Veliu: KFOR-i dhe Policia e Kosovës pritet t’i rifillojnë patrullimet e përbashkëta përgjatë kufirit me Serbinë - Bota Sot
Veliu: KFOR-i dhe Policia e Kosovës pritet t’i rifillojnë patrullimet e përbashkëta përgjatë kufirit me Serbinë

Aktuale

Veliu: KFOR-i dhe Policia e Kosovës pritet t’i rifillojnë patrullimet e përbashkëta përgjatë kufirit me Serbinë

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 18:54
Agim Veliu

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu ka reaguar pas shqetësimeve të qytetarëve pas hyrjes së 11 pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në Kosovë.

Ai tha se sot u takua me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi, me të cilën u dakorduan që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Komandanti i KFOR-it vlerësoi lartë takimin, duke u shprehur se takimet e tilla janë të mirëseardhura. Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë̈ vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Ai shtoi se aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe me ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtarëve të dy forcave.

“Mirëpres, faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të rifillojnë edhe në këtë̈ pjesë të Kosovës, iniciativ e cila u mirëprit edhe nga ana e Gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla”, ka shkruar Veliu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat