Basha pas takimit me Ahmetin: Asgjë nuk mund të njollosë luftën çlirimtare

Aktuale

Basha pas takimit me Ahmetin: Asgjë nuk mund të njollosë luftën çlirimtare

Më: 21 korrik 2020 Në ora: 09:41
Foto nga takimi

(E plotësuar) - “Shërbimi më i mirë që mund t'i bëjë Shqipëria Kosovës në këtë situatë të vështirë, është që të heq dorë nga protagonizmat e pavend, që është keqpërdorim për konsum të brendshëm”. Kështu ka thënë kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Lulzim Basha tha se nevojitet bashkërendim i plotë dhe i sinqertë i forcave politike të Tiranës e Prishtinës.

Basha: Shqipëria të heq dorë nga protagonizmi

"Angazhimi i parë që kam marrë në këtë vizitë është që bashkërendimi i Prishtinës dhe Tiranës të jetë i plotë, i sinqertë dhe në funksion dhe mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe forcave politike të Kosovës. Ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana larg protagonizmit të pavend dhe larg iniciativave të pa konsultuara të cilat kanë sjellë dëme. Dëme të cilat duhet të rikuperohen përmes një përqasje të tillë, si ajo që siguroi shpalljen e pavarësisë, njohjen e Kosovës masivisht nga anëtarët e komunitetit ndërkombëtar dhe më tej me përparimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik duke u nisur nga heqja e vizave, me anëtarësimin e Kosovës në BE e NATO", ka theksuar Basha.

Ecja përpara me dialogun me qëllim të njohjes reciproke të Kosovës e Serbisë, lideri i opozitës së bashkuar së Shqipërisë tha se shërbehen më mirë me një koordinim të ngushtë midis dy partnerëve strategjikë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Basha: Nuk ka vend për mësimdhënie

"E para një mbështetje e pakushtëzuar dhe e parezervuar për të gjitha forcat politike të Kosovës të cilat kanë akumuluar këto vite një përvojë të shkëlqyer dhe kanë treguar që dinë të përballen me maturi dhe mençuri me sfidat si këto të ngjashme, madje me të rënda se këto. Nuk ka vend për mësimdhënie madje në disa aspekte siç është demokracia dhe zgjedhjet. Dua të theksoj se shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës në këtë moment është heqja dorë nga protagonizmat e pavend që mund të perceptohet që është njëfarë keqpërdorimi i çështjeve të Kosovës për konsum të brendshëm. Dhe vënia në dispozicion e Kosovës i gjithë aspekti administrativ shtetëror, diplomatik të Republikës së Shqipërisë dhe çdo force serioze politike shqiptare", tha ai.

E kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se bashkë me Bashën sot kanë biseduar për situatën politike në Kosovë e Shqipëri. Derisa theksoi se u kërkua koordinim i faktorit politik shqiptar, meqë sipas tij Kosova po kalon në një fazë të vështirë.

Ahmeti: Ndihma e Shqipërisë e domosdoshme

"E theksova edhe një herë që tashmë nevojitet një kohezion bukur i mirë i faktorit politik, së pari brenda shtetit të Kosovës, një koordinim i faktorit politik shqiptar në përgjithësi dhe këtu nuk nënkuptojmë vetëm partitë politike që janë në pushtet në Shqipëri, por edhe opozitën dhe gjithë ata të cilët kanë obligim për të qenë më të koordinuar në muajt në vijim. Ky është vit vendimtar por kjo është periudhë e vështirë për Kosovën edhe në aspektin e politikës së jashtme jo vetëm sa i përket gjykatës por edhe në përgjithësi sa i përket dialogut që tashmë po zhvillohet gati se në mënyrë paralele në Uashington e në Bruksel. Është periudhë e vështirë, po e saktësoj po t'i shtohet edhe çështja e problemeve ekonomike shëndetësore që i kemi për shkak të pandemisë, e pastaj edhe krizën politike, mendoj se ndihma e Shqipërisë tani është më e domosdoshme se kurrë", ka deklaruar Ahmeti. 

***

Pas takimit me kryetarin Shpend Ahmeti, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se angazhimi i parë që kam marrë në këtë vizitë është që bashkërendimi të jetë i plotë edhe me forcat politike në Kosovë, larg protagonizmave të pavend.

Ai tha se për proceset e rëndësishme si ai i dialogut me Serbinë kërkohet një bashkërendim mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

"Një mbështetje totale e pakushtëzuar ndaj forcave politike në Kosovë. Nuk ka vend për mësimdhënie. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës është heqja dorë nga protagonizmi i pavend, që është shfrytëzuar për konsum të brendshëm", ka shtuar Basha.

Në lidhje me propozim-aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Basha theksoi se askush dhe asgjë nuk mundet ta njollos luftën çlirimtare që ishte luftë mbrojtjeje ndaj agresorit.

Ndërsa, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti pasi falënderoi Bashën për vizitën u shpreh se nevojitet një kohezion i faktorit politik shqiptar. Sipas tij, ky është një vit vendimtar për Kosovën, jo vetëm sa i përket dialogut e gjykatës, por është periudhë e vështirë për Kosovën.

***

Ahmeti tha se ndihma e Shqipërisë është më e domosdoshme se kurrë.

Lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha po vazhdon takimet në Kosovë.

Kështu këtë mëngjes ka filluar takimi kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Pas përfundimit të takimit, pritet që Ahmeti dhe Basha të deklarohen për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat