Degradim i gjuhës parlamentare, deri në përplasje fizike - Bota Sot
Degradim i gjuhës parlamentare, deri në përplasje fizike

Aktuale

Degradim i gjuhës parlamentare, deri në përplasje fizike

Më: 1 gusht 2020 Në ora: 17:39
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, jo vetëm që është ndër institucionet që gëzon më së paku besim në opinion, por kohët e fundit është shndërruar në arenë përplasjesh verbale me fjalor të degraduar ndërmjet deputetëve të partive të ndryshme, kryesisht ndërmjet atyre në pushtet dhe opozitë, por të cilat jo rrallë janë përshkallëzuar deri në përplasje fizike, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që mbikëqyrin punën e kuvendit, si dhe njohës të zhvillimeve politike.

Të martë, më 28 korrik, përplasja verbale ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca dhe dy deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala dhe Arben Gashi, është raportuar të ketë përfunduar si përplasje fizike ndërmjet tyre. Për më shumë, deputeti Gjyshinca e ka paraqitur këtë rast në Policinë e Kosovës si sulm fizik ndaj tij, ku i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky rast është i evidentuar edhe në raportin e publikuar lidhur me rastet që kanë ndodhur brenda 24 orëve më datën 28 korrik.

“Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Debatet (jo) parlamentare
Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përplasja fizike ndërmjet deputetëve në Kuvendin e Kosovës, më 28 korrik, është vetëm rasti i fundit, i cili pasqyron degradimin e sjelljeve të deputetëve.

“Rasti i deputetit Gjyshinca me dy deputetët e LDK-së, (Arben) Gashi dhe (Kujtim) Shala, është vetëm një ndër shumë rastet e tilla, kur deputetët, në vend të gjuhës së argumentit dhe bashkëpunimit për çështje me interes kombëtar, kanë zgjedhur dhunën apo sjelljet e pahijshme parlamentare, si mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve politike”, theksoi Cakolli.

Analistja e çështjeve politike, Donika Emini, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që sjelljet joetike të deputetëve, të cilat përfundojnë edhe me përplasje fizike, janë dëshpëruese dhe zhgënjyese për opinionin dhe qytetarët që i kanë zgjedhur. Siç thotë ajo, përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës, krahasuar me legjislaturat e kaluara, ka më shumë deputetë të rinj, për të cilët është besuar që do të sjellin frymë ndryshimi dhe bashkëpunimi, jo vetëm në kuvend, por përgjithësisht për poetikën në Kosovë.

Megjithatë, sipas Eminit, ka ndodhur krejt e kundërta dhe gjuha parlamentare, si dhe sjelljet e deputetëve kanë degraduar në masë mjaft të madhe, duke sjellë edhe polarizim të skajshëm ndërmjet partive politike.

“Fjalimet dhe argumentet janë në nivelin personal. Do të thëtë që ka degradim, deri në nivelin e sulmit fizik ndaj kryetares së kuvendit, që ka qenë ndoshta njëra nga skenat më shqetësuese, të cilat i kemi parë në kuvend që nga paslufta. Së dyti, është edhe degradimi i gjuhës parlamentare, ku ministrat u drejtohen deputetëve, sikurse me qenë deputetët fëmijë të retarduar, ku ministrat japin leksione për diplomaci ose japin edhe diagnoza për COVID-19. E gjithë kjo ndodhë para syve të qytetarëve, në gjendje pandemie, ku gjithçka është duke u përjetuar më rëndë se sa zakonisht”, theksoi Emini.

Më 11 korrik, seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së kuvendit, Vjosa Osmani.

“Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si kuvendi, kam hapur rast në polici”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë e fjalori publik i diskutimit në mes të politikanëve, madje edhe të atyre të nivelit më të lartë përfaqësues, ka degraduar në masë të madhe, përmes fjalorit me fjalë fyese dhe ofenduese që përdorin ndaj njëri-tjetrit. Sipas tij, ky trend ka nisur tash e disa vite, por së fundmi është duke u bërë shqetësues.

“Sidomos kur e shohim që ky fjalor përdoret, jo vetëm jashtë, por edhe brenda institucionit, nga njerëz që konsiderohen që janë bartësit kryesor të institucioneve tona e njëkohësisht, duke marrë parasysh që të gjitha këto përcillen edhe nga opinioni publik. Është degradim maksimal dhe mendoj që njëmend duhet të fillohet që të merren masa ndaj tyre, qoftë masa disiplinore e ndoshta deri te masat penale, në mënyrë që të parandalohet ky fenomen kaq i keq që ka filluar të përhapet, sidomos tek institucionet publike”, u shpreh Demhasaj.

Masat e buta ndëshkuese
Cakolli shpreh mendimin që deri te një situatë e tillë, ku përfaqësuesit e institucioneve sillen përtej etikës, është arritur për shkak të mungesës së një baze normative për t’i ndëshkuar deputetët, të cilët përdorin gjuhë apo kanë sjellje joparlamentare. Sipas tij, Rregullorja e Punës e kuvendit, qëndron e mangët për sa i përket dispozitave ndëshkuese për deputetët që pengojnë në çfarëdo forme mbarëvajtjen e punës së kuvendit apo komisioneve parlamentare.

“Versioni aktual i rregullores parasheh vetëm mundësinë që për deputetët që në vazhdimësi pengojnë punën apo seancat plenare, masa më e ashpër ndëshkimore të jetë që të njëjtit të nxirren jashtë nga seanca apo që atyre t’iu ndalohet pjesëmarrja në seancën apo në mbledhjet e asaj dite. Megjithatë, në parim, dispozita e lë të hapur mundësinë që deputetët të përsërisin për çdo ditë sjelljen e njëjtë, pa pasur ndonjë masë ndëshkuese, e cila do t’i vetëdijesonte në një formë edhe ata që të mos ndërmarrin veprime të tilla”, theksoi Cakolli.

Analistja Emini, thotë se në vitet e fundit, pikërisht janë sjelljet dhe fjalori jo i mirë i deputetëve që kanë ulur besimin e opinionit në Kuvendin e Kosovës, si institucion.

“Këto veprime vetëm sa munden që t’i kontribuojnë edhe më tej uljes së besueshmërisë ndaj këtij institucioni. Duke e ditur që ne jemi republikë parlamentare dhe aty vendosen çështje shumë me rëndësi, është shqetësuese të shohësh se çfarë niveli të deputetëve ka aty. Kjo nuk po ndodh vetëm në kuvend. Kjo ndodh edhe në qeveri, kjo ndodh edhe në debate televizive kur politikanët flasin për njëri-tjetrin”, tha Emini.

Por, Demhsaj thotë që të paktën për përplasjet fizike, ekzistojnë dispozita të caktuara në Kodin Penal, që në rast se shkaktohen lëndime të lehta trupore, pala e dëmtuar ka të drejtën për të ngritur padi.

“Mendoj që këto lëndë duhet të trajtohen me prioritet, që pastaj përmes këtyre lëndëve dhe vendosjes për to, të krijohen tendenca për efekte parandaluese që sjelljet e tilla të ndërpriten dhe të mos përsëriten në të ardhmen”, theksoi Demhasaj.

Njohësit e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se në rast se partitë politike vazhdojnë të shërbehen me gjuhë të ashpër, nxitëse dhe acaruese ndërmjet tyre, fryma e njëjtë do të vërehet edhe te publiku që ka orientime politike dhe i cili, dita-ditës është më i ndarë dhe më i acaruar mbi baza politike. Sipas tyre, politikanët duhet të ndërprenë praktikat e përplasjes, në mënyrë që të mos bëhen shembull që praktikat e tilla të barten edhe te militantët e tyre, por edhe te pasuesit e partive politike./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat