Qeverisë Hoti i kërkohet të ndërhyjë në Telekom për ta privatizuar për 24 muaj

Aktuale

Qeverisë Hoti i kërkohet të ndërhyjë në Telekom për ta privatizuar për 24 muaj

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 16:00
Telekom

Rrogat e korrikut nuk do t’i marrin 3500 punëtorë të Telekomit. Bllokimi i llogarive e urdhri për përmbarim e ka çuar drejt falimentimit atë që dikur ishte kompania më profitabile për shtetin. Qeveria nuk ka bërë ende zgjidhje, derisa, tashmë ky institucion ka mbetur edhe pa bord. Për pasojat që do t’i sjell Kosovës situata me Telekomin  kreu i Odës Ekonomike Berat Rukiqi dhe kryesindikalisti Lamih Balaj.

Takimi që kryeministri Avdullah Hoti e ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi e mbajtën ditë më parë në qeveri larg syrit të mediave me zyrtarë të Telekomit e me shefin e Dardafonit, Blerim Devollin nuk solli ndonjë zgjidhje.

Detaje për opinionin nuk u dhanë as pas takimit, megjithatë, Qeveria e fajësoi për dështimin e gjetjes së një zgjidhje Bordin e Telekomit që ishte emëruar nga ish -kryeministri Albin Kurti.

“Bordi i Telekomit u deklarua se nuk dëshiron të futet në asnjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit, edhe nëse Qeveria e Kosovës i jep mbështetje”, tha ministri Kuçi, duke deklaruar se propozimi i ekzekutivit ishte që të shtyhej shlyerja e borxhit deri me një afat të caktuar.

Pak orë pasi takimi përfundoi pa rezultate, u publikua edhe afati 60 minutësh që përmbaruesi që përfaqëson Dardafonin ia dha bankës Raiffeisen që nga llogaria e Telekomit të Kosovës të bëjë ekzekutimin e borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimet e procedurës përmbarimore, shpenzimet kontestimore dhe zbatimin e efikasitetit të Zyrës Përmbarimore.

Pasi përmbaruesi ia zbrazi llogaritë kompanisë publike, nga ky  institucion dhanë dorëheqje edhe Bordi që ishte emëruar nga ish’kryeministri Albin Kurti. Në letrën e tyre nisur për kryeministrin Avdullah Hoti ata kanë paraqitur edhe gjendjen në të cilën e kanë gjetur ndërmarrjen.

Nga sindikata ndërkaq bëjnë me dije se në llogari të Telekomit në momentin e përmbarimit kishin qenë rreth 3.5 milionë euro.

Kreu i Sindikatës së PTK’së, Lamih Balaj ka thënë se në mesin e këtyre të hollave ishin edhe paratë që kishte ndarë qeveria për rimëkëmbje për shkak të pandemisë.

“Përmbaruesi i ka dhënë urdhëresë derisa të arrihet shuma që i duhet në arbitrazh që të mos lejohen llogaritë. Janë konfiskuar rreth 3.5 milionë, në mesin e këtyre mjeteve janë edhe këto që i ka dhuruar qeveria për rimëkëmbje për shkak të pandemisë. Jo vetëm paratë e Telekomit por edhe të Qeverisë për rimbëmbje janë marrë nga llogari”, ka thënë Balaj.

Protesta e Sindikatës para Qeverisë

Në tërësi borxhi i Telekomit ndaj Dardafonit kap shumën prej 26,789,532,62 euro.  24,684,003,15 Euro në emër të borxhit kryesor, 2,150,00 euro në emër të shpenzimeve konstestimore, 871,40 euro në emër të shpenzimeve të procedurës përmbarimore.374,001,14 euro në emër të efikasitetit për zbatim të përmbarimit dhe shumën prej 1,728,506,93 euro në emër të kamatës ligjore.

Duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë nga Qeveria, Sindikata e Telekomit ka dalë në protestë para ekzekutivit duke kërkuar zgjidhje. Me pankartat “Më mirë të na vrasë koronavirusi se sa Blerim Devolli”, punëtorët e kësaj ndërmarrje thanë se familjet do të ju mbesin pa bukë, nëse nuk gjendet zgjidhje.

Kryeministri Hoti pas kësaj proteste i ka pritur sindikatën duke ju kërkuar që të vazhdojnë punën me shërbime, e duke ju premtuar zgjidhje të shpejtë.

Derisa nuk është prezantuar ndonjë plan konkret që do të mund të parandalonte falimentimin e kompanisë publike, nga Oda Ekonomike kanë propozuar disa hapa për Qeverinë.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Kreu i OEK’ut, Berat Rukiqi në një përgjigje  ka thënë se asnjë zgjidhje për Telekomin nuk do të jetë e lehtë dhe pa dhimbje.

“Asnjë zgjidhje për Telekomin nuk është e lehtë dhe pa dhimbje. Edhe asnjë zgjidhje nuk duhet të kërkohet me akuza dhe kundër akuza politike”, ka thënë Rukiqi, duke propozuar edhe 7 hapa për institucionet.

“ Telekomi të deklaroj insolvencën financiare dhe të kërkoj moratorium për pretendimet e debitorëve, në një afat 12 mujor; Per një afat 12 mujor të programoj kryerjen e obligimeve, për palët jashtë kompanisë; Me propozim të Bordit dhe me miratim nga aksionari te miratohet një skeme e pensionimit të parakohshëm; Të ulen shpenzimet operative në vlerë deri 30%, me zvogëlim të pagave të stafit dhe shkëputje të kontratave te të gjithë stafit të punësuar pa konkurs dhe pa procedura te rregullta; Qeveria t’i jep garanci sovrane kompanisë, për te lehtësuar aplikimin për kredi investive për pajisjet e domosdoshme që mundësojnë ruajtjen e operacioneve bazë; Të përgatitet dosja e tenderit për privatizim dhe të bëhen përpjekje për të gjetur blerës brenda 24 muajve te ardhshëm; Përmes një fondi te veçante të Aksionarit të financohet mirëmbajtja e rrjetit dhe pajisjeve”, ka thënë Rukiqi për gazetën.

Telekomi i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me Dardafonin e Blerim Devollit në vitin 2009-të. Në kontratë dy palët ishin darkoduar që Z-Mobile të përdorte infrastrukturën e Telekomit, për të nisur biznesin e ri.

Sipas marrëveshjes, Dardafoni merrte 78 përqind të fitimeve, derisa, Telekomi 22 për qind. Kontrata kishte përfunduar në Arbitrazh, kur e njëjta sipas Devollëve nuk u respektua nga kompania publike. Përplasja kishte nisur nën akuzat e mos ndarjes së numrave 3G dhe 4G për Z -Mobile, ashtu siç ishte paraparë në kontratë.

Gjykata e Arbitrazhit në vitin 2016-të kishte vendosur në favor të Devollëve. Ajo obligonte Telekomin që të paguante borxhin prej 32 milionë euro.

Kontrata në mes palëve nuk u vazhdua në korrik të vitit të kaluar, gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj. Atëherë palët ishin munduar që të gjenin një zgjidhje për të shlyer borxhin ku përmes një marrëveshje një shumë e caktuar e parave të ju ekzekutohej në llogari të Dardafonit çdo muaj. Çështja kishte mbetur në gjykatë dhe pa zgjidhje deri në vendimin përfundimtar ku urdhërohej përmbarimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat