​PDK-ja kundër shitjes së IPKO-s te Telekom Serbia, kërkon llogari nga Kurti e Hoti

Aktuale

​PDK-ja kundër shitjes së IPKO-s te Telekom Serbia, kërkon llogari nga Kurti e Hoti

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 15:58
Bajrush Xhemajli

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka thënë sot në konferencë për media se përpjekja e Telekom Serbisë për blerjen e Operatorit PKO si pjesë e Telekom Sllovenia përbën rrezik të madh dhe cenon rëndë sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës.

Xhemajli tha se është shqetësuese se gjithë këtë ngjarje deri më tani e ka përcjellë heshtja e vazhdueshme e institucioneve të shtetit të Kosovës, duke përfshirë qeverinë e kaluar të Albin Kurtit dhe qeverinë aktuale të Avdullah Hotit.

Xhemajli: Qeveria Kurti dhe Hoti, nuk kanë bërë as edhe një lëvizje të vetme

“Është shqetësuese se gjithë këtë ngjarje deri më tani e ka përcjellë heshtja e vazhdueshme e institucioneve të shtetit të Kosovës. Qeveria Kurti dhe tani qeveria Hoti, nuk kanë bërë as edhe një lëvizje të vetme për të ndaluar këtë skenar të rrezikshëm për Republikën e Kosovës. Institucioni përgjegjës, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, nuk ka ndërmarrë edhe as një hap të vetëm ligjor e institucional ndaj kësaj ngjarje, duke qenë bashkëfajtor me qeverinë Kurti dhe Hoti për rrezikimin e sigurisë kombëtare”, tha ai.

Deputeti Xhemajli, ka kërkuar që kryeministri të fton urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të analizuar e parandaluar qasjen e Serbisë në telekomunikimin e Kosovës, përmes blerjes së operatorit IPKO.

Xhemajli: Kryeministri të fton urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

“Që kryeministri të fton urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të analizuar e parandaluar qasjen e Serbisë në telekomunikimin e Kosovës, përmes blerjes së operatorit IPKO. Të njoftohet Telekomi i Sllovenisë dhe shteti i Sllovenisë që IPKO nuk mund të blihet nga shtetet që kanë qasje armiqësore ndaj Kosovës. Çdo tentim për të vazhduar këtë proces, do të konsiderohet sulm ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha ai.

PDK-ja vlerëson se me realizimin e mundshëm të këtij skenari kriminal e të rrezikshëm, Serbia krijon qasje në telekomunikimin e Kosovës.

Andaj kërkon edhe nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës, që urgjentisht të ndërmarrë masat në përputhje me mandatin e tyre ligjor.

Ndërsa kërkon llogari nga ish-kryeministri Kurti dhe kryeministri aktual Hoti për injorimin e kësaj çështjeje.

Në fund Xhemajli ka siguruar qytetarët e vendi se PDK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që Telekomi i Serbisë ta blejë IPKO-n, duke theksuar se koha e Serbisë në Kosovë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, në qershor të vitit 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat