MSH-ja pagoi rreth 300 mijë euro në kundërshtim me rregullat financiare për shpenzim

Aktuale

MSH-ja pagoi rreth 300 mijë euro në kundërshtim me rregullat financiare për shpenzim

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 20:36
Foto ilustrim

Në kundërshtim me rregullat, Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2019 ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 299 mijë e 894 euro. Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, këto mjete janë paguar në kundërshtim me Rregullën financiare për shpenzimin e parave publike si dhe Udhëzimin Administrativ për planin kontabël, që është derivat i Ligjit për menaxhimin e financave publike.

Prej këtyre mjeteve, 189 mijë euro janë paguar për funksionalizim të Sistemit Informativ Shëndetësor. Këto mjete janë paguar nga kategoria për mallra dhe shërbime, derisa do të duhej të paguheshin nga kategoria e investimeve kapitale.

31 mijë euro të tjera janë paguar për trajtime mjekësore jashtë vendit. Ato ishin paguar po ashtu nga kategoria mallra dhe shërbime, e do të duhej të paguheshin nga subvencionet.

Nga kategoria mallra dhe shërbime janë paguar edhe 24 mijë euro të tjera për kompensim të pagave jubilare. Këto pagesa, sipas ZKA-së, do të duhej të realizoheshin nga kategoria e pagave dhe mëditjeve.

Ndërkohë që 56 mijë euro për servisim të pajisjeve mjekësore që do të duhej të paguheshin nga kategoria mallra dhe shërbime, janë paguar nga kategoria investime kapitale.

· Pagesa në vlerë 189,0203€ për funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH) ishte realizuar nga Thesari, bazuar në vendimin gjyqësor nga kategoria mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra ky shpenzim i takon kategorisë së investimeve kapitale;

· Pagesat në vlerë 31,055€ 4 për kompensim të trajtimeve mjekësore jashtë vendit ishin realizuar nga Thesari, bazuar në vendimet gjyqësore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra këto shpenzime i takojnë kategorisë së subvencioneve. Ministria kishte informuar Thesarin se dy pagesa për trajtime mjekësore duhet paguar nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, por meqë sipas urdhrit për përmbarim debitor ishte Ministria e Shëndetësisë, pagesat ishin realizuar nga buxheti i MSH-së;

· Pagesat në vlerë 24,1585€ për kompensimin e pagave jubilare ishin realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra këto shpenzime i takonin kategorisë së pagave dhe mëditjeve; dhe

· Pagesat në vlerë prej 55,661€ për servisimin e pajisjeve mjekësore kishin qenë të buxhetuara dhe ishin paguar nga kategoria e investimeve kapitale, edhe pse këto shpenzime për nga natyra i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime.

ZKA-ja ka gjetur gjithashtu që për shkak të vonesave në kryerje të pagesave, Ministria ishte detyruar që pas vendimeve gjyqësore të paguante operatorë ekonomikë dhe paga jubilare në vlerë prej 276 mijë euro. Prej këtyre mjeteve, 38 mijë euro janë paguar për shpenzimet procedurale të gjykatës dhe interesit.

“Nga shqyrtimi i pagesave përmes vendimeve gjyqësore të Ministrisë, kemi identifikuar se si rezultat i mospagesës së obligimeve me kohë për OE dhe përfituesit e pagave jubilare, të njëjtit përmes procedurave gjyqësore i kishin realizuar të drejtat e tyre ligjore. Vlera e ekzekutuar nga Thesari e vendimeve gjyqësore ishte 276,040€. Prej tyre borxhi kryesor ishte 237,429€, ndërsa shpenzimet procedurale të gjykatës (përmbarimit) dhe interesit ishin 38,611€”, shkruhet në raportin e ZKA-së për Ministrinë e Shëndetësisë.

Në këtë raport, ZKA-ja ka dhënë 10 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas Auditorit, menaxhmenti i Ministrisë është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat