Elezi: Qasja e Policisë në luftimin e COVID-19 të jetë bashkëpunuese – jo ndëshkuese - Bota Sot
Elezi: Qasja e Policisë në luftimin e COVID-19 të jetë bashkëpunuese – jo ndëshkuese

Aktuale

Elezi: Qasja e Policisë në luftimin e COVID-19 të jetë bashkëpunuese – jo ndëshkuese

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 12:19
Bedri Elezi

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të shtunën (1 gusht, 2020) në një konferencë për media ka paralajmëruar shtrëngim të masave dhe gjoba ndaj atyre që nuk i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në vend.

Në po të njëjtën datë në mbrëmje, Policia e Kosovës ka organizuar një aksion mbarë-shtetëror për të inspektuar nëse po zbatohen masat anti-COVID të vendosura nga Qeveria, aksion ky që ka rezultuar me shqiptimin e gjobave dhe mbylljen e disa lokaleve.

Drejtori për siguri i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, i ka cilësuar këto aktivitete si të nevojshme, por ai ka theksuar se qasja e Policisë duhet të jetë qasje bashkëpunimi dhe jo qasje ndëshkuese.

“Ideja është që të bëhet luftimi i pandemisë në kushte dhe rrethana të përshtatshme. Ne e dimë se Policia është aparat i dhunës dhe sigurisht si i tillë edhe reflekton në terren, por për ne është më e rëndësishme të ndërtohen ura komunikimi të mirëfillta me komunitetin në mënyrë që ata ta kenë besimin e institucioneve të Kosovës dhe kështu të luftohet pandemia së bashku [në mes të qytetarëve, Policisë dhe institucioneve relevante]”.

“Në të kundërtën, nuk do ta kemi besimin e mjaftueshëm tek institucionet dhe si rrjedhojë do të kemi dyshime nëse gjendja e cila prezantohet është reale. Sidomos pas publikimit të disa rasteve ku dyshohet se personat e vdekur nuk kanë qenë të infektuar me COVID-19”.

Njohësi i çështjeve të sigurisë vlerëson se masat e sigurisë siç janë aktivitetet policore, inspektoratet komunale dhe qendrore, duhet të jenë më shumë transparente, bashkëpunuese dhe koherente.

“Aktivitetet policore në terren i shohim si të nevojshme, por qasja e tyre të jetë qasje bashkëpunimi dhe jo qasje ndëshkuese. Ne besojmë se  shqiptimi i gjobës ndaj një qytetari nuk e lufton koronavirusin, por e dëmton edhe më shumë ekonominë e atij qytetari apo familjes së tij. Sigurisht se kjo ndikon në masë dhe shton dyshimet se gjendja e cila prezantohet është gjendje joreale dhe institucionet relevante e kanë primare ndëshkimin dhe jo luftimin e COVID-19”.

“Ne vlerësojmë se nuk është serioze vendosja e orarit për mbylljen e lokaleve nga ora 22:30, ngase edhe ashtu është e paraparë me ligj që të punohet deri në ora 23:00. Nuk besoj se ky 30 minutësh është kaq i rrezikshëm për shpërndarjen e COVID-19. Ideja është që sa më shumë të jenë të pranishme Inspektorati dhe Policia në ruajtjen e distancës dhe vendosjen e mjeteve mbrojtëse dhe jo mbyllja e lokalit apo edhe arrestimi e veprimet tjera policore”.

Ai shton se primare duhet të jetë komunikimi i mirëfilltë me qytetarët dhe bindja e tyre që virusi COVID-19 është serioz dhe vdekjeprurës.

“Sa i përket orës policore, mendoj që duhet të merren parasysh edhe pasiguria ekonomike si dhe ndikimi i saj në sigurinë në përgjithësi. Kur cenohet siguria ekonomike, padyshim se e kemi të cenuar edhe sigurinë e përgjithshme. Andaj duhet të merren parasysh veprimet – sidomos të vendosjes së orës policore. Koha e ka treguar që bashkëpunimi ndërqytetarë ka qenë mënyra më e mirë e luftimit të kësaj pandemie. Në të kundërtën, mosbesimi ka kaluar në mosrespektim”.

Elezi konsideron se ka pasur dhe vazhdon të ketë mungesë bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve relevante në lidhje me pandeminë.

“Nuk është i mjaftueshëm vetëm organizimi i konferencave për media, por bashkëpunimi i IKSHPK-së me media në terren dhe trajtimi i diskutimeve drejt për së drejti me të infektuarit duke mos tentuar që me patjetër ta mbulojnë identitetin e tyre, por t’i zbulojnë ata dhe lëvizjet e tyre në mënyrë që të kuptohen burimet eventuale të pandemisë”.

“Sipas informatave që kemi ne në institut, shumë qytetarë nuk pranojnë t’i drejtohen mjekut sepse dyshojnë që trajtimi nuk është i duhur dhe se vdekja është duke ardhur si rezultat i njohurive të dobëta të profesionistëve. Për shembull, familja Guri nga fshati Nikaj në komunën e Kaçanikut, kanë dyshime se prindi i tyre ka vdekur si pasojë e trajtimit jo profesional nga ana e mjekëve në spitalin regjional të Ferizajt. E kjo është ajo transparenca për të cilën unë po flas”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat