Haxhi....tenderi, i zbulohet pazari për votën vendimtare për qeverinë e Avdullah Hotit

Aktuale

Haxhi....tenderi, i zbulohet pazari për votën vendimtare për qeverinë e Avdullah Hotit

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 09:52
Haxhi Shala, Hashim Thaçi

Presioni ndaj deputetëve nga të ‘fortët’ e partive për të votuar një iniciativë, ligj apo emërimin e një personaliteti në pozitë të caktuar, po vazhdon të jetë praktikë e njohur në Kosovën e pasluftës.

Rasti i fundit ndodhi në fillim qershorin e vitit 2020, pikërisht disa orë para se të votohej qeveria e re, me kryeministër Avdullah Hotin.

“Ramushi mu ka lutë gjatë, (Thaçi) ai më shumë. Për mua janë dy miq. Në momentin që i kam pa të dera, thash vetë më vete: Me më ardh në shpi nuk guxoj mi kthyer mbrapa pa kurrgjë”.

Këto ishin fjalët e ish-deputetit të Nismës, tashmë pjesë e AAK-së, Haxhi Shalës i cili në mesnatën 2 qershorit, pati vizitorë ‘të pazakontë’ në shtëpinë e tij.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, ia zunë derën deputetit për vetëm një arsye, për ta siguruar votën e 61 që iu duhej për ta ulur në karrikën e kryeministrit, Avdullah Hotin.

E vota e ‘artë’ e Haxhi Shalës, të nesërmen e 3 qershorit ishte vendimtare në parlamentin e Kosovës, ku u votua Qeveria ‘Hoti’ edhe pse kishte shumë deklarime se ai nuk do të votojë atë qeveri.

E gati dy muaj më pas, duket se pas vizitës së Thaçit e Haradinajt, që morën atë që deshën (votën e artë), dyshohet se as deputeti Shala nuk ka shpëtuar pa u shpërblyer nga partitë tani në pushtet.

Syri.net, nga burime të besueshme, pikërisht nga partia e cila e mori postin e kryeministit (LDK) merr vesh se deputeti Shala, mesnatën e fillim qershorit dyshohet se e‘shiti’ votën e tij të deputetit, të cilën e siguroi nga 6634 votues në zgjedhjet e fundit, hiç më pak se për një tender.

Tenderi ‘Tenderi per tiketa ngjitse’  për automjete të cilat i ushtrohen kontrollimit teknik i cili po shpallet/ anulohet qysh nga viti 2013, dyshohet se tashmë po bëhet gati për deputetin Shala.

Burimi thotë se edhe pse vite më parë në garë për këtë tender ishte kandidat potencial një kompani gjermane me çmim 300% më të lirë, ky tender dyshohet se po tentohet të i jepet deputetit për 4.90€ për copë/tiketë.

Sipas burimit, ky tender në vazhdimësi u anulua për arsye se thuhej se ka pasur parregullësi. I njëjti pak kohë pas anulimit me një vendim të përshpejtuar nga ish-ministri i Infrastukturës Lumir Abdixhiku, bën kërkesë tek departamenti i automjeteve të shqyrtohet prapë kjo landë, edhe pse një gjë e tillë konsiderohet vepër penale.

Tutje, media merr vesh se në komisionin e emëruar për shqyrëtimin e kësaj lënde, kryetar i tij është emëruar B.D. (emër i njohur për redaksinë) i njëjti ishte arrestuar në vitin 2018 nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare “Marrje ryshfeti”.

Image
Kontrata e fundit e shpallur dhe vendimi për anulimin e tij
Image
Kontrata e fundit e shpallur dhe vendimi për anulimin e tij

Media, në vazhdimësi në dy javët e fundit ka kërkuar informacione shtesë në lidhje me këtë tender, dhe punën e komisionit të angazhuar nga ministri Abdixhiku, mirëpo Ministria e Infrastrukturës për këtë rast ka zgjedhur heshtjen.

Image

Media ka kontaktuar edhe deputetin e përmendur në këtë rast, por i njejti nuk ka dashur të komentojë.

“I nderuar nuk po dua me u marrë me këso sende, kërkoj falje nga ju, po nuk kam nevojë për reagim", ka thënë Shala.

Media ka pyetur deputetin Shala, se a është pronar i ndonjë kompanie e cila është në emër të tij, por ai ka thënë se “Shkoni në MTI edhe vërtetoni ma mirë”.

Kujtojmë se, presioni ndaj deputetëve nga të ‘fortët’ e partive për të votuar një iniciativë, ligj apo emërimin e një personaliteti në pozitë të caktuar, është praktikë e njohur në Kosovën e pasluftës.

Kjo pasi, një presion i tillë ndodhi edhe në vitin 2016, në zgjedhjen e presidentit të vendit, ku presidenti i tanishëm Hashim Thaçi në një seancë plotë tension arriti tek pas votimit për herë të tretë nga ana e deputetëve të zgjidhet në atë pozitë.

Në atë kohë, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, pikërisht kryetari i saj, Isa Mustafa në atë kohë kryeministër, i cili me presionin e tij ndaj deputetëve të partisë arriti të ia siguroj votat e mjaftueshme presidentit Thaçi tek në votimin e tretë.

Thaçi në atë kohë fitoi 71 vota në raundin e tretë pasi që në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.

Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën eduke hedhur gaz lotsjellës.

Kujtojmë se me shumicë votash me 3 qershor ishte  votuar Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe si dhe parti të vogla të minoriteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat