Bytyçi sqaron projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së

Aktuale

Bytyçi sqaron projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 23:41
Gazmend Bytyçi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi, në Interaktiv, ka dhënë sqarime për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, që pritet të shqyrtohet të premten në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, ky projektligj përmbyll kornizën ligjore të luftës.

Ai ka bërë të ditur se ky projektligj ka 12 nene. Sipas tij, në projektligj janë të përfshira kategoritë që mbrohen nga ligji, janë obligimet e Qeverisë, është pjesa e muzeut dhe e komplekseve. Bytyçi ka thënë se ky projektligj flet për vlerat e përgjithshme të popullit të Kosovës.

Ai ka thënë se të gjitha partitë në Kuvend janë pajtuar që të bashkëpunojnë për këtë projektligj teksa ka shtuar se Kosova është vonuar me një ligj të tillë.

“Ne si PDK në momentin që e kemi iniciuar kemi thënë që kërkojmë unitet, bashkëpunim me të gjitha partitë politike. Nuk duam që të jetë i PDK-së si ligj, as i Gazmend Bytyçit e as i Kadri Veselit që e ka inicuar, por duam që të jetë një ligj që përfaqëson të gjitha grupet politike dhe grupet e interesit në Republikën e Kosovës. Ne përveç komisioneve funksionale, rekomandimeve e miratimeve edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe nga vendimi i Qeverisë, dhe nga komisioni funksional i cili ka trajtuar këtë ligj, kemi organizuar një tryezë bashkëbisedimi me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare që i kemi në Kuvend, për partitë politike shqiptare, por edhe të atyre joshumicë siç është grupi 6+. Në këtë takim kemi pasur edhe shoqatat e dala nga lufta, të familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve. Jemi dakorduar se jemi vonuar me këtë ligj. Ky ligj është dashur të nxirret shumë më herët, por jemi ku jemi dhe jemi dakorduar që në leximin e dytë të gjithë të bashkëpunojmë që të bëjmë përmirësimet eventuale”, është shprehur Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat