Ish-ministri i Vetëvendosjes paralajmëron “Dejton 2” për Kosovën

Aktuale

Ish-ministri i Vetëvendosjes paralajmëron “Dejton 2” për Kosovën

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 11:40
Blerim Reka

Ish-ministri i Ministri i Integrimeve Blerim Reka, ka paralajmëruar 'Dejton 2' për Kosovën.

Reka përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se në tregtinë finale me përendimin, Beogradi po përpiqet ta shes shtrenjtë “humbjen e Kosovës”.

Sipas tij, Serbisë pasi i dështoi plani për marrjen e territorit të Kosovës, po tenton tash që këtë territor ta sovranizojë serbisht - brenda Kosovës.

"Ashtu siç Beogradi në vitin 1995, nuk arriti ta shkëpusë pjesën lindore të Bosnjes, por e fitoi Republika Srpskën. Njësoj sot, në pamundësi të fitojë veriun e Kosovës, po kërkon “Zajednica-n”. Jo rastësisht fjalia më e përsëritur e Vuqiqit ishte: “nuk mund të arrijmë marrëveshje, pa fituar asgjë Serbia”! Para çerek shekulli, Serbia e njohti Bosnje e Hercegovinën, me kushtin e krijimit të njësisë federale serbe, e sot Beogradi, po tregton djallëzisht në dialogun e Brukselit për t'i bindur ndërkombëtarët, se njohja e Republikës së Kosovës, ka çmimin e “republikës” serbe brenda saj", ka shkruar Reka.

Shkrimi i plotë:

Dejtoni 2.0?

Nëntori i këtij viti do mbyll çerek- shekullin e paqes Dejtoniane. Marrëveshja e Dejtonit ndali luftën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe funksionimin e këtij shteti. Nga shteti unitar, ajo ishte federalizuar, sepse paqa e padrejtë, dominoi mbi shtetin e drejtë.

Karantinimi trijavor në bazën ushtarake në Ohaio, vërtetë solli paqen, por dhe modelin e “shtetit në shtet”, me krijimin e entitet të ri, me të drejtë veto - Republika Srpska. Ajo nuk ekzistonte para lufte, por si njësi e re federale, lindi nga gjenocidi i Srebrenicës. Në vend të ndëshkimit të shkaktuesve të tij, ata u shpërblyen me republikë konstitutive, brenda federatës boshnjake. Kështu, 25 vite nga marrëveshja paqësore e nënshkruar në Paris, Bosnja mbeti shtet jo-funksional, e Sarajeva peng i bllokadës vendimarrëse të Banjallukës. E bllokuar përbrenda dhe e izoluar nga jashtë.

Plotë 25 vite pas “Dejton 1”, duket se po përgatitet “Dejton 2”, për mbylljen e luftës së fundit në Ballkan: Kosovë - Serbi. Së paku, nëse mund t’i besohet lajmeve për “planin 9 pikësh” dhe paralajmërimit se në negociatat vijuese të Brukselit, me 7 shtator, do ri-hapet çështja e “Zajednica-s”, tashmë e mbyllur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Gjithnjë duke i besuar këtyre njohtimeve mediale, ekziston droja për rikthimin e fuqisë ekzekutive të “Zajednica-s”, edhepse Kushtetuesja kosovare i shpalli kundër-kushtetuese dispozitat e tilla. Madje, po ta pranonte pala kosovare në Bruksel edhe vetëm ri-diskutimin e kësaj çështjeje kundër-kushtetuese, do të pranonte të bëhet pjesë e lojës që Kosova, të përfundonte në shtet jo-funksional. Pra, në një të tillë, ku Prishtina nuk do të mund të vendoste asgjë - pa e pyetur Zubi Potokun. Ashtu, siç as tash, nuk vendos - pa e pyetur “Lista Srpska-n” rrafshin qëndror. Me “Zajednica-n”, do të bllokohej vendimarrja edhe me veto lokale.

Dhe kjo do të ishte vetëm njëra pasojë e dëmshme për Kosovën. Ajo e brendshme. Tjetra, ajo e jashtme, do të kishte edhe reperkusione rajonale. Pas dështimit të Moskës për të penguar anëtarësimin në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, “Zajednica”, së bashku me Republika Srpska dhe Serbinë, do të krijonin treshen ruse të Ballkanit për të realizuar cakun strategjik: mbajtjen e gjysmës së Ballkanit jashta orbitës Euro-Atlantike. Diçka e parë, tashmë në Bosnje, e cila shkaku i vetos serbe, nuk mund të aplikonte në NATO, e as të fitojë statusin e kandidatit për BE.

Kremlini, më heret e kishte bllokuar rrugën Euro-Atlantike të Gjeorgjisë (përmes Abhkazisë dhe Osetisë Jugore 2008) dhe të Ukrainës (me Krimenë dhe Donbasin, 2014-2015). Këtë strategji të Rusisë për shtet-fuqizimin e pakicave ruse në shtetet fqinje, po e kopjon edhe Serbia me sovranizimin e pakicave serbe matanë kufirit.

“Zajednica”, pra do të ishte entiteti i ri bllokues, jo vetëm i funksionimit shtetëror, por edhe i rrugës Euro-Atlantike të Kosovës. Siç tashmë u dëshmua me Republika Srpska në Bosnje; me dy krahinat “kryengritëse” gjeorgjiane; me Ukrainën lindore dhe me enklavën ruse në Moldavi. Sipas kësaj strategjie, pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, Rusia aty ku mundi aneksoi pjesë të shteteve fqinjë; e aty ku nuk mundi krijoi entitete ruse brenda shteteve që aspirojnë përendimin.

Këtë copy paste strategji po e aplikon edhe Serbia pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë: duke instrumentalizuar enklavat serbe në shtetet fqinje, apo duke krijuar brenda tyre, entitete të reja politiko-territorale serbe. “Kninska Krajina” në Kroaci i dështoi, sikur edhe homogjenizimi serb në Mal të Zi. Por pati sukses me Republika Srpska-n në Bosnje, e po provon që këtë model ta jetësojë edhe me “Zajednica-n” në Kosovë.

Në tregtinë finale me përendimin, Beogradi po përpiqet ta shes shtrenjtë “humbjen e Kosovës”. Pasi i dështoi plani për marrjen e territorit të Kosovës, po tenton tash që këtë territor ta sovranizojë serbisht - brenda Kosovës. Ashtu siç Beogradi në vitin 1995, nuk arriti ta shkëpusë pjesën lindore të Bosnjes, por e fitoi Republika Srpskën. Njësoj sot, në pamundësi të fitojë veriun e Kosovës, po kërkon “Zajednica-n”. Jo rastësisht fjalia më e përsëritur e Vuqiqit ishte: “nuk mund të arrijmë marrëveshje, pa fituar asgjë Serbia”! Para çerek shekulli, Serbia e njohti Bosnje e Hercegovinën, me kushtin e krijimit të njësisë federale serbe, e sot Beogradi, po tregton djallëzisht në dialogun e Brukselit për t'i bindur ndërkombëtarët, se njohja e Republikës së Kosovës, ka çmimin e “republikës” serbe brenda saj.

Prandaj, nuk mund të pranohet çdo “normalizim”, nëse çmimi i i tij është humbja e territorit të Kosovës, apo e unitetit të saj shtetëror. Kufijtë dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës janë të pa-negociueshëm. As çdo paqe, nuk është “normalizuese”, nëse është e padrejtë dhe e imponuar nga trysnia asimetrike e ndërkombëtarëve vetëm ndaj Kosovës, për të pranuar koncesione të reja, e për të nënshkruar kompromise të vjetra.

Lufta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndërprerë para 21 vitesh, por jo me traktat paqe. Nëse edhe ajo, si në Bosnje do të mbyllej padrejtësisht, kjo do të provonte edhe një herë dominimin e “parimit” të fuqisë, para fuqisë së parimit.

Një paqe e tillë e padrejtë, nuk do t'i normalizojë marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Aq më pak do e bëjë Kosovën, shtet normal.

Deja vu në Bosnjen post-Dejtoniane.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat