​Miratohet rishikimi i buxhetit edhe në leximin e dytë

Aktuale

​Miratohet rishikimi i buxhetit edhe në leximin e dytë

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 12:05

(E plotësuar) - Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë apstenim, Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme në lexim të dytë ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Buxheti i rishikuar është prej 2.6 miliardë euro, përderisa të hyrat në buxhet planifikohen të jenë të hyra buxhetore 1 miliardë e 788 milionë euro. Ndërsa, ka një diskrepancë prej rreth 800 milionë euro, që sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami do të mbulohet nga emetimi i letrave me vlerë, huazim i brendshme, të jashtme dhe një pjesë të shfrytëzojmë nga Agjencinë i Privatizimit të Kosovës.

Ajo tha se pasi ligji të kalojë në Kuvend, ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi, ku presidenti i Kosovës ka tetë ditë afat për ratifikim, pas së cilës mund të fillojë ekzekutimi i masave nga pakoja emergjente fiskale për paga, qira dhe çështje sociale.

​Deputetët votojnë kundër ngritjes së pagave për mjekët e policët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër amendamenteve që ua rriste pagën profesionistëve shëndetësor, policëve dhe inspektorëve.

Fillimisht deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se amandamenti 64 është në vazhdën e luftës antikovid, konkretisht ngritjen e pagës për policët, andaj kërkoi nga deputetët që të votojnë pro këtij

Haxhiu: Policët dhe mjekët po punojnë e hanë byrek, ne biftek

“Edhe pse nuk e dhatë për mjekët, po jepeni për policinë se ndoshta iu dënojnë pak dhe jepeni votën pro se policët dhe mjekët po punojnë e hanë byrek, ne biftek e nuk kanë as t’i ushqejnë fëmijët e vet, e vlerësojeni se si do të kemi mundësi ta luftojmë pandeminë”, tha ai.

Në fund ky amendament nuk kaloi, pasi morri vetëm 24 vota për.

​Nuk kalojnë propozimet e Osmanit për blerjen e maskave dhe vaksinave, Bajrami: Kemi maska me bollëk

Gjatë shqyrtimit të dytë të rishikimit të buxhetit, dy amendamentet e propozuara nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për parandalimin e përhapjes së pandemisë nuk kanë marrë votat e mjaftueshme nga deputetët.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se meqenëse ende nuk dihet sesa zgjatë pandemia, është e nevojshme të ndahen mjete për shpërndarjen e maskave falas për qytetarët.

Po ashtu nuk ka kaluar as amendamenti numër 43 për blerjen e vaksinave për të moshuarit mbi 65 vjeç.

Osmani: Dhjetëra amendamente për asfalt kaluan, ndërsa për pandeminë ka rezerva

“Shumica dërmuese e amendamenteve që deri tash ne i miratuam kishin të bënin me asfalt ose me shpenzime të tjera të cilat nuk lidhen në fakt me pandeminë. Duke ditur që prioriteti numër një duhet të jetë pikërisht mbrojtja e jetës së qytetarëve kam propozuar meqenëse qeveria ka vendosur pavarësisht pikëpyetjeve për bazën ligjore ka vendosur që të jetë e obligueshme bartja e maskave që ne t’i ndihmojmë qytetarët tanë ashtu siç e kanë shumë shtete të tjera anë e kënd botës. Që të përballojnë edhe këtë shpenzim sa do që dikujt mund t’i duket i vogël, mirëpo duke pasur parasysh përqindjen e qytetarëve që jetojnë në varfëri ekstreme në Kosovë, ne duhet t’i ndihmojmë edhe në përballimin e këtij shpenzimi”, tha Osmani.

Ndërsa ka reaguar ministrja e Financave Hykmete Bajrami, duke thënë se në stoqet Ministrisë së Shëndetësisë ka maska të mjaftueshme.

Bajrami: MSh-ja ka maska me bollëk, s’ka nevojë

“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dola t’iu them këtu që janë 500 mijë maska të cilat Ministria e Shëndetësisë i ka në stok për momentin dhe është duke i shpërndarë nëpër komuna, ndërsa janë 600 mijë të tjera të cilat vijnë me 1 shtator. Kështu që ka sasi të mjaftueshme”, tha Bajrami.

Ajo ka shtuar se me rishikim për Ministrinë e Shëndetësisë janë ndarë tre milionë euro më shumë për produkte farmaceutike, edhe për vaksina.

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar për blerjen e vaksinave, duke thënë se nuk ka kosto të caktuar, edhe pse tha se është ide e qëlluar.

***

Kuvendi i Kosovës shqyrton në lexim të dytë projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin 2020. 

***

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, i është drejtuar me një thirrje publike Qeverisë së Kosovës, për të ndërhyrë në aspektet fiskale dhe financiare që pandemia të shkaktojë dëme sa më të vogla në ekonominë e Kosovës.

Deputeti Haradinaj ka propozuar në emër të AAK-së që të vazhdojë subvencionimi i qirave dhe pagave në sektorin privat deri në fund të këtij vit, në muajin dhjetor.

Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria lehtësira fiskale dhe linjë të veçantë të subvencioneve për rreth 7,000 biznese të gastronomisë.

Shefi i GP të AAK-së ka kërkuar edhe ndihmë financiare për përkrahje direkte për masa mbrojtëse nga pandemia në këtë sektor.

Haradinaj shkruan:

Thirrje Qeverisë:

Shpëtojmë vende pune duke i përkrahur me lehtësira fiskale, siç është norma e diferencuar e TVSH-së, linjë të veçantë të subvencioneve për 7000 biznese të gastronomisë dhe subvencionim të punësimit në këtë sektor. Gjithashtu e parandalojmë përhapjen e pandemisë nese ju japim përkrahje direkte financiare për implementim të masave mbrojtëse. Grupi jone parlamentar, në kuadër të subvencionimeve për këtë sektor, propozon vazhdimin e subvencionimit të qirave dhe pagave deri në Dhjetor të këtij viti.

***

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, në emër të subjektit të tij politik ka thënë se do ta votojnë rishikimin e projektbuxhetit për vitin 2020, përkundër që shumica dërmuese e amendamenteve që ata kanë bërë nuk janë marrë parasysh.

“Ne deklaruam se do ta përkrahim buxhetin pa kushte, i propozuam disa amandamente me bindje të plotë që i kontribuojnë situatës, megjithatë pjesa dërmuese nuk janë marrë në konsideratë. Pavarësisht që iokemi përmend edhe në leximin e parë, të metat që i përmban ky dokument, ne do ta votojmë”, tha Hamza.

Murati: Ky buxhet nuk flet për rimëkëmbje ekonomike

Hekuran Murati, në emër të grupit ta tij parlamentar Vetëvendosje, para  deputetëve  ka paraqitur vërejtjet e subjektit të tij politik për rishikimin e projektbuxhetit për vitin 2020, duke thënë se me këtë buxhet nuk mund të flitet për rimëkëmbej ekonomike.

Sipas Muratit, nga ky ka paraqitur projektligjin  për rishikimin e buxhetit për vitin 2020 nuk parashihet Pakoja për Rimëkëmbje ekonomike, duke shtuar tutje se përkundër vërejtjet që janë bërë, Ministria E Financave 300 milionë eurot nuk i ka ndarë nëpër ministri të caktuara, por I ka grumbulluar vetëm në këtë ministri, e rrjedhimisht nuk dihet se ku do të përfundojnë ato para.

Murati ka thënë se përkundër proklamimit për pagesën për qytetarë në vlerë prej 170 eurove, në këtë program nuk kemi që planifikohen të bëhen këto pagesa.Hekuran Murati, si kryetar i Komisionit Parlamentar,

“Përkundër proklamimit për 170 euro për qytetarë, në këtë program nuk kemi që planifikohen të bëhen këto pagesa.

Përveç vazhdimit të disa punëve të mira, si puna e Kartonit të Gjelbër që të hiqet, dhe Pakoja fiskale emergjente, nuk kemi parë që ka diçka të tillë në këtë projektligj”, tha Murati.

***

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë deklaruar se nuk do ta votojnë ligjin për rishikimin e buxhetit të shtetit I cili parasheh riorganizim të buxhetit për të ndihmuar qytetarët dhe bizeneset në kohë pandemie.

Deputetët e VV-së, Rexhep Selimi dhe Hekuran Murati, duke folur në hapje të seancës thanë se nuk do ta votojnë buxhetin, ndërsa kanë kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për buxhetin.

Deputetët e VV-së po ashtu nuk morën pjesë fare në votim për ta trajtuar ligjin për buxhetin.

Seanca e jashtëzakonshme për rishikimin e buxhetit megjithatë po vazhdon dhe deputetët janë duke diskutuar mbi amandamentet propozuara.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i ka reaguar nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për rishikimin e buxhetit.

Nagavci në fjalën e saj tha se situata me koronavirusin është alarmante. Ndërsa, Gashi iu drejtua duke i thënë se kjo çështje nuk është në rend të ditës, pavarësisht sa i arsyeshëm dhe emocional mund të jetë.

“Ke komplet jashtë rendit të ditës, ne e kemi rendin e ditës se çfarë do të diskutojmë. Sado që mund të jetë i arsyeshëm dhe emocional, është komplet jashtë rendit të ditës dhe nuk mund ta mbajë atë diskutim”, tha Gashi.

Ndërsa, Gashi kërkoi që të respektohet rendi i ditës.

Nagavci mban fjalim për pandeminë në seancën për buxhetin, nxit reagimin e LDK-së

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci në seancën e sotme ka folur për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Hoti.

“Është e pakuptimtë se ku është kryeministri Hoti sot kur nuk është në këtë seancë të cilën e ka thirrur vetë, e që deklaron se çështja është emergjente. Sot nuk di cila është me rëndësishme se shëndeti publik dhe gjendja me të cilën po ballafaqohemi çdo ditë duke shkuar drejt një katastrofe humanitare”, ka thënë Nagavci.

“Gjendja është alarmante e shqetësuese është momenti i fundit që të kemi veprime shumë profesioniste dhe njerëzore. Ajo për të cilën jemi dëshmitarë të gjithë është se shumica e të dyshuarve jo vetëm që nuk po trajtohen po nuk po kanë mundësi as që të testohen. Sjellja e Qeverisë nuk është aspak në nivel të seriozitetit dhe përgjegjësisë, për më pak se dy muaj kaluam në numrin e vendit më të lartë me viktima.

Gjatë fjalimit të Nagavcit deputetët e Kuvendit kanë bërë zhurmë duke mos dëgjuar atë që po fliste Nagavci si dhe duke i rrahur tavolinat.

“Mos bërtitni po shqyrtojeni rastin së paku”, ka thënë ajo.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar nga deputetët që të mbajnë qetësi deri sa Nagavci po kryente fjalimin.

Nis seanca për rishikimin e buxhetit, Bajrami në emër të Hotit kërkon votën e deputetëve

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me një pikë të vetme të rendit të ditës.

Në këtë seancë do të votohet për rishikimin e buxhetit.

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020”, është pika e vetme e rendit të ditës.

Menjëherë pas nisjes së seancës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar nga deputetët që të respektojnë masat për mbrojte nga pandemia.

“Të gjithë ata që kanë simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi. Nëse keni qenë rast kontakti duhet të izoloheni për 14 ditë”, tha Osmani.

“Më lejoni që të pyes nëse dikush nga Qeveria është i autorizuar që në emër të kryeministrit të bëjë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme”, tha kryeparlamentarja.

Në emër të Qeverisë ka folur Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Ajo ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro rishikimit të buxhetit.

“Jam e autorizuar nga kryeministri që të jap arsyetimin për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Me që komisionet e kanë kryer punën me rishikim të buxhetit, të votohet sot buxheti në mënyrë që të mund të vazhdojmë me implementimin e masave.

Kërkoj mirëkuptimin e juaj për rishikimin e këtij buxheti”, tha Bajrami.

Nis seanca e jashtëzakonshme për rishikim të buxhetit

Sapo ka filluar seanca e jashtëzakonshme për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Nga kjo seanca varet se a do t’i marrin qytetarët e Kosovës 170 eurot nga Pako Fiskale Emergjente.

Megjithëse pritet që të ketë diskutime, rishikimi i buxhetit mund të kalojë me votat e PDK-së që ashtu si në lexim të parë, mund të mbështesë rishikimin e buxhetit edhe në lexim të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat