KMDLNJ mbështet vendimin e BIK-ut për mos faljen e namazit për Kurban-Bajram

Aktuale

KMDLNJ mbështet vendimin e BIK-ut për mos faljen e namazit për Kurban-Bajram

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 12:56
Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive dhe Njeriut (KMDLNJ) ka mirëpritur vendimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për mos faljen e namazit të Kurban- Bajramit në xhami, për shkak të COVID-19.

Në një reagim për media thuhet se BIK-u ka bërë një veprim shumë të mirë në mbrojtje të shëndetit të besimtarëve që do ta falnin namazin në xhami, por edhe të familjeve të tyre dhe rrethit ku jetojnë.

“E pranuam apo jo, Kosova është në një gjendje të jashtëzakonshme, me tendencë të përkeqësimit të situatës dhe rrezikimit të përgjithshëm të shëndetit të qytetarëve të Kosovës andaj të gjithë duhet të sillemi në përputhje me situatën e krijuar”, thuhet në reagim.

KMDLNJ sugjeron qytetarët e Kosovës t'u përmbahen rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse, të festojnë Kurban-Bajramin në shtëpi, pa bërë vizita familjare si më parë dhe se mbështet vendimin e BIK-ut në tërësi si kontribut për luftimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Në situatën aktuale, KMDLNJ vlerëson se me masat kufizuese, besimtarëve të besimit islamë nuk u janë shkelur të drejtat e njeriut për faktin që e drejta për jetë është themel i të gjitha të drejtave mbi të cilën ndërtohen dhe realizohen të drejtat tjera.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një adresim para mediave ka konfirmuar se për shkak të gjendjes së rënduar me Covid-19 nuk do të falet namazi i Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.

Po ashtu për 10 ditë do të pezullohen edhe namazet nëpër xhamitë e vendit. Ai ka thënë se këtë hap e kanë ndërmarrë për të ruajtur shëndetin publik. Po ashtu Tërnava ka bërë apel që të mos ketë as vizita familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat