​33 laboratorë privatë do të fillojnë testimet për Covid-19 nga java e ardhshme

Aktuale

​33 laboratorë privatë do të fillojnë testimet për Covid-19 nga java e ardhshme

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 17:19
Pamje nga konferenca e Zemajt

Tre persona kanë vdekur me COVID-19, ndërsa 181 raste janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit me COVID-19. Të premten është bërë e ditur se janë shëruar 125 pacientë të infektuar me këtë sëmundje. Ndërkohë që në spitalet regjionale dhe klinikat e QKUK-së gjatë ditës kanë qenë të shtrirë 623 persona, ku 409 po trajtohen me oksigjeno-terapi, ndërsa 45 në respiratorë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj para gazetarëve ka bërë të ditur se nga java e ardhshme pritet të nisin punën 33 laboratorët privat të cilat janë licencuar për të kryer testet për COVID-19.

Zemaj: Kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore

“Kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore, për licencim të shërbimit të testimit për COVID-19. Deri tash, bordi jonë i licencimit ka shqyrtuar 37 aplikacione, prej të cilave 33 i kanë plotësuar kushtet dhe mund të fillojnë me testime që nga java e ardhshme....Prej tyre 31 janë institucione që ofrojnë testime serologjike, laborator biokimik, hematologjik dhe ambulanca alergologjike me imonologji klinike dhe dy janë laborator të mikrobiologjisë molekulare klinike që do të ofrojnë testime molekulare me të cilat jeni të njoftuar pra RT-PCR”, bëri të ditur Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani ka njoftuar se janë 181 raste të konfirmuar me koronavirus në 24 orët e fundit. Derisa numri total i personave të infektuar nga muaji mars është 9869.

Ramadani: Në 24 orët e fundit kanë rezultuar 181 raste pozitive

“Situata epidemiologjike me COVID në 24 orët e fundit në Kosovë ka shënuar një rënie të lehtë, që mund të themi një rënie optimiste, e cila shkuar deri në 17 për qind rënie mesatare javore, dhe me një pozitivitet të testeve për 24,8 për qind dhe një vdekshmëri prej 3 për qind. Në 24 orët e fundit në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare në IKShP me metodën Real Time PCAR janë testuar 463 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontaktit, ku rezultojnë 181 raste positive. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë 9869 raste, prej 39 mijë 741 personave të dyshimtë me virusin SARS-Cov-2. Me gjithsejt 303 raste të vdekjeve të cilat kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 125 pacientë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot në Kosovë është 5430 raste. Ndërsa numri i rasteve aktive është 3961”, ka thënë ai.

Derisa ka bërë thirrje për respektim të masave, Ramadani ka deklaruar se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë duhet të shtrëngohen masat.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se që nga kjo javë të gjithë personat që vijnë pranë klinikave si të dyshuar me koronavirus, do të trajtohen në ambulancat specialistike të cilat janë shndërruar në atë të COVID-it

Krasniqi: Kemi 623 pacientë të spitalizuar, gjendja e tyre është e rënduar

“Në total kemi 623 pacientë të spitalizuar, prej tyre 270 i kemi në klinikat e QKUK-së dhe 353 në spitalet regjionale. Gjendja e tyre shëndetësore është jashtëzakonisht e rënduar. Kemi 409 pacientë në total që janë në oksigjeno-terapi dhe 45 të tjerë që i kemi në respiratorë. Nga këta 45, 12 i kemi të intubuar. Ne nga dje kemi hapur laurat e QKUK-së për të gjithë familjarët, pacientët që janë në klinikat e QKUK-së. Tani do të hyjnë pa pagesë. Por u kisha bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë hapësirat e QKUK-së, vetëm atëherë kur kanë nevojë. Të reduktojnë në masë të madhe lëvizjet, që të mos shkaktohet tollovi në hapësirat e QKUK-së”, ka theksuar ai.

Nga java e ardhshme ai ka bërë të ditur që do të lëshohet në qarkullim rezervuari prej 20 mijë litrave në hapësirat e QKUK-së, ndërsa rezervuari prej 10 mijë litrave do të transferohet në atë Prizrenit. Krasniqi tha se do të largohet bombolat si vështirësi për furnizim me oksigjen.

Nga 181 raste të konfirmuara për 24 orët e fundit, 37 janë nga komuna e Prishtinës, Prizreni 13, Podujeva 12, Gjilani 11, Lipjani 9, Drenasi, Vitia 8 raste, Fushë-Kosova 7 raste, Obiliqi 6, Ferizaj 3, Rahoveci 3, Suhareka 3, Shtimja 3 raste. Dhe nga një rast në Graqanicë, Dragash, Hani i Elezit, Klina, Kllokoti, Malisheva, Mitrovica, Skenderaj dhe Vushtrria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat