Gjatë pandemisë, në Kosovë u shuan 255 biznese

Aktuale

Gjatë pandemisë, në Kosovë u shuan 255 biznese

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 20:59
Ilustrim

Gjatë kohës së pandemisë në Kosovë janë shuar 255 biznese, shumica prej të cilave biznese individuale.

Bizneset e vogla janë ato që më së shumti po e ndjejnë krizën ekonomike të pandemisë, disa prej të cilave kriza u ka kushtuar me mbyllje.

Edhe biznesi i Rudina Qosjes po përjeton krizën më të madhe që nga themelimi i saj para tri viteve.

“Kemi pasur rënie qysh nga muaji mars kur ka filluar kriza e pandemisë. Kjo është kriza më e madhe që po përjetojmë. Jemi detyruar të reduktojmë edhe stafin por edhe ne tjerët rrogat i marrim me vonesa”, deklaron Rudina Qosje.

“Përkrahje nga qeveria nuk kemi aspak. Është qesharake shumë që kanë ndarë për ne. Por edhe më keq që ne kemi marrë vetëm pjesën e parë ndërsa pjesën e dytë që është dashur ta marrim moti nuk e kemi marrë akoma. Po e kalojmë edhe muajin gusht e nuk ka shpresë që do të dalin ato të holla”, shton me tej sipërmarrësja.

Sikurse biznesi i  Rudina Qosjes në vështirësi janë edhe shumë biznese tjera.

Nga 13 marsi deri në 28 korrik në Kosovë janë shuar 255 biznese.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nga 255 bizneset e shuara 235 prej tyre janë biznese individuale.

Kryeministri Avdullah Hoti ka premtuar se më të hyrë në fuqi ligji për rishikimin e buxhetit do të rifilloj kryerja e pagesave nga pakoja emergjente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat