LAJMI I FUNDIT: Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga policia shqiptare - Bota Sot
LAJMI I FUNDIT: Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga policia shqiptare

Aktuale

LAJMI I FUNDIT: Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga policia shqiptare

Nga: A.Zh Më: 2 gusht 2020 Në ora: 10:55
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati

Murtez Kastrati, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është liruar pasi ishte ndaluar nga Policia e Shqipërisë.

Mëngjesin e sotëm policia e Shqipërisë në bazë të urdhërarrestit të Serbisë dorëzuar në INTERPOL, kishte ndaluar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastratin.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se autoritetet e Shqipërisë, e kanë liruar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastrati, i cili u ndalua nga policia, pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL.

Njoftimi i plotë i Haradinaj-Stubllës:

Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.

Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.

Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash!. 

Arrestohet veterani i UÇK-së në Shqipëri, Serbia me listë të re me emra të ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, ka treguar se veterani i UÇK-së Murtez Kastrati, sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti serb ka dërguar emrin e tij në Interpol.

Gucati ka thënë se ka informacione se, Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish-pjestarëve të UÇK-së, përcjell Bota sot.

Ai ka ftuar shtetin shqiptar që të lirojë sa më parë Kastratin, derisa bashkëluftëtarët i ka porositur që këto ditë të mos lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera.

Kreu i OVL të UÇK-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë masa në këtë drejtim.

Reagimi i plotë i Gucatit në Facebook:

Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati sot është ndaluar nga policia Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar emrin e tij dhe shumë ish-pjestarëve të UÇK-së në Interpol, nga burimet që kemi marrë Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjestarëve të UÇK-së, ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera, Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe akuzat e Serbisë të pa baza ndaj Kosovës, derisa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla!

HG

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat