Deputeti i VV-së konfirmon: Jam sulmuar befasisht nga Arben Gashi dhe Kujtim Shala i LDK-së

Aktuale

Deputeti i VV-së konfirmon: Jam sulmuar befasisht nga Arben Gashi dhe Kujtim Shala i LDK-së

Nga: A.Zh Më: 28 korrik 2020 Në ora: 15:37

(E plotësuar) - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Gazmend Gjyshinca, ka thënë se është sulmuar fizikisht nga Arben Gashi dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai ka treguar se incidenti ka ndodhur pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ku pati përplasje mes deputetëve, përcjell Bota sot.

Gjyshinca ka thënë se dëshmi për këtë janë edhe incizimet.

“I gjendur në befasi në korridor, pas përfundimit të mbledhjes, jam sulmuar fizikisht nga deputetët Kujtim Shala dhe Arben Gashi. Kujtimit si koleg i Komisionit, edhe gjatë debatit, brenda Komisionit iu kam drejtuar me konsideratën më të lartë si profesor e akademik. Poashtu nuk qëndrojnë raportet në media se kinse kam përdorur një fjalor të paarsyeshëm. Për këtë janë incizimet dhe të gjitha faktet”, ka deklaruar deputeti i VV-së.

Pacolli: Na sulmuan në korridor, kishte kacafytje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës,  pjesë e komisionit parlamentar për Punë të Jashtëm, Fitore Pacolli ka thënë se janë sulmuar në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi.

Ajo ka thënë se qysh në fillim të mbledhjes ku po raportonte ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj, ka pasur tendencë për t’i ndalur, e mos lejuar të bëjnë pyetje.

“Na sulmuan në korridorin e ndërtesës së kuvendit jashtë sallës ku ne mbajtëm takim. Këto tregojnë se këta kanë kaluar në një stad ku nuk mund të na durojnë sepse kanë hyrë në një rrugë pa krye. Unë sapo kam parë që janë kthyer deputetët Shala e Gashi, e pas tyre qëndronte edhe Dorentina Maloku,kur e poash që ka kacafytje jam kthyer për të parë se çka po ndodh”, tha Pacolli.

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Gazmend Gjyshinca deklaroi se është sulmuar pas mbledhjes së këtij komisioni në korridoret e Kuvendit nga deputetët e LDK-së, Kujtim Shala dhe Arben Gashi.

Ai tha se kishte qenë i fundit që kishte dalë nga salla ku po mbahej mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe ishte pritur në korridor nga deputetët e LDK-së të cilët e kanë sulmuar fizikisht.

Gjyshinca tha se nuk ka provokuar dhe nuk ka nxitur dhunë, përkundrazi, sipas tij, deputetëve të LDK-së i është përgjigjur me mirësjelljeje.

Ai tha se është sulmuar në krahun e djathtë. Aty ka qenë e pranishme edhe autoambulanca, që Gjyshinca tha se është thirrur nga Policia e Kosovës.

"Sa i përket autoambulancës është procedurë që e ka nisur nga Policia e Kosovës e cila gjendet në grupin parlamentar, ne do e paraqesim rastin. Unë kam marrë lëndime, kanë tentuar qe të më gjuajmë në hollin e kuvendit. Shikoni edhe mbledhjen e komisioni dhe incizimet që janë bërë në korridor. Ambulanca është si shkak i procedurës së policisë. Për këtë e kam njoftuar edhe zonjën Vjosa Osmani për këtë incident", tha ai.

Gashi mohon të ketë pasur incident

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka mohuar që të jetë përfshirë në një incident brenda Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka pasur asnjë incident”, ka thënë Gashi.

Burime nga Lëvizja Vetëvendosje pretendojnë se brenda Kuvendit janë përplasur Arben Gashi dhe Kujtim Shala me deputetin e tyre, Gazmend Gjyshincën.

E gjitha ngjarja sipas tyre thuhet të ketë ndodhur pas një debati të tensionuar në Komisionin për Punë të Jashtme.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadriaj, madje për shkak të tensioneve ishte detyruar që të ndërpriste mbledhjen e Komisionit.

***

Një incident ka ndodhur pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme.

Disa burime kanë bërë të ditur se pas kësaj mbledhjeje, deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca, është përfshirë në një përplasje me deputetët e LDK-së Arben Gashi dhe Kujtim Shala.

Paraprakisht Shala dhe Gjyshinca kishin pasur edhe një përplasje në Komision.

“Dua të lidhem shkurt me profesorin akademikun e nderuar Kujtim Shalën që është edhe deputet. Z. Shala ju jeni profesor edhe e dini rëndësinë e parimit. Pse jemi kaq keq është për shkak të mungesës së parimeve, rri aty…”, kishte thënë Gjyshinca në komision.

“Ti po më kallëzon a”, i është përgjigjur Shala.

Vetëvendosja për të folur lidhur me këtë temë ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat