​Përfundon seanca pa miratimin e projektligjit për UÇK-në - Bota Sot
​Përfundon seanca pa miratimin e projektligjit për UÇK-në

Aktuale

​Përfundon seanca pa miratimin e projektligjit për UÇK-në

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 19:48

(E plotësuar) - ​Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua projektligji për vlerat e luftës së UÇK-së, ka përfunduar për shkak të mungesës së kuorumit për ta votuar këtë projektligj.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani tha se janë 47 deputetë në sallë dhe nuk ka kuorum për ta votuar, derisa propozoi që seanca të vazhdojë të enjten në ora 10:00, me pikat e mbetura, pasi të premten do të ketë seancë të re.

Haxhiu pyet Aliun nëse u janë nënshtruar presionit ndërkombëtarëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka deklaruar se ata që kanë kundërshtuar shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje, sot po paraqiten mbrojtës të saj.

Ai gjatë diskutimit për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, ka lëshuar deklaratën e presidentit aktual Hashim Thaçi, gjatë shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.

Haxhiu: Në preambulën e shpalljes së pavarësisë vlerësohet sakrifica e popullit shqiptar

“Për vëmendjen e juaj, se disa më duket se kanë harruar kur është shpallur pavarësia çfarë është lexuar në të. Po ua kujtoj veç pak...Pra të nderuar kolegë deputetë, në preambulën e parë të shpalljes së pavarësisë vlerësohet sakrifica e popullit shqiptar, gjeneratë pas gjenerate deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do të kishte UÇK edhe pa kontributin e shumë e shumë luftëtarëve të lirisë, të burgosurve politikë, të Shaban Polluzhës, e Azem Bejtës e të rilindësve deri në shpalljen e pavarësisë”, ka deklaruar ai.

Haxhiu tha se është domosdoshmëri e kohës miratimi i këtij projektligji, meqë sipas tij duhet të mbrohen këto vlera nga ata që po akuzojnë UÇK-në.

Ai ka kërkuar që të mbrohen të gjithë veteranët e invalidët të cilët jetojnë, meqë sipas tij nuk janë të mirë vetëm ata që kanë vdekur.

Për këtë ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

Aliu: Vlerë ka prodhuar dëshmori dhe e ka përmbyllen jetën e tij

“Këto shprehjet raciste që kanë qarkulluar kudo në botë, që një indian i mirë është vetëm indiani i vdekur, dhe se shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur, ne i dimë ato. Por një gjë mundemi ta themi, vlerë ka prodhuar dëshmori dhe e ka përmbyllur jetën e tij. Veterani është individ, vlerë është lufta e tij, po ai në vetvete si veteran nuk është, lufta e tij po. Dhe kjo është bukur substanciale, se kur ta qet edhe sanksionimin i bien që cilin do veteran po e mos e respektove bone shkelje të cilat mund të jenë të dënueshme”, ka shtuar Aliu.

Sërish ka reaguar Haxhiu duke e pyetur Aliun se çfarë ka ndodhur që i kanë ndërruar mendimet për këtë projektligj.

Haxhiu: A i jeni nënshtruar presionit të ndërkombëtarëve?

“Sinqerisht prej teje Liburn nuk pres qasje të tillë me thanë që vlerë është lufta e veteranit, por jo edhe veterani. Çka po doni me nda, shpirtin e veteranit prej qenies së tij? Po doni me nda idealin e veteranit prej luftës së tij. Nëse në komision keni qenë unik gjithë anëtarët e gjitha partive e keni përkrahur si nismë ligjore, trego çka ka ndryshuar prej komisionit në seancë. A i jeni nënshtruar ndonjë presioni ndërkombëtarë apo keni qef me ju hi ndërkombëtarëve në hatër a çka është problemi?”, ka deklaruar Haxhiu.

LDK kërkon ndryshime në projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se disa nene të projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, lënë hapësirë për keqinterpretim. Sipas saj, këto mund të konsiderohen ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe atë të mendimit.

Gjatë diskutimit për këtë projektligj të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Bunjaku-Rexhepi tha se LDK kërkon ndryshime specifike të këtij projektligji.

“Ne si Grup Parlamentar i LDK-së kemi vërejtur disa çështje të cilat lënë hapësirë për keqinterpretim dhe mund të konsiderohen si ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe në lirinë e mendimit. Po ashtu detyrim për veprim për qytetarët në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e tyre. Siç është rasti me nenin 2, apo nenet tjera, janë probleme të theksuara dhe janë në limitin e kushtetutshmërisë. Ne kërkojmë të bëhet këto ndryshime specifike në këtë projektligj. Te neni 2 “obligimi i qytetarëve për të mbrojtur vlerat e UÇK-së”, duhet të riformulohet. Pasi që lë hapësirë për interpretime të shumëllojshme dhe kjo ndikon keq në lirinë e shprehjes dhe mendimit”, tha ajo.

Ajo tha se si Grup Parlamentar i shohin me shqetësim deklaratat e qytetarëve dhe përfaqësuesve të BE-së për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të të UÇK-së.

“I marrim me shumë shqetësim, kujdes dhe përkushtim deklaratat e përfaqësusve të BE-së dhe të ambasadorit amerikan, i cili ndër tjerash thotë “Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët”. Prandaj ne si Grup Parlamentar angazhohemi për riformulimin e disa prej neneve, dhe trajtimin e tyre me shumë kujdes. Sepse mbi të gjitha për neve prioritet mbetet ruajtja e demokracisë, lirisë së shprehjes. Vlera këto të proklamuara nga themeluesi i shtetit, nga presidenti Ibrahim Rugova”, ka shtuar ajo.

​AAK: Projektligji për vlerat e UÇK-së nuk është për garë politike

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka përkrahur projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke thënë se unanimisht duhet përkrahur pasi nuk është projektligj për të bërë garë politike.

Deputetja Teuta Haxhiu në emër të AAK-së, tha se vlerat e luftës së UCK-së ishte ideali për shtetin që e gëzojmë sot.

“Ky ligj nuk është për të bërë garë politike, as për poena politik por kërkon mbështetje unanime të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Prandaj ne si grup parlamentar i AAK-së, e përkrahim në lexim të parë“, tha ajo.

Ajo tha se AAK kërkon nga të gjithë deputetët që ta pasurojnë këtë ligj deri në ligj, derisa shtoi se është më e pakta që AAK mund të bëjë për që institucionalisht ta mbrojnë luftën e pastër të UÇK-së.

​Selimi: Nisma për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e ka një hile

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së është e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës, duke theksuar se UÇK-ja nuk ka nevojë për mbrojtje, por për njohje.

Gjatë diskutimit në seancë plenare për këtë projektligj, Selimi tha se UÇK është vlerë kombëtare e gjithë shqiptarëve. Për këtë ka kërkuar që të mos keqpërdoret, meqë sipas tij, ky projektligj ka të meta, mangësi e pasaktësi deri në shtrembërim të së vërtetës.

Selimi: Kjo nismë e ka një hile

“Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së është e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Nga PDK-ja e cila ishte në krye të qeverisë disa herë, jo tani. Ishte edhe në krye të qeverisë kur u shpall pavarësia e Kosovës. Pra udhëheqtë me pushtetin edhe kur u hartua Kushtetuta e Kosovës. Asnjë fjali, asnjë fjalë, e asnjë shkronjë nuk u shkrua në Kushtetutën e Kosovës për UÇK-në, as për luftën çlirimtare të Kosovës. Sot më shumë se dy dekada pas luftës arriti më në fund ligji që po i mbrojka vlerat e luftës së UÇK-së. Ne po i kuptojmë qëllimet reale të këtyre nismave. Kjo nismë po duket më shumë se e ka mjet UÇK-në, se sa qëllim. Dhe brenda kësaj e ka një hile”, ka deklaruar ai.

Ndër tjera, Selimi tha se UÇK duhet ruajtur, e jo mbrojtur, pasi sipas tij, vlerat e luftës rrezikohen të dëmtohen nga ata që thirren më së shumti në të.

Selimi: Nga kush rrezikohet UÇK-ja?

“LVV nuk është kundër që vlerat e luftës të jenë të mbrojtura, por duhet që ato vlera të ishin të ruajtura aty ku duhet. Por, a duhet mbrojtur kjo vlerë me ligj? Nga kush duhet mbrojtur kjo vlerë? Ose thënë shkurt nga kush është e rrezikuar vlera e UÇK-së? UÇK-ja nuk ka nevojë për mbrojtje, ajo ka nevojë për njohje para se gjithash, për njohje institucionale e kushtetuese. Mbrojtje është njohja dhe respektimi i qëllimeve të saj. Njohja dhe respektimi i idealeve të të rënëve. Për fat të keq këtë vlerë mund ta rrezikojnë dhe dëmtojnë vetëm ata që thirren më së shumti në të”, ka shtuar Selimi para deputetëve.

Selimi tha se UÇK-ja është mbrojtur me retorikë, por me votë është dërguar në Gjykatë Speciale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat