Komisioni hetimor kërkon listën e privatizimit nga AKP-ja

Aktuale

Komisioni hetimor kërkon listën e privatizimit nga AKP-ja

Më: 20 korrik 2020 Në ora: 14:53
Pamje nga mbledhja e Komisionit Hetimor

Menjëherë pas konstituimit të Komisionit Hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, të kryesuar nga deputeti Hajrullah Çeku me 11 anëtarë të tjerë pati vlerësime të ndryshme për këtë proces 20-vjeçar dhe u kërkua lista e privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Deputeti Çeku e ka prezantuar draft-planin para anëtarëve për hetimin e të gjithë procesit të privatizimit nga ish-AKM-ja dhe pas saj AKP-ja, gjë që nuk u pajtuan të gjithë me këtë draft.

Ai fillimisht duke kërkuar fokus të veçantë në këtë proces për hetim, tha se pa paragjykuar Komisioni do ta ketë të vështirë që për gjashtë muaj të kryej hetimin e krejt procesit të privatizimit në vend që ka ndodhur që nga pas lufta.

Çeku: Komisioni vështirë do ta ketë hetimin e tërësishme të privatizimit për 6 muaj

“Pa paragjykim, por Komisioni hetimor duhet t’i shtrojë para vetës dhe një herë e përgjithmonë do të duhej t’i jap përgjigje këtij procesi. Bazën e kemi të gjerë, kemi pyetje orientuese, por të tjerat ne jemi të lirë të qartësojmë fokusin. Se realisht 20 vite pune, qindra privatizime, s’di sa valë e të tjera, jo një Komision me gjashtë muaj, po kush e di sa Komisione nuk e kryejnë. Andaj, të jemi të kujdesshëm qysh e qartësojmë fokusin dhe e nxjerrim një mostër reprezentative të vlerësimit të rasteve të cilat na tregojnë storien e përgjithshme të privatizimit në Kosovë”, deklaroi Çeku.

Ndërsa, Gazmend Bytyqi, zëvendëskryesues i komisionit nga radhët e PDK-së, tha se duhet të sqarohet në këtë hetim që nuk ka ish-komandantë të UÇK-së dhe zyrtarë të PDK-së që kanë privatizuar fabrika siç është rasti në regjionin e Ferizajt.

Bytyqi: Asnjë komandat i UÇK-së dhe zyrtar i PDK-së nuk ka privatizuar fabrika në Ferizaj

“Ferizaj ka pasur disa fabrika që kanë qenë mjaft të mëdha dhe gjigante. Nga magjistralja në hyrje të Ferizajt në anën e djathtë nuk e ka privatizuar asnjë komandat i UÇK-së asnjë zyrtar i PDK-së, fabrika e tubave, asnjë komandant i UÇK-së as një zyrtar i PDK-së, fabrikën e bukës asnjë komandant i UÇK-së, asnjë zyrtar i PDK-së, po e njëjta vazhdon edhe me fabrikën e vajit, e të tjera e të tjera. Ferizaj sot e asaj dite nuk ka kinema, është zhdukë ajo pjesë, këtë nuk e ka privatizuar asnjë nga komandantët dhe as nga zyrtarët e PDK-së. Ka shumë e shumë të tjera që ne duhet ta informojmë qytetarin përmes këtij procesi”, tha Bytyqi.

Ndërsa, Liburn Aliu, anëtar nga VV, tha se ky hetim s’ka si mos të jetë politik, pasi në procesin e privatizimit janë përfshire njerëz të politikës.

Aliu: Teknikisht mund të mos gjejmë asgjë, por implikime politike ka në privatizim

“Nëse i hyjmë teknikisht qysh është bërë privatizimi e u shit 5 euro. Qysh u shit 5 euro, por s’patë të tjerë që thotë 6, por ai më i shtrenjti ke 5 euro ari. Edhe kur u shpronësua pastaj ishte interesi publik që autostrada është dashur të kalojë andej dhe u shpronësua ajo pjesë. Pra, të gjitha këto teknikisht dhe proceduralisht i gjen dhe mund të mos del asgjë problematike, ama politikisht është problematike që e ka shkatërruar këtë vend e ka shkatërruar. Pra, ky është politik”, theksoi Aliu.

Po ashtu edhe anëtarja tjetër Doruntinë Maloku nga LDK-ja tha se drafti nuk është i qëlluar pasi ka konstatime, dhe për këtë sipas saj, duhet para muajit gusht të angazhohen edhe ekspertët.

Maloku: Të mos konstatojmë për privatizimin para se ne të fillojmë hetimin

“Nuk po më pëlqen për faktin që ka konstatime. Ideja e Komisionit hetimor është që ne të nxjerrim në fund të Komisionit konstatimet në bazë të raportit me ekspertë intervistat, dëshmitë dhe të tjera. Ky draft do të duhej të ishte një udhëzues sesi duhet të punojmë ne në Komision, por asesi një konstatim për gjendjen para se në të fillojmë hetimin”, deklaroi Maloku.

Edheanëtari i këtij komisioni, Sejdi Hoxha nga PDK pati vërejtje për këtë plan, pasi siç tha drafti pak a shumë është i politizuar. Ai propozoi që të futet në plan sesa janë përmbushur kontratat e privatizimit.

Hoxha: PDK-ja më së shumti është atakuar për privatizim, për këtë kërkojmë hetim

“Ne e kemi iniciuar këtë procedurë, sepse më së shumti është atakuar PDK-ja, me siguri ka edhe prej të tjerave që mund të jenë të përfshira në proces të privatizimit. Pikërisht për ta hequr atë dilemë në opinion ne kemi nis një iniciativë për të themeluar një Komision hetimor që është shumë gjatë. Për mua plani i veprimit është më ngushtë sesa që është kërkesa e Partisë Demokratike e Kosovës. Kërkesa ime është që me hap gjithçka, mos me lënë pa e sqaruar asnjë përqind të procesit të privatizimit në Republikën e Kosovës. Mos me fsheh bash asgjë hiç. Pra, ky plan i veprimit ka kufij më të vogël të veprimit sesa kjo kërkesa që ne e kemi iniciuar. Unë si anëtar i Komisionit nuk mundem të pajtohem nëse plani i veprimit ngushtohet prej asaj që ne kemi kërkuar”, tha Hoxha.

Deputeti Bekë Berisha nga AAK pret që punën e madhe ta bëjnë ekspertët, pasi sipas tij dihet se ka pasur keqpërdorime në këtë proces.

Berisha: Frikësohem që do të dështojmë me këtë hetim

“Kam besim që ekspertët kanë do të na ndihmojnë, që është mirë t’i angazhojmë menjëherë se unë e di, ashtu siç ja nisët ju sot politikisht, edhe nëse vazhdojmë kështu s’kemi me bërë asgjë. Kështu që për të pasur njohuri, duhet vërtet ekspertë të angazhojmë. Pastaj përfshirja e qytetarëve dhe mediave nuk e di sa kemi me qenë efektiv në këtë çështje. Frikësohem që në fund kemi për të ardhur për nga një deklaratë interesante, dhe s’kemi me bërë asgjë. Ose kemi për të gjetur diçka dhe me u marrë vetëm me një pjesë të vogël, sepse këtu dihet që ka pasur keqpërdorime. Kjo është perceptim, por edhe ka diçka. Por, nëse dëshirojmë sinqerisht të kemi rezultat është mirë të kemi konsensus së pari, mos të fillojmë ‘jo UÇK-ja si ka marrë se kjo është iniciativë e PDK-së’, Liburn. Mos mendo që e kanë nis këta këtë punë e s’ta kanë gjetur ty e me thënë: ‘po veç edhe ju’”, thotë Berisha.

Ky komision që është formuar me kërkesë të PDK-së pritet të angazhojë edhe ekspertë hetimorë për privatizim dhe dëshmitarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat