Meliza uron Zvicrën: Lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën e viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër

Aktuale

Meliza uron Zvicrën: Lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën e viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër

Nga: E.B Më: 1 gusht 2020 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka uruar popullin zviceran me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane.

Meliza ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Zvicrës janë të forta dhe kanë themelet në kohën më të vështirë të viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, shkruan “Bota Sot”.

Gjithashtu, ministrja ka thënë se Zvicra kishte qenë vendi i parë, që në Këshillin e Sigurimit zyrtarisht kishte përmendur dhe mbrojtur qëndrimin se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

Postimi i plotë:

Me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, shpreh urimet më të përzemërta popullit zviceran.

Lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën më të vështirë të viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, për t’i shpëtuar regjimit gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit. Atje gjetën strehë, punë, shkollim, e prosperitet, por nuk harruan të ndihmojnë Kosovën në çlirim, rindërtim, dhe shtetndërtim. Pikërisht kjo lidhje dhe kontribut gjithëpërfshirës - e bën Zvicrën ndër aleatët më të mëdhenj të Kosovës.

Zvicra kishte qenë vendi i parë, që në Këshillin e Sigurimit zyrtarisht kishte përmendur dhe mbrojtur qëndrimin se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

Diaspora jonë atje, sot kontribuon në secilin aspekt të jetës publike, ekonomike, e zhvillimore të Konfederatës Zvicerane. Kosova mburret me arritjet e diasporës sonë atje, të cilët vazhdojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet tona të veçanta.

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar e fuqizuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Zvicrën në të gjitha aspektet bilaterale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat