Ramush Tahiri: Kosova po bie në grackë të propagandës së udhëheqësve të Serbisë

Aktuale

Ramush Tahiri: Kosova po bie në grackë të propagandës së udhëheqësve të Serbisë

Më: 1 gusht 2020 Në ora: 17:20
Ramush Tahiri

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ditë më parë ka deklaruar se ka parandaluar dy tërheqje të njohjeve për Kosovën.

E për këtë ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se kjo deklaratë është gënjeshtër.

Analisti politik Ramush Tahiri, tha se po vazhdojnë përplasjet e diplomacisë vendore dhe serbe rreth njohjeve e çnjohjeje të shtetit të Kosovës.

“Serbia ia ka arritur me propagandën e vet sidomos me shpjegimin se në Bruksel po dialogohet rreth statusit të Kosovës t’i bindë disa shtete që të tërheqin apo ta pezullojnë njohjen për Kosovën duke pritur rezultatet nga dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me qëllimin si ka arsyetuar Beogradi për të qenë neutral dhe për të mos paragjykuar rezultatin”, potencoi ai.

Tahiri ka shtuar se Kosova nuk ka arritur ta bindë faktorin ndërkombëtar dhe shtetet individuale se dialogu po zhvillohet për normalizim të marrëdhënieve.

“Pasi këtu kishte një luftë të përgjakshme kishte një gjenocid dhe një spastrim etnik dhe shumë pasoja të rënda, disa të pariparueshme dhe se për të ndërtuar paqen duhet një proces i qartë dhe i saktë për agresorin dhe për viktimën. Kosova gjithashtu nuk arriti t’i bindë organizatat ndërkombëtare dhe shtetet anëtare se në procesin e dialogut po hyhet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila përfundonte njohje të pavarësisë së shtetit të Kosovës nga Serbia”, shtoi ai.

Më tej ai tha se çështja e statusit është zgjidhur me lirinë e Kosovës.

“Çështja e statusit është e zgjidhur me lirinë e Kosovës me çlirimin nga Serbia dhe me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran. Kosova duket po i kushton shumë rëndësi deklarimeve mediatike të udhëheqësve të Serbisë, po humb energji për këtë dhe duket po bie në grackë të propagandës”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Serbia ka vazhduar me fushatën për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, për ndalimin e kësaj fushate ka kërkuar edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat