Reagon BIK: Komunikata e Speciales për Thaçin e Veselin veprim politik

Aktuale

Reagon BIK: Komunikata e Speciales për Thaçin e Veselin veprim politik

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 14:56
Naim Ternava Hashim Thaçi

Pas gati dy muajsh nga dita kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, BIK’u e konsideron komunikatën e prokurorëve ndërkombëtarë si veprim politik që dëmton vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës dhe kauzën dhe misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Atakimi i vlerave të UÇK-së po bëhet në emër të drejtësisë me veprime të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Tentimi për ta paraqitur kriminale luftën e drejtë të UÇK-së është tentim për ta barazuar kriminelin me viktimën”, thuhet në postimin e BIK’ut.

Në BIK thonë se ky veprim i Speciales përbën shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkel parimin bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë.

“Ne, si edhe tërë populli, UÇK-në e konsiderojmë vlerën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë më të re të popullit tonë dhe të cilën e ruajmë me shumë mburrje. E ritheksojmë edhe një herë se lufta mbrojtëse e UÇK-së, e cila është bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përgjithmonë e tillë”, thuhet në postim.

Ndryshe, më 24 qershor të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Aktakuza pretendon se Thaçi dhe Veseli dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 personave. Në njoftimin nga Haga thuhet se një gjykatës i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë.

Njoftimi i plotë:

DEKLERATË
Me shqetësim të thellë kemi ndjekur veprimet e drejtësisë ndërkombëtare ndaj presidentit të vendit, z. Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Komunikatën e prokurorëve ndërkombëtarë për presidentin Thaçi, duke u bazuar në momentin e bërjes së saj publike, e konsiderojmë veprim politik që dëmton së pari vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës, dhe së dyti, konsiderojmë se, në emër të drejtësisë, po mëtohet të atakohen e përdhosen kauza dhe misioni UÇK-së për lirinë e vendit.
Atakimi i vlerave të UÇK-së po bëhet në emër të drejtësisë me veprime të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Tentimi për ta paraqitur kriminale luftën e drejtë të UÇK-së është tentim për ta barazuar kriminelin me viktimën.
Ne i bashkohemi fuqishëm zërit të popullit që kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, duke e vlerësuar të paprecedent qasjen e drejtësisë ndërkombëtare, që kohë më parë publikuan edhe një njoftim për një aktakuzë të pakonfirmuar ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçit dhe z. Kadri Veselit.
Ky veprim, përveçqë s’ka të bëjë me drejtësinë përbën shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkel parimin bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë.
Ne, si edhe tërë populli, UÇK-në e konsiderojmë vlerën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë më të re të popullit tonë dhe të cilën e ruajmë me shumë mburrje.
E ritheksojmë edhe një herë se lufta mbrojtëse e UÇK-së, e cila është bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përgjithmonë e tillë.
Ne besojmë dhe angazhohemi për drejtësi, por konsiderojmë se me veprime të padrejta, selektive e të njëanshme nuk mund të vendoset drejtësia.

KRYETARI
Myftiu Naim ef. Tërnava

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat