A e telefonoi kryetarin Isa Mustafa pasi u konfirmua me Covid-19, tregon Osmani

Aktuale

A e telefonoi kryetarin Isa Mustafa pasi u konfirmua me Covid-19, tregon Osmani

Më: 21 korrik 2020 Në ora: 22:46
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha pavarësisht se u shkarkua nga partia e saj nga posti i nënkryetares nuk ka asnjë inat personal me asnjë nga bashkëpartiakët, përfshirë edhe kryetarin Isa Mustafa.

Ajo madje tha se menjëherë ka kontaktuar Mustafën për pyetur për shëndetin e tij pasi u infektua me koronavirus dhe kritikoi zërat që thanë se ajo nuk u interesua për të.

“E kam kontaktuar dhe kam folur me të qysh kur u njoftua për shëndetin e tij. Është qesharake që ata kur shkruajnë statuse për shëndetin e tij, kur Mustafa ishte i sëmurë më 2017 ishin ata që më thoshin hajde shfrytëzoje situatën. Është e pabesueshme se sa të pafytyrë janë disa njerëz. Vinin në zyre dhe e shfrytëzonin këtë mënyrë. Natyrisht që edhe atij dhe të gjithë deputetëve i dëshiroj shëdet të mirë. Nuk duhet që raportet tona të këqija politike të ndikojnë edhe në personale”, tha Osmani.

Megjithëse tha se nuk ka mëri personale me bashkëpartiakët, Osmani në Klan Kosovës, tha se shkarkimi i saj është akt turpi.

“Unë nuk jam më e pozicionuar në LDK sepse jam përjashtuar nga pozitat udhëheqëse brenda LDK-së. Jam përjashtuar nëpërmjet një akti të turpshëm duke u keqpërdorur situata e pandemisë me një mungesë transparence të plotë, sepse unë akoma nuk më janë dhënë votat e delegatëve, as përgjigje zyrtare asnjëherë nga askush”.

“Nëse votohet përmes e-mailit mundësia e keqpërdorimeve është jashtëzakonisht e madhe. Atë ditë ka qenë afati që të votohet deri në orën 19:00 në mbrëmje, ndoshta duhet të përgjigjen përse disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm janë thirrur pas orës 19:00 në mbrëmje. Janë gjëra që vetë anëtarët e Këshillit mua m’i thonë. Nuk dua t’i dëmtoj ata dhe të flas me emra sepse nuk është ky synimi im, por dua ta shpreh falënderimin tim për 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm nga 130 sa janë që s’u bënë pjesë e një akti të turpshëm historik. LDK-ja kurrë në historinë e saj nuk e ka përjashtuar askënd”, deklaroi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat