Shërbimi ushtarak i detyrueshëm mbetet si ide, duhen vite për t’u realizuar

Aktuale

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm mbetet si ide, duhen vite për t’u realizuar

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 15:01
Ilustrim

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm, premtim ky edhe i qeverisë Kurti dhe asaj aktuale, po mbetet vetëm si ide. Ani pse ende vazhdon plani i këtij shërbimi, deri më tani nuk ka pasur ndarje buxhetore. Për këtë po thuhet se nevojitet kohë deri në zbatueshmëri.

Të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, iu janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ndërkohë që mediat nuk janë lejuar të përcjellin këtë mbledhje të komisionit, kryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për KosovaPress tha se Kosova ka nevojë për shërbim ushtarak.

Mulhaxha-Kollçaku: Qeveria aktuale vazhdon ta ketë si temë shërbimin ushtarak

“Ajo që u kuptua nga vet ministri është që edhe qeveria aktuale, në programin e vet qeverisës vazhdon ta ketë si temë shërbimin ushtarak të rregullt, sepse ishte një dilemë se është hedhur si ide. Meqenëse kjo ide ishte pjesë e programit qeverisës filloi nga qeveria Kurti. Dhe ajo çfarë u kuptua në bazë të pyetjeve të deputetëve është që si ide vazhdon. Mirëpo pritet që në qoftë se vazhdon të jetë ide, ne nuk kemi parë që është bërë ndarje buxhetore në këtë drejtim. Dhe pra një ide për t’u realizuar apo një qëllim, atëherë duhet të fillojë hap pas hapi të realizohet. Pra edhe nga qeveria Kurti kjo nuk ka qenë çështje ditësh, duhet disa vite për t’u realizuar. Mirëpo duhet filluar edhe me ndarjet buxhetore edhe me krijimin e infrastrukturës”, ka deklaruar ajo.

Pas mbledhjes së Komisionit për Siguri, deputetja opozitare nga Lëvizja Vetëvendosje tha se FSK ka pasur ulje të buxhetit gjatë këtij viti, ku sipas tij ka nevojë për një shumë të tillë.

Mulhaxha-Kollçaku: Sfidë për FSK-në mbetet shkurtimi i buxhetit

“Siç u tha sot këtu nga FSK për këtë vit kanë shkurtim të buxhetit dhe kjo u paraqit po ashtu si sfidë. Diku rreth 5 milionë e 500 u tha se kanë shkurtim. Ndërsa ata paraqiten pikërisht nevojë për shtesë për një shumë të tillë. Dhe ne biseduam për të ardhmen edhe të FSK- së dhe vetë Ministrisë së Mbrojtjes se si do ta vazhdojmë bashkëpunimin ne si komision dhe ministria përkatëse”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Komisionit për Siguri Mulhaxha-Kollçaku tha se të rinjtë e Kosovës kanë nevojë për njohuritë bazike, duke theksuar se për vendin është i domosdoshëm shërbimi ushtarak i detyrueshëm.

Mulhaxha-Kollçaku: Ne kemi nevojë për shërbim ushtarak të rregullt

“Askush nuk mund ta kundërshtojë që ne kemi nevojë që së paku edhe njohuritë bazike t’i kenë të rinjtë tanë. Ne gjithmonë, pra strategjia e Kosovës është mbrojtja, asnjëherë nuk ka qenë kërcënim për një vend tjetër. Është shumë e qartë se ka shumë modele nga shtetet që janë anëtare të NATO-s”, ka shtuar ajo për KosovaPress.

I pari i FSK-së, Rrahman Rama gjatë mbledhjes së komisionit ka folur edhe për të infektuarit ushtarë, derisa ka thënë se numri i tyre është minimal, nuk ka treguar shifër të saktë të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat