​Pronarët e pishinave ultimatum Qeverisë: Do të bllokojmë kufirin me Shqipërinë

Aktuale

​Pronarët e pishinave ultimatum Qeverisë: Do të bllokojmë kufirin me Shqipërinë

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 14:47
Foto nga protesta

“Kryeministër, nëse nuk na ndihmoni, na leni të punojmë”, kjo ishte njëra nga pankarta që mbanin në duar pronarët e pishinave që protestuan sot para qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Pishinave, Diamant Paçarizi, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës, deri sonte që të shfuqizoj vendimin për mbylljen e pishinave, në të kundërtën do të protestojnë në kufirin me Shqipërinë.

Paçarizi, deklaroi se në kufirin me Shqipërinë nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve për në bregdetin shqiptarë.

Paçarizi: Protestën e radhës do ta mbajmë në kufirin me Shqipërinë

“Nëse qeveria nuk merr vendim më së paku deri sonte, ne do të mbajmë protestën e radhës në kufirin me Shqipërinë ku do të bllokojmë automjetet që do të dalin nga Kosova. Kërkojmë nga policia që të mos të ketë provokim të situatës për arritjen e qëllimit tonë”, tha Paçarizi.

Pronarët e pishinave do të angazhojnë dhe një avokat, përmes të cilit do të kërkojnë kompensim nga Qeveria e Kosovës.

Paçarizi: Do të angazhojmë një avokat

“Ne do të angazhojmë një avokat për kompensimin e dëmit që na ka shkaktuar vendimi tendencioz I qeverisë”, tha ai.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e pishinave, Paçarizi po e quan skandal, me ç’rast ka deklaruar se më absurdja dhe më e papranueshme për ta ka qenë ngulfatja që ua bëri kryeministri këtyre bizneseve.

Ai ka theksuar se nëse vërtetohet se pishinat janë vatër e shpërndarjes së virusit COVID-19 atëherë vetë ata do ta zbrazin ujin nëpër pishina.

Paçarizi: Është e papranueshme ngufatja që na bëri kryeministri

“Kemi dalë që të protestojmë në mënyrë simbolike për vendimin skandal të qeverisë së Kosovës për mbylljen e pishinave në gjithë territorin e Kosovës. Ajo që është ishte më absurdja dhe më e papranueshme për ngufatjen që na bëri kryeministri ishte se me çfarë ekspertizë ose me cilin grup të ekspertëve 4 vlerësuan që në pishinat e brendshme nuk ka virus dhe në ato të hapura virusi qenka prezent, e për çka para disa javësh kishin vendosur të kundërtën. Nëse vetëm një ekspert hidro-sanitar dhe IKSHP-K e vërteton që pishinat janë vatër e shpërndarjes së virusit dhe jo parandalues ne në mënyrë vullnetare do ta zbrazim ujin, por është e papranueshme që pishinat e Shqipërisë dhe ato të mbyllurat mos të kenë virus dhe ato të hapura të jenë vatër e përhapjes”, deklaroi ai.

Po ashtu, Paçarizi tha se pronarët e pishinave kanë respektuar vendimet e Qeverisë për mbajtjen e distancës dhe se deri më sot nuk ka asnjë të dhënë që dikush është infektuar nga koronavirus në pishina.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat