Loshi: Ka vite që LDK vepron me një moral të dyfishtë, ndanë pushtetin me PDK-në dhe paralelisht lufton ashpër me të

Aktuale

Loshi: Ka vite që LDK vepron me një moral të dyfishtë, ndanë pushtetin me PDK-në dhe paralelisht lufton ashpër me të

Nga: D.B. Më: 30 korrik 2020 Në ora: 18:04
Liri Loshi

Ish mjeku i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës Liri Loshi përmes një postimi në Facebook, ka treguar se si e kishte parë LDK-në para një viti, pikërisht në kohën kur LDK-istët e kishin quajtur atë tendencioz.

Sipas tij, zhvillimi i ngjarjeve ka provuar se ai kam pasur të drejtë, pothuaj 100 %.

“Kjo pak ka rëndësi, meqë rëndësi ka që LDK të dalë njëherë e mirë nga kurthi ku e ka futur veten. Parashikimet lidhur me këtë nuk janë premtuese”.

Postimi i plotë:

Ja si e kam parë LDK-në sot një vit. Atëherë LDK-istët më kanë quajtur tendencioz. Por zhvillimi i ngjarjeve ka provuar se unë kam pasur të drejtë, pothuaj 100 %. Por kjo pak ka rëndësi. Rëndësi ka që LDK të dalë njëherë e mirë nga kurthi ku e ka futur veten. Parashikimet lidhur me këtë nuk janë premtuese. Fatkqësisht!

Kur zhurma bëhet alternativë e ideve

Në LDK nuk janë thyer karrikat kot. Krejt kjo është bërë për ta pamundësuar suksesin e kandidatëve të rinj në procesin konkurrues për kreun e LDK-së. Shumica e delegatëve do të jenë të udhëzuar që të votojnë për staus quonë në lidershipin e LDK-së.

Kush thoni ju se do të zgjidhet kryetar i LDK-së? Unë them Isa Mustafa. Pse? Sepse krejt procesi zgjedhor ka qenë një luftë mes gjeneratës së mesme dhe gjeneratës së re, duke llogaritur se ujqve të vjetër iu kanë rënë dhëmbët dhe më nuk janë të interesuar për prenë e tyre që është karrige e LDK-së. Tani unë pres që kandidatët potencialë të gjeneratës se mesme, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu të tërhiqen nga gara dhe ta përkrahin Isa Mustafën qe të mos shpërndahet vota për të kaluar tek Vjosa Osmani, apo dikush tjetër. Kurse nga gjenerata e re, përveç Vjosës mund ta kemi edhe ndonjë kandidat tjetër që me votat e tyre pamundësojnë epërsinë e Vjosës me Isën që ky i fundit të dalë fitues. Një konkurrencë të butë mund ta bëjë Fatmir Sejdiu, por jo në masën që mund ta rrezikojë fitoren e Isa Mustafës.

Pra, në LDK nuk do të ketë asnjë befasi dhe nuk do të ketë asgjë të re, ashtu sikurse nuk ka pasur asgjë të re që nga kuvendi i karrikave, pos që është konfirmuar se karrigat edhe më tej do ta përcaktojnë liderin e LDK-së.

LDK ka shumë kandiadatë të interesuar për të qenë në ballë të saj, por shikuar realisht, asnjëri nuk është kandidat më serioz se Isa Mustafa. Të paktën, asnjëri nga këta pos Fatmir Sejdiut nuk e ka një përvojë të begatë në politikë që i bën kandidatë më të preferuar. Dhe përderisa nuk e kanë përvojën e tyre, do të duhej të imponoheshin me vizion të ri. Cili është vizioni kandidatëve të rinj? Ose më mirë, cili është vizioni i Vjosa Osmanit? Unë nuk e di. Vjosa po imponohet me moshën e saj relativisht të re dhe me votën bukur mirë të konsoliduar që ka marrë për deputete, e cila asaj i jep fuqi të madhe politike.

Por si e ka arritur Vjosa atë fuqi? Ka vite që LDK vepron me një moral të dyfishtë duke ndarë pushtetin me PDK-në dhe paralelisht duke luftuar ashpër atë. Elektorati i LDK-së nuk ka parë asnjëherë një konkurrencë programesh nga kandidatët e vet. Në vend të tyre ka parë një konkurrencë të pashembullt të luftës verbale kundër armikut të definuar qartë, pra kundër PDK-së. Kështu elektorati në mungesë të konkurrencës së ideve, është detyruar ta vlerësojë militantizmin e funksionarëve të LDK-së!

Politikanët që kanë qenë pjesë e qeverisjes në koalicion me PDK-në, nuk kanë mundur ta kritikojnë atë në kohën sa kanë qeverisur bashkë. Pra, siç thuhet në popull, kanë qenë më zorrë nëpër këmbë. Vjosa Osmani nuk ka qenë pjesë e qeverisë asnjëherë dhe e ka pasur komoditetin për ta kritikuar PDK-në sa herë ka vlerësuar se një sjellje e tillë ndez elektoratin e saj. Tani si kandidatë e popullarizuar ajo duhet ta provojë veten me programin e saj. Program nuk është vija e kuqe me PDK-në, por koncepti i ri që e forcon partinë dhe shtetin e Kosovës. Çështja më nuk është se si të mundet PDK-ja, por se cili do të jetë programi qeverisës i LDK-së. Vjosa Osmani, Arban Abrashi dhe asnjë kandidat i LDK-së nuk kanë një çfarëdo programi autentik me të cilin do ta sfidonin Isa Mustafën, apo Fatmir Sejdiun.

LDK duhet të sillet si një parti stabile dhe brenda vetes të mundësojë një konkurrencë të mirëfilltë idesh dhe jo që militantizmin e fokusuar në luftën kundër partive tjera, ta legjitimojë si vlerën kryesore të demokracisë. Sepse përmes një praktike të tillë mbytet konkurrenca e ideve brenda vetvetes, gjë kjo që ka ndodh dhe mund të ndodh prapë me LDK-në.

Pra, unë pres që kryetar i LDK-së do të jetë Isa Mustafa dhe LDK nuk do të përçahet, sepse të rinjtë do ta kuptojnë se me zhurmë dhe pa ide nuk mund ta vjedhin postin e kryetarit të LDK-së. Ky do të jetë një moment i ri për ta që t’i kthehen punës dhe në vend të popullzimit të prodhojnë vlera të reja politike që i duhen vendit, por edhe LDK-së.

Urime Isa Mustafa! Urime LDK! Kosova vazhdon këngën e vjetër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat