Strategjistët amerikanë: Serbia mund të bëhet forcë e rajonit duke i krijuar hapësirë shtetësisë së Kosovës

Aktuale

Strategjistët amerikanë: Serbia mund të bëhet forcë e rajonit duke i krijuar hapësirë shtetësisë së Kosovës

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 12:38
Avdullah Hoti e Aleksander Vuçiq

James Carafano dhe Luke Cofey përmes një shkrimi të përbashkët kanë paraqitur vizionin e tyre rreth asaj se si Ballkani Perëndimor do të shkonte sigurt drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Sipas dy strategjistëve amerikanë, Serbia do të bëhej një shtet tepër i rëndësishëm në rajon në rast se do t’i japë hapësirë shtetësisë së Kosovës dhe të tejkalojë një herë e përgjithmonë dallimet me Kosovën.

“Kapërcimi i dallimeve me Kosovën mund të jetë çelësi për shpërfaqjen e Serbisë si një forcë e rëndësishme për zhvillimin dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në shkrimin e tyre të përbashkët.

Me Carafanon gjatë qëndrimit në Washington është takuar edhe koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni.

Shkrimi i plotë:

Serbia në udhëkryqin e fuqive të mëdha

Serbia ka qenë në këtë pikë edhe më herët. Në kohë të lashta, Ballkani Perëndimor ka qëndruar nëpër vijën ndarëse midis Perandorisë Romake dhe kufirit të pafundmë të Lindjes. Më vonë, rajoni shënoi pikën e përputhjes së interesave konvergjente të Rusisë Imperialiste dhe Austro-Hungarisë e Perandorisë Osmane.

Por të qenit në udhëkryqin e fuqive të mëdha jo domosdoshmërisht ju vë në pragun e fuqive të mëdha. Përkundrazi, mund t’ju vërë në shtegun e paqes dhe prosperitetit.

Sot Serbia e ka një mundësi unike për rivendosje strategjike, e cila do ta vinte vendin dhe të gjithë rajonin në shtegun e një të ardhmeje më të mirë. Ky shteg nis me krijimin e hapësirës për shtetësinë e Kosovës.

Kur e shkuara mund të prolongohet

Dubrovniku ka shumëçka më tepër se vetëm skenat mahnitëse të përdorura në “Game of Thrones”. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, qyteti i vogël shtet (në ditët e sotme Kroacia), pothuajse tërësisht i rrethuar nga territori osman, ia doli ta ruajë lirinë dhe të lulëzojë. Ishte ky një port madhor dhe epiqendër biznesi jo vetëm për Stambollin, por edhe për shumë fuqi evropiane – duke arritur madje të krijonte marrëdhënie tregtare me republikën e porsakrijuar amerikane. Të gjitha këto fuqi kuptuan se interesave të tyre u shërben më së miri që ta lejonin vendin, ku interesat e tyre të ardhshme do të lulëzonin. Etërit e Dubrovnikut u bënë të vlefshëm për këdo.

Me ndërtimin e Evropës si tërësi, të lirë dhe në paqe, Ballkani Perëndimor mbetet pa dyshim punë e papërfunduar. Aty, integrimi rajonal është i pamjaftueshëm. Derisa Sllovenia dhe Kroacia janë në Bashkimin Evropian, synimet e të tjerave për anëtarësim duken të largëta. Vazhdon të ketë potencial për konflikt. Krimi dhe korrupsioni përbëjnë ende problem. Rusia po e vazhdon ndërhyrjen e saj të qëllimshme në rajon, ndërsa Kina po përpiqet që ta shtrijë edhe më tutje ndikimin e saj aty.

Megjithëkëtë, epiqendra e përçarjes aty vazhdon të jetë e përqendruar pikë së pari në tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, vend ky që e siguroi pavarësinë më 2008. Me politikat e saja të jashtme, Serbia vazhdon të ushtrojë presion mbi vendet e tjera për të mos e njohur Kosovën dhe përpiqet vazhdimisht që ta bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kapërcimi i dallimeve me Kosovën mund të jetë çelësi për shpërfaqjen e Serbisë si një forcë e rëndësishme në zhvillimin dhe stabilitetin rajonal.

Rruga përpara

Në mënyrë tradicionale, Serbia është mbështetur fuqimisht në marrëdhëniet e saja me Rusinë dhe Kinën, ndonëse i gëzon dukshëm më shumë investimet dhe ndihmat nga Perëndimi. Pavarësisht kësaj, si aleate, Moska dhe Pekini kanë pasur performancë më të paktë. Që të dyja e trajtojnë Serbinë si të mirëqenë.

Serbia po i pakëson vlerat e saja duke mos i thelluar marrëdhëniet me Perëndimin, për t’i baraspeshuar relacionet që i ka me këto fuqi mosmirënjohëse. Këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhjen e anëve. Bëhet fjalë për ta bërë Serbinë një akter më të çmuar dhe të përgjegjshëm në rajon, dhe, si rrjedhojë, shfaqjen e saj një forcë më pozitive në baraspeshimin e interesave të fuqive të mëdha në rajon.

Shtegu më i shpejtë dhe më produktiv që Serbia t’i baraspeshojë marrëdhëniet e saja me Perëndimin është përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Asnjë hap tjetër nuk do të ishte më konstruktiv.

Ju lumtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për përkushtimin në ndërmjetësimin e një riafrimi të ardhshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Nëse kjo çështje themelore zgjidhet, atëherë mund ta transformojë të ardhmen e gjithë Ballkanit Perëndimor.

Për sa i përket Kosovës, e ardhmja e saj qartazi qëndron në integrimin e plotë në komunitetin transatlantik.

Kosova e di këtë dhe Serbia humbet kohën dhe burimet e saja po qe se mendon që Kosova ndonjëherë do të largohet prej këtij shtegu. Derisa Kosova duhet të synojë që ta mbajë të hapur dhe konstruktiv dialogun me Serbinë, ajo duhet të vazhdojë t’u vihet në kërkim mënyrave për ta avancuar atë. Veç e ka marrë vendimin e mprehtë për ta filluar zhvillimin e ushtrisë së saj kombëtare, kështu që përfundimisht do të kualifikohet për anëtarësim në NATO. Ndërkohë, vendi duhet të vihet në kërkim të mënyrave kreative për të bashkëpunuar me NATO-n.

Kreativiteti është qenësor, meqë disa prej uverturave më evidente bashkëpunuese nuk janë të mundura. Bashkëpjesëmarrja me aleatët në Afganistan, për shembull, mund të duket si një veprim i natyrshëm. Tek e fundit, ky është një moment boshtor për Afganistanin, dhe mbështetja ndërkombëtare shtesë pikërisht tani do të ishte e çmuar dhe e mirëseardhur. Për më tepër, dërgimi qoftë edhe i një kontingjenti krejtësisht të vogël do t’ia zgjeronte dhe thellonte Kosovës përvojën e saj ushtarake.

Telashi, natyrisht, është se pesë shtete evropiane – Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia – nuk e njohin Kosovën. Që të gjitha, pos Qipros, janë në NATO (dhe Qiproja është në BE).

Ky është një faktor kontribuues që e parandalon Kosovën që t’i dërgojë trupat në Afganistan dhe që përndryshe ia vështirëson shtegun transatlantik.

Kosova duhet po ashtu të vazhdojë të kërkojë mënyra për të zhvilluar furnizim më të sigurt dhe të pastër energjetik, integruar në një arkitekturë më të fortë dhe të qëndrueshme rajonale energjetike. Një opsion, për shembull, është zhvillimi i gazsjellësit të propozuar Shqipëri-Kosovë, i cili do ta lidhte Kosovën me seksionin shqiptar të gazsjellësit të Adriatikut, ndryshe pjesë e Korridorit Jugor të Gazit që e sjell gazin nga deti Kaspik në Itali dhe më pas në pjesën tjetër të Evropës.

Iniciativa e Tri Deteve (3SI) po ashtu përbën një mundësi për Kosovën. Ajo duhet të hyjë në dialog me vendet e 3SI-së për t’i rishikuar mundësitë e partneritetit, sidomos në rrafshin e infrastrukturës digjitale.

Me pak fjalë, gara e sotme e fuqive të mëdha nuk ka nevojë të punojë në dëm të Ballkanit Perëndimor. Përkundrazi, ajo u ofron, si Serbisë ashtu edhe Kosovës, mundësi për të sjellë paqe dhe prosperitet më të madh në rajon.

Në fund të fundit, Ballkani Perëndimor shndërrohet në një hapësirë të bashkëpunimit në vend të konkurrencës, duke ua demonstruar vlerat të gjitha palëve. Është domosdoshmëri tani që të dy vendet t’i fuqizojnë marrëdhëniet me Perëndimin, dhe shtegu më me ndikim i ecjes përpara është që të kuptohet se e ardhmja e dy vendeve është të bashkëjetuarit pranë njëra-tjetrës në paqe dhe me njohje të dyanshme.

(James Jay Carafano, nënkryetar i Fondacionit Heritage, i udhëheq kërkimet e këtij fondacioni për çështjet e sigurisë kombëtare dhe marrëdhënie të jashtme. Luke Coffey është drejtor i qendrës “Allison” të Heritages për Studimin e Politikave të Jashtme. Ky vështrim është shkruar për “National Interest”).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat