“Situata në Kosovë po përkeqësohet”

Aktuale

“Situata në Kosovë po përkeqësohet”

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 00:03
Foto ilustrim

Anesteziologu Lulzim Emini ka thënë në Interaktiv të KTV-së se gjendja pandemike në Kosovë po përkeqësohet.

Ai ka treguar se qysh në mars ishte folur për përhapjen me progresion gjeometrik të pandemisëe.

“Qysh gjatë marsit, kur u fol për rastet e para është paralajmëruar se kjo pandemi dhe mënyra e përhapjes së saj, tregon që përhapet me progresion gjeometrik, ose ta thjeshtojmë që një i infektuar mund të infektojë deri në 36 persona dhe ata 36 persona vazhdojnë të infektojnë nga 36 tjerë”, e ka shpjeguar ai.

Emini u është referuar paralajmërimeve të ekspertëve ndërkombëtarë lidhur me përballimin e pandemisë nga institucioneve shëndetësore.

“Ata thonin që do të vijë situata kur brenda ditës, ose brenda 4-5 ditësh do të dyfishohet numri i të sëmurëve. Pra 3 muaj mund të mos kesh shumë të sëmurë, por brenda javës mund të dyfishohet”, ka thënë ai.

Ai u është referuar statistikave të shteteve të ndryshme, në të cilat brenda një javë është dyfishuar numri i të sëmurëve.

“Nëse ne e shohim numrin e të vdekurve te ne në Kosovë, në fillim të qershorit kemi pasur 30 deri në 32 të vdekur. Sot kemi 185. Situata është duke u përkeqësuar përherë dhe ne si shtet… sistemi i shëndetësisë në Kosovë nuk është mëkëmbur asnjëherë në nivele të dëshiruara dhe për këtë arsye, për hir të këtij sistemi, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i respektojmë këto masa”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat