Zyrtari i Malishevës i thotë live në emision Haxhi Shalës se është kërcënuar nga ai, ky është reagimi i Shalës

Aktuale

Zyrtari i Malishevës i thotë live në emision Haxhi Shalës se është kërcënuar nga ai, ky është reagimi i Shalës

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 18:17
Ahmet Morina dhe Haxhi Shala

Deputeti i AAK-së, Haxhi Shala, dhe drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, janë ballafaquar në emisionin Frontal, pas akuzave që Morina ia ka bërë Shalës për kërcënim.

Haxhi Shala, të premten është intervistuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kërcënuar me jetë drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, për shkak të një vendimi në kuadër të detyrës së tij zyrtare.

Shala tha se ky ishte vendim politik, pasi djali i tij është aksionar në kompaninë ndaj të cilës është anuluar pëlqimi për ushtrimin e veprimtarisë në territorin e Malishevës.

Shala tha se nuk e ka kërcënuar Morinën, por ka biseduar me të dhe i ka kërkuar që ta shqyrtojë mirë vendimin.

“I thashë shikoje gjatë tërë javës, diskutoje me kryetarin, edhe unë do të shoh a do të punojnë kompanitë tjera. I thash të thërras në telefon dhe më tregon çka keni vendosë. Ky vendim është zbatuar vetëm për kompaninë tonë në fjalë. I thashë thirrëm kah e premtja, që unë të filloj me procedurat ligjore, sepse kompania ka investuar”, ka deklaruar Shala.

“Të premten e thirra, e pyeta a ka diçka të re, më tha dajë jam në polici, i thashë në rregull, kur të dalësh prej policisë më telefono. Pas gjysmë ore më kanë thirrur policia. Kur shkova, filluan të më marrin në pyetje, ju thashë që përveç me drejtorin dhe me ministrin që kam biseduar. Para dy ditësh më është larguar djali i vëllait nga puna nga ministria e Tregtisë. Këto janë të gjitha vendime politike, për shkak se jam larguar nga Nisma”, ka deklaruar Shala.

Por, ndryshe nga Shala është deklaruar Morina.

Në një lidhje telefonike në Frontal, Morina tha se kjo nuk është çështje politike, pasi sipas tij, nuk ka pasur njohuri se djali i Shalës është aksionar në kompaninë në fjalë.

“Në asnjë mënyrë dhe rrethanë s’kam ardhur në punë të bëj shkelje. Kërcënimet do t’ua lë hetuesisë dhe prokurorisë. Për atë vendim që e kam tërhek pëlqimin, dhe z.Shala tha se është çështje politike, ju siguroj se nuk është. Mua nuk më ka interesuar kush qëndron prapa kompanisë, z.Shala e di shumë mirë se ka pasur peticion nga qytetarët, pas peticionit, asambleja komunale ka marrë vendim për pezullimin e pëlqimit. Jemi detyruar të bëjmë shfuqizimin e pëlqimit të lëshuar nga drejtoria jonë, e kemi njoftuar edhe firmën, unë nuk e di kush qëndron mbrapa atyre firmave në përqindje të aksionarëve”, deklaroi Morina.

Morina tha se nga dita e premte është në shoqërim të Policisë së Kosovës, për shkak të rrezikshmërisë nga kërcënimi që ka marrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat