjet që lidhen me aktivitetin tim gjatë luftës dhe përpjekjet e mia për paqe dhe progres”, ishte deklaruar Presidenti Thaçi me të dalë nga Specialja.
Thaçi deklaroi se gjatë intervistimit të tij katërditor, ishte i shoqëruar nga Pierre-Richard Prosper, në cilësinë e avokatit.
”Dëshmia ime ka zgjatur shumë por konsideroj se kemi pasur seanca produktive”, ishte shprehur Thaçi.
Ish-Drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga e hëna, u intervistua tri ditë nga gjashtë orë derisa të enjten ky proces zgjati më shumë se shtatë orë.
Pas intervistimit të parë gjashtorësh, ai tha se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.
Thaçi ishte deklaruar edhe para se të futej brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar ku ripërsëriti që historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga askush.
Paraqitja e Presidentit Hashim Thaçi në Prokurorinë e Specializuar assesi nuk do të pranohej nga mbështetësit e tij.
Shqiptarë të cilët jetojnë në diasporë, por edhe nga Kosova, mësyn rrugën për në Hagë në pritje të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe aty, para Dhomave të Specializuara, jehonin shqip këngë patriotike për çlirimtarët.
Me mesazhe të shumta dhe kërkesa për ndërkombëtarët, ata mbështetën Presidentin Hashim Thaçi në paraqitjen e tij të sotme, dhe protestuan kundër Gjykatës Speciale.
Në disa prej pankartave që mbanin në duar shiheshin mesazhe si:
”Nuk kemi hero për të sakrifikuar!”, ”Ku është drejtësia për 20 mijë gra të dhunuara nga regjimi serb?”, ”Ku është drejtësia për mbi 13 shqiptarë civilë të vrarë?”.
”Hashimi nuk është thjesht një emër, është simbol i një epoke të ndritur!”, ”Çka do t’iu themi ne fëmijëve të personave të zhdukur nga regjimi i Millosheviqit?”, dhe të tjera.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.
Propozim-aktakuza u bë publike pa një konfirmim paraprak nga gjyqtari i procedurës paraprake, praktikë që nuk ndodh në drejtësinë ndërkombëtare.