IKSHPK po i lajmëron në telefon pacientët për t’iu thënë se janë shëruar nga koronavirusi, pa iu bërë ritestimi

Aktuale

IKSHPK po i lajmëron në telefon pacientët për t’iu thënë se janë shëruar nga koronavirusi, pa iu bërë ritestimi

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 22:57
Foto ilustrim

V.B. (emër i njohur për redaksinë) nga Prishtina, kishte rezultuar pozitive me koronavirus më 18 korrik. Ajo nuk ishte hospitalizuar dhe ka qëndruar shtëpi.

Pas 16 ditëve, ajo ka dalë nga izolimi pa bërë ritestim për COVID-19, i cili do të tregonte nëse është shëruar nga kjo sëmundje.

Përveç V.B., në familjen e saj ka pasur edhe anëtarë tjerë të cilët kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, e të cilët po ashtu kanë dalë nga izolimi pa u ritestuar.

“Ne kemi insistuar përmes telefonit (me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike) që të shohim mundësitë e ritestimit, por na është thënë se nuk ka teste për ritestim”, thotë ajo.

“Ka një javë që nuk kemi asnjë simptomë të COVID-19. Ne kemi frikë se mund ta bartim (virusin) te dikush tjetër, qoftë te familjarët, dhe vetëm për nevoja të domosdoshme kemi dalë. Jemi në një situatë të dyshimtë ende, po qëndrojmë me kujdes të shtuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëshorti i saj, i cili po ashtu ka rezultuar pozitiv dhe ka pasur simptome që nga 11 korriku, është kontaktuar nga IKSHPK-ja të hënën, më 3 gusht dhe pasi që ai nuk ka pasur më simptoma të COVID-19, i është thënë se është i lirë të dalë nga izolimi.

Sipas rekomandimeve të para të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që një person të konsiderohej i shëruar dhe të lirohej nga izolimi, paraprakisht duhej të dilte negativ në dy testime me metodën PCR, ku distanca kohore mes dy testeve, duhej të ishte 24 orë.

Kurse, që prej 27 majit, është një rekomandim tjetër, ku thuhet se pacientët mund të dalin nga izolimi pa u ritestuar. Sipas OBSH-së, këtë mund ta bëjnë 13 ditë pas shfaqjes së simptomave të sëmundjes COVID-19, me kushtin që në tre ditët e fundit, të mos kenë pasur asnjë simptomë.

Ndërkaq, personat asimptomatikë mund të dalin nga vetizolimi dhjetë ditë pas marrjes së rezultatit pozitiv për koronavirus.

Megjithatë, sipas OBSH-së, vetë shtetet mund të zgjedhin nëse për dalje nga izolimi të vendosin si kusht ritestimin.

Edhe, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), që nga 20 korriku më nuk rekomandohet strategjia bazuar në testim, për daljen nga izolimi të personave të shëruar nga COVID-19.

Kapacitetet e kufizuar diktojnë ritestimin

Në Kosovë për shkak të kapaciteteve të kufizuara për testim për sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, jo të gjithë pacientët që kanë dalë pozitiv me këtë virus ritestohen.

Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për personat e shëruar, IKSHPK-ja ka përdorur qasjen e kombinuar për shkak të kapaciteteve të kufizuara në testim.

“Personave të hospitalizuar iu bëhen testime, kurse në kujdesin parësor, personat që janë në kujdes shtëpiak –pra janë trajtuar në shtëpi – ata konsiderohen të shëruar në bazë të kritereve klinike, pra ata nuk testohen me dy teste negative. Kjo është qasja e kombinuar. Kjo është gjendja me personat e shëruar”, thotë Raka.

Ai shton se në rastet e pacientëve me COVID-19 të cilët janë të hospitalizuar, vetëm kur rezultojnë dy herë negativë në testet me metodën PCR, lirohen nga spitali dhe konsiderohen të shëruar. Ndërkaq, në komunitet, kriteri klinik për t’u konsideruar i shëruar nga COVID-19 është zakonisht dy javë ditë pas testimit të parë pozitiv.

Mirëpo, sqaron Raka, nëse një person ka pasur simptoma më shumë se dy javë, dhe ka qëndruar në shtëpi, ai mund të dalë nga izolimi pas 24 ditëve që nga dita kur ka rezultuar pozitiv. Pas tri jave, personi duhet të jetë edhe tri ditë pa simptoma për t’u konsideruar i shëruar.

Raka tregon se këta persona, të cilët në këtë formë konsiderohen të shëruar, marrin vërtetim nga inspektorët në shtabet komunale, ndërsa personat nga zona e Prishtinës njoftohen nga IKSHPK-ja.

Por, a paraqesin rrezik për rrethin, personat që konsiderohen të shëruar nga koronavirusi, pa u ritestuar? Lidhur me këtë, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar infektologë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, por ata nuk kanë dashur të prononcohen për këtë çështje.

Numri i të shëruarve në Kosovë dhe rajon

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të publikuara më 3 gusht, numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 4,989.

Brenda pesë ditëve të fundit, sipas të dhënave të IKSHPK- së, në Kosovë janë shëruar 722 persona.

Ndërkaq, në Mal të Zi, numri i të shëruarve nga 29 korriku deri më 2 gusht është 514.

Në fillim të pandemisë, në Mal të Zi, praktikohej që ndaj një pacienti të kryheshin dy teste – me diferencë prej 24 orëve – dhe vetëm pasi këto dy teste të dilnin negative, ai pacient konsiderohej i shëruar nga koronavirusi.

Ndërkaq, aktualisht kriter për shërimin e një pacienti nga COVID-19 në Mal të Zi, është që të paktën dhjetë ditë nga kur pacienti ka dalë pozitiv me virus, i njëjti të mos ketë pasur për tri ditë të tjera simptoma të sëmundjes COVID-19.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, brenda pesë ditëve janë shëruar gjithsej 1,042 persona.

Numri më i madh i të shëruarve –gjithsej 534 persona –është regjistruar ditën e premte, më 31 korrik.

Në Maqedoninë e Veriut një person konsiderohet i shëruar nga koronavirusi, vetëm pasi të ritestohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat