Të mbijetuarat e dhunës seksuale kërkojnë të përfshihen në dialogun me Serbinë

Aktuale

Të mbijetuarat e dhunës seksuale kërkojnë të përfshihen në dialogun me Serbinë

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 13:39
Feride Rushiti

“Shpresë e vdekur” është për të mbijetuarat e dhunës seksuale, se një ditë shteti serb do të pranojë krimet e përjetimet makabre që ua shkaktoi rreth 20 mijë kosovarëve.

Megjithatë, përfaqësues të 20 mijë zërave të padëgjuar të grave e burrave të cilët i mbijetuan dhunës seksuale, këmbëngulin që në tavolinën përballë Serbisë, Kosova të përfaqësohet nga kjo pjesë e dëmtuar e shoqërisë. Në të kundërtën, sipas tyre nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se prapa atyre viktimave fshihen me mijëra familjarë që për më shumë se dy dekada kërkojnë drejtësinë e mohuar.

“Prapa atyre 20 mijërave fshihen edhe mijëra familjarë të cilët edhe sot rënkojnë për fatin e tyre. Edhe sot nuk ka drejtësi për kriminelët të cilat e kanë ushtruar këtë krim gjatë luftës. Prandaj mendojmë që dialogu është i mangët vetëm me adresim e disa grupeve, ndërsa të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës nuk paraqiten ose nuk diskutohen se si të procesohet me to”, deklaron Rushiti.

Rushiti kërkon nga kryeministri Avdullah Hoti që të jetë në bashkëpunim të ngushtë me organizatat të cilat i përfaqësojnë dhimbjet e 20 mijë grave e burrave të cilat janë dhunuar gjatë luftës. Kështu sipas saj, do të adresohen sa më qartë kërkesat e Kosovës në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“E para çka duhet të kërkohet është qasja në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale, dhe pa pasur një bashkëpunim të mirëfilltë mes të dyja këto shteteve ne e dimë mirëfilltë që nuk mund të realizohet drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kërkesë kjo tani 20 vjet me radhë që vazhdon të jetë e të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre. Përtej kësaj është reperacioni duhet të jetë pjesë e diskutimit për faktin që ata ndërkombtarisht janë të obliguar të paguajnë dëmet të cilat i kanë shkaktuar gjatë luftës dhe në veçanti për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kërkim falja publike po ashtu duhet të jetë pjesë e diskutimit, për faktin që kjo do të thotë shumë për të mbijetuarat e dhunës”, shton Rushiti.

E drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave në Drenas, Kadire Tahiraj, thotë se kërkesë e përditshme e grave të mbijetuara, është që delegacioni i Kosovës mos të nënshkruajë marrëveshje me shtetin serb, pa u njohur faktet, e rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale.

“Fatkeqësisht që 20 vjet këto gra kanë kërkuar drejtësi por fatkeqësisht deri më tani nuk kemi gjetur drejtësi. Edhe kërkojmë që të kemi drejtësi, por nuk guxojmë asnjëherë të kemi dialog me Serbinë pa u përmendur këto krime të luftës të cilat janë bërë që 20 vjet lëndojnë, me lot, rënkim, por mbi të gjitha kanë gjetur forcë për të mbijetuar”, deklaron Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat