Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka insistuar se Bashkësia Islame e ka bërë të qartë që do të ndalohen vizitat familjare gjatë këtij Kurban Bajrami, por se nuk pajtohet me vebndimin e Qeverisë që të ndalohet falja e namazit.
“Pajtohem që të ndalohen vizitat, por kjo dallon nga namazi”.
“Namazi është çështje obligative fetare, ndërsa vizitat janë traditë dhe ajo është çështje tjetër, na takon neve ta respektojmë ose jo”.
“Është dhënë rekomandimi që të ndalohen vizitat brenda shtëpive, të mos lejohen të moshuarit, fëmijët dhe ajo çka është e rëndësishme është që besimtarët në mënyrë strikte janë duke i respektuar masat në xhami, por Qeveria po do që ta hedh pluhurin tjetërkah”.
“Të zbatohet drejtësia në tërë vendin. Nuk pajtohem që mijëra qytetarë të mund të shkojnë në deti, e të ndalohet falja e Kurban Bajramit”.
“Edhe distanca fizike edhe masat janë parandalues të kësaj pandemie. Ato respektohen në xhami. Me bindje të plotë e them se mbi 90 % të rasteve në xhamtë e Kosovës respektohen masat, dhe pse tani duhet të mbyllen për Bajram e të lejohen pushuesit në deti?”.
“Si mund të presim nga populli t’i respektojnë masat, kur institucionet nuk i respektojnë ato. E patëm rastin para disa ditësh të presidentit pa maskë. Kjo qeveri nuk po e zbaton drejtësinë në vend”.
“Nuk po e fajësoj drejtpërdrejt VV-në për protestën e tyre ose veteranët, por kush mban përgjegjësi nëse shpërthen pandemia nga këto tubime”.
“Praktikat evropiane i kanë rekomanduar qytetarët të mos shkojnë në pushime verore jashtë shtetit të tyre, ndërkaq ritet fetare nuk i kanë ndaluar. E tek ne është e kundërta”, u shpreh Kelmendi.