Anulohen tri seanca të rastit “Veteranët” shkaku i pandemisë

Aktuale

Anulohen tri seanca të rastit “Veteranët” shkaku i pandemisë

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

Për shkak të pandemisë Covid-19, janë anuluar tri seanca të parapara të mbahen me 3, 4 dhe 6 gusht 2020, në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave, i njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata po akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, “Betimi për Drejtësi” është njoftuar se këto seanca janë anuluar me kërkesë të mbrojtësit së të akuzuarit Rrustem Berisha, avokatit Agron Selimaj.

Avokati Selimaj me anë të parashtrese kishte kërkuar anulimin e këtyre seancave, për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë Covid-19, duke iu referuar edhe vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e distancës.

Për këtë arsye, nga zyra e gjykatëses Kuka-Mekaj është bërë e ditur se janë anuluar seancat e lartpërmendura.

Për shkak të situatës së krijuar me pandemi ishin anuluar edhe seancat e parapara për 17 dhe 18 qershor 2020.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat