Në “forumin e liderëve” asnjë lider partie, Hoti thotë se mori mbështetje për dialogun

Aktuale

Në “forumin e liderëve” asnjë lider partie, Hoti thotë se mori mbështetje për dialogun

Më: 21 korrik 2020 Në ora: 10:23
Pamje nga takimi

(E plotësuar) - Dy ditë para takimit të radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Avdullah Hoti ka tentuar të mbledh liderët e gjitha partive politike. Por atij i janë përgjigjur vetëm katër parti parlamentare, liderët e të cilave kanë dërguar përfaqësues të ulët politik.

Pa praninë e dy partive më të mëdha opozitare, LVV dhe PDK, Hotit në objektin qeveritar, i erdhi në takim bashkëpartiaku i tij në LDK, Agim Veliu, ministri i Drejtësisë nga AAK, Selim Selimi, sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, si dhe anëtari i AKR-së, Jetlir Zymberaj.

Përveç ish-deputetit të Nismës, të gjithë këta, përfshirë kryeministrin Hoti refuzuan të deklaroheshin para mediave, përkundër pritjes rreth dy orëshe.

E sekretari i Nismës, Bilall Sherifi pas takimit theksoi se Kosova nuk duhet të rrëshqas në dialogun teknik, pasi kjo sipas tij e zvarrit procesin përfundimtar të njohjes reciproke.

Sherifi: Mos të rrëshqasim në dialog teknik

“Në emër të Nismës kërkova që Qeveria e Kosovës, kryeministri t’i qëndrojë këtij zotimi që e kemi pasur nga fillimi i krijimit të këtij koalicioni. Mos të rrëshqasim në dialog teknik, do të ishte gabim nëse Kosova kthehet në vitin 2011. Po, dialog për tema të veçanta në funksion të zgjidhjes të çështjes dhe raportit të Kosovës dhe Serbisë, e jo të hyhet në proces të pafund siç ju e dini më mirë se ne, se përcillni zhvillimet politike. Ajo këtë ka dëshirë që të fillojë një proces i pafund dhe Serbia të ecë drejt kapitujve të ri, ndërsa Kosova të mbetet edhe në nivelin e mos liberalizimit të vizave. Kjo ishte ajo që thash në emër të Nismës, kryeministri u zotua se nuk do të rrëshqas në dialogun teknik, por që gjithsesi duhet të bisedohet për të gjitha këto tema në funksion të njohjes reciproke. Nëse nuk ka marrëveshje për njohje, nuk ka marrëveshje për asgjë”, tha ai.

Përkitazi me këtë, Sherifi u shpreh se partia e tij nuk mendon se duhet të ecur në rrugën e emërimit të një koordinatori për dialogun, nëse fushëveprimtaria e tij është që të merret me dialogun teknik.

Sherifi: Nisma nuk mendon se duhet të ecet në atë rrugë

“Modalitetet që i kemi pasur më herët na kthejnë në dialog teknik, këto nuk është ajo që i duhet Kosovës. Se cili do të jetë mandati dhe detyrat e një koordinatori mbetet t’i shpjegoj kryeministri së pari, partnerëve të koalicionit, opozitës e pastaj qytetarëve. Se a është ajo rruga që duhet të ndjekur së pari duhet të vendosin zotëri Mustafa, zotëri Limaj, Haradinaj dhe në bashkëpunim me kryeministrin. Nisma nuk mendon se duhet të ecet në atë rrugë, se jemi të sigurt se kemi të bëjmë me të njëjtin film që kemi parë prej vitit 2011 dhe kemi të bëjmë me të njëjtit aktor dhe regjisor”, shtoi Sherifi.

Kryeministri Hoti që zgjodhi rrjetin social Facebook për t’u deklaruar pas këtij takimi, tha se “ky proces duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke”.

“I tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim. Të gjithë përfaqësuesit e partive politike të vendit të përfaqësuara në këtë forum, sot dhanë mbështetje të plotë për procesin e dialogut politik me Serbinë”, përfundoi Hoti.

Përfundon takimi i Hotit me përfaqësuesit politikë

Ka përfunduar takimi mes të kryeministrit, Avdullah Hoti dhe disa përfaqësuesve të partive politike.

Anëtari i kryesisë së Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi para gazetarëve tha se Kosova nuk duhet të rrëshqas në dialog teknik, derisa nuk konfirmoi nëse shefi i ekzekutivit iu ka paraqitur koordinatorin për dialog në këtë takim.

Për dallim prej anëtarit të Nismës, ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu nuk u prononcuan për medie.

Këtë takim e refuzuan dy partitë opozitare, LVV-ja dhe PDK-ja.

***

Derisa po kalon ora e parë e takimit të paraparë të kryeministrit, Avdullah Hoti me liderët politikë, atij i janë përgjigjur pozitivisht vetëm përfaqësues të AAK-së dhe AKR-së. Derisa ende nuk janë parë duke hyrë në objektin qeveritar zyrtarë nga Nisma.

Partia e Ramush Haradinajt ka dërguar për këtë takim, Ahmet Isufin dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

Kurse për këtë takim ka ardhur edhe nënkryetari i LDK-së, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Forumin e ashtuquajtur të liderëve, më herët gjatë ditës e kanë refuzuar dy partitë opozitare, LVV dhe PDK.

Ky takim po mbahet me qëllim të informimit të partive politike nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti rreth Samitit të Parisit dhe rifillimit të dialogut.

***

Ka nisur takimi i liderëve të partive politike, i ftuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Në këtë takim ku do të flitet rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nuk po marrin pjesë partitë opozitare LVV e PDK.

Duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë janë parë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe ai i Drejtësisë, Selim Selimi.

Mediat nuk janë lejuar të marrin pamje nga takimi.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar sot sërish liderët e të gjitha partive politike në vend për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Takimi do të mbahet në orën 12 në zyrën e kryeministrit, Hoti.

Takimi do të mbahet i mbyllur për media e as pamje nuk do të kenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat