Gjobat për veturat e paregjistruara 150 euro, ato për mungesë të sigurimit 200 euro

Aktuale

Gjobat për veturat e paregjistruara 150 euro, ato për mungesë të sigurimit 200 euro

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 19:36
Sami Mazreku

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në një intervistë ka thënë që gjobat që shqiptohen nga Policia e Kosovës për veturat e paregjistruara, nuk kanë efekt.

“Sipas të dhënave të Policisë dhe në bazë të Ligjit, gjoba për mosregjistrim është 150 euro, mirëpo ajo që nuk është e rregulluar është se çfarë ndodh me veturat të cilat gjobiten. Kemi raste kur policia e ka shqiptuar një gjobë dhe pas gjobës ai automjet ka shkaktuar aksident”, ka thënë ai.

Ndërsa për sa u përket shqiptimit të gjobës për veturat që nuk kanë sigurim, Mazreku ka thënë që pavarësisht që vlera e saj është 200 euro, një gjobë e tillë qysh nga viti 2011 nuk është shqiptuar asnjëherë.

“Gjoba për mossigurim është 200 euro mirëpo kjo gjobë që nga viti 2011 nuk është shqiptuar asnjëherë sepse nuk ka qenë e specifikuar mënyra e kësaj procedure se si të lëshohet gjoba dhe se ku duhet të shkojnë ato automjete. Kështu PK-ja e ka shqiptuar vetëm një gjobë, atë 150 euro”, ka thënë Mazreku.

Mazreku ka folur edhe për kushtet që duhet të plotësojë Kosova për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër. Ai ka treguar se përveç problemeve politike duhet të ulet edhe numri i automjeteve të pa regjistruara.

“Ekziston edhe kushti që nuk mund të jetë më i madh se 5 për qind numri i automjeteve të paregjistruara. Aktualisht me këtë numër në Kosovë janë mbi 35% të automjeteve të paregjistruara dhe me këtë numër sigurisht që ne në çfarëdo aplikimi që e bëjmë në organizata jashtë Kosovës është joserioz, prandaj kam kërkuar edhe më herët por edhe sot që secili ta bëj punën e vet dhe që në një kohë sa më të shkurtër edhe Byroja Kosovare e Sigurimit të bëhet gati për procedura të mëtutjeshme”, ka thënë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat